Ballkani Perëndimor ka nivelin më të keq të cilësisë së ajrit në Europë – duke shkaktuar 13,500 vdekje të parakohshme në rajon çdo vit. Efektet e dëmshme të termocentraleve të vjetëruara me qymyr të rajonit mund të ndjehen deri në Egjipt. Pasoja të mëdha shëndetësore shkaktohen gjithashtu nga përdorimi i karburanteve si lëndë djegëse në industri, nga kaldajat për ngrohje shtëpiake, në bujqësi dhe transport. Si mund të fillojmë të marrim frymë përsëri?

A ka ndonjë hapësirë tjetër në lagje ku digjen plehrat? Nuk ka të ngjarë, sepse aroma e pakëndshme do të ndihej me milje larg. Thithet nga flokët e rrobat dhe irriton sytë. Ju mund ta ndjeni atë në gojën tuaj. Njolla mjegulle duket se shfaqen midis degëve në kurorat e pemëve, megjithëse as pemët përtej rrugës nuk mund të shihen qartë.

Ndotja e ajrit e përmbush qëllimin e saj në një mënyrë tërsisht demokratike – ajo i rrezikon të gjithë. Ne mund t’i vëmë veshin paralajmërimeve dhe të mbyllim dritaret, të heqim dorë nga vrapi dhe futbolli dhe të mos i lëmë fëmijët tanë të dalin jashtë. Në një farë mase, ne mund të mbrohemi në shtëpi duke përdorur filtrues të ajrit. Por nuk ka një mënyrë shpëtimi të vërtetë ndaj saj.

I gjithë Ballkani Perëndimor është prekur në mënyrë të barabartë, veçanërisht gjatë sezonit ku rritet nevoja për ngrohje dhe kur nuk mjaftueshëm erë për ta çuar helmin diku tjetër. Shpesh herë, ne mund ta shohim dhe ndiejmë këtë armik të përbashkët. Ai e ka bërë të qartë se nuk është aspak i ndrojtur. Siç na mëson shprehja e vjetër, ne duhet ta njohim mirë atë për ta mposhtur, dhe është koha që të gjithë të bëjmë betejën tonë kundër ndotjes në këtë rajon.

Nuk ka vend për të humbur kohë, dhe pandemia e koronavirusit vetëm sa e përkeqëson situatën. Pasojat e ndotjes së ajrit mund të përkeqësojnë simptomat e një personi të infektuar, por gjithashtu e bëjnë një organizëm më të prirur ndaj infeksioneve, përfshirë dhe COVID-19.

Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, pothuajse 13,500 njerëz vdiqën në 2016 për shkak të ekspozimit ndaj ndotjes së ajrit në Ballkanin Perëndimor: 3,051 në Bosnjë dhe Hercegovinë, 486 në Mal të Zi, 1,451 në Maqedoninë e Veriut, 6,592 në Serbi dhe 1,855 në Shqipëri. Raporti nuk përmban të dhëna specifike për Kosovën.

OBSH gjithashtu përcaktoi që vetëm ekspozimi ndaj grimcave të ngurta në ajër PM 2.5 të emetuar nga termocentralet me qymyr shkakton pothuajse 9,500 vdekje të parakohshme çdo vit në Ballkanin

Perëndimor, nga pothuajse 13,500 vdekje në vit që ndodhin për shkak të ndotjes së përgjithshme të ajrit, shumica e të vdekurve në moshë pune.

Një studim i botuar nga HEAL, Sandbag, CAN Europe, CEE Bankwatch dhe Europa Beyond Coal ka treguar se 3,906 persona kishin vdekur para kohe në 2016 për shkak të ndotjes së ajrit të prodhuar vetëm nga termocentralet me qymyr në Ballkanin Perëndimor. Në fakt, shumica e atyre rasteve ndodhen jashtë rajonit, në vendet anëtare të Bashkimit Europian.

Sipas rezultateve të hulumtimit të vitit 2019 të kryer nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP) vetëm në 19 qytetet më të mëdha[1], duke mos përfshirë Kosovën, ekspozimi i drejtpërdrejtë ndaj ajrit të ndotur i merr jetën para kohe pothuajse 5,000 njerëzve çdo vit.

Shtetet nuk po nxjerrin të dhëna të konsoliduara për pasojat ekonomike të ndotjes së ajrit

Financat e shtetit janë nën presion, kryesisht për shkak të kostove të trajtimit dhe viteve jetë të humbura. Megjithatë, pavarësisht se është një nga zërat kryesorë të kostos, shpenzimet e shkaktuara nga ndotja e ajrit nuk paraqiten në formë të konsoliduar si pjesë e buxheteve të qeverisë.

Studimi i lartpërmendur specifikon se termocentralet me qymyr në Ballkanin Perëndimor, shkaktojnë dëme ekonomike në formën e kostove për kujdesin shëndetësor që arrijnë ndërmjet 6.1 dhe 11.5 miliardë euro-ve në vit, më shumë se gjysma e të cilave përballohen nga BE. Ballkani Perëndimor përbën një të tretën e totalit, ndërkohë që pasojat mund të ndihen deri në Rusi dhe Egjipt. Paratë që humbasin në këtë mënyrë ne një vit ose dy në rajonin tonë, do të mjaftonin për ndërtimin e impjanteve me energji diellore të cilat mund të zëvendësojnë pothuajse të gjithë termocentralet ekzistuese me qymyr.

Nga ana tjetër, llogaritja e vuajtjeve të njerëzve që sëmuren për shkak të ndotjes së ajrit ose gjendja e të cilëve përkeqësohet gjatë periudhave të përqendrimeve ekstreme të ndotësve është përtej vlerësimit të ekspertëve. Ne gjithashtu nuk duhet të përjashtojmë edhe pasojat në familjet e tyre dhe kompanive ku ata punojnë. Grupet më të prekura përfshijnë pacientë që vuajnë nga sëmundje kronike, fëmijë dhe të moshuar.

Duhet të merret parasysh fakti që substancat dhe përbërësit e rrezikshëm të ajrit nxisin ndryshimin e klimës dhe se fatura në këtë sektor do të jetë gjithashtu e madhe – për shembull, në formën e përmbytjeve, thatësirave dhe epidemive.

Nga vijnë ndotësit

Përqendrimi i lejuar, domethënë përqëndrimi i tolerueshëm i ndotësve të ajrit shpesh tejkalohet në këtë pjesë të Europës Juglindore. Kushtet e pafavorshme të motit mund të jenë gjithashtu një kontribues negativ. Grimcat e përmendura më lart, të quajtura edhe grimca të imta, kanë efektin më të dëmshëm tek njerëzit.

Këto grimca të imta maten kryesisht sipas kategorise, deri në 2.5 mikrometra (PM2.5) dhe deri në dhjetë mikrometra (PM10), dhe përqendrimi i tyre jepet në mikrogramë për metër kub. Vetëm maskat speciale mund të na mbrojnë disi nga depërtimi i tyre në mushkëritë tona dhe më tej në organizëm, pasi grimcat janë shumë të vogla për tu bllokuar nga maskat kirurgjikale dhe ato të pambukut. Sidoqoftë, ato depërtojnë edhe në lëkurë.

Ekspozimi ndaj grimcave lidhet me një numër sëmundjesh, duke filluar nga sëmundjet kardiovaskulare dhe respiratore, diabeti, problemet psikologjike, infertiliteti, leuçemia tek fëmijët dhe kanceri i mushkërive. Sa më e vogël të jetë grimca, aq më thellë dhe më lehtë do të depërtojë në trup ajo.

Ndotësit më të zakonshëm të matur përfshijnë ozonin (O3), oksidet e azotit (NOx) monoksidin e karbonit (CO) dhe dioksidin e squfurit (SO2). Në vende të caktuara, ekziston gjithashtu një prani e metaleve të rënda ajrore, të cilat vijnë si rezultat i proceseve industriale dhe djegies. Një specifikë e dioksidit të squfurit është fakti se ai bën të mundur formimin e të ashtuquajturave grimca dytësore në atmosferë.

Termocentralet me qymyr dhe industria janë ndër burimet kryesore të emetimeve të dioksidit të squfurit në Ballkanin Perëndimor, ndërsa emetimet e oksidit të azotit e kanë origjinën kryesisht nga termocentralet me qymyr dhe ndotja nga trafikut. Në shumicën e vendeve në rajon, emetimet e SO2, NOx dhe PM nga centralet e mëdha, i tejkalojnë vlerat maksimale të përcaktuara nga planet kombëtare për uljen e emetimeve.

Nga të gjithë ndotësit e ajrit, grimca e imët është vrasësi më i madh 

Në Bosnje-Hercegovinë, vlerat e lejuara tejkalohen në rastin e PM10, SO2, O3 dhe dioksidit të azotit (NO2). Përqendrimet e PM10, NO2 dhe O3 në Serbi dhe Maqedoninë e Veriut shpesh tejkalojnë vlerat maksimale të lejuara. Popullsia e Shqipërisë është shumë e ekspozuar ndaj dioksidit të azotit dhe ozonit. Atje nuk ka termocentrale me qymyr.

Nga 37 vendet që paraqesin raportet e tyre në Agjencinë Europiane të Mjedisit, tetë kanë tejkaluar nivelin maksimal të rekomanduar të ekspozimit ndaj PM2.5 gjatë vitit 2018. Pesë prej tyre janë vende të Ballkanit Perëndimor (të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor përveç Malit të Zi, për të cilat nuk kishte të dhëna në dispozicion). Vlera kufitare ditore e PM10 në qytetet e Ballkanit Perëndimor, u tejkalua në 120-180 ditë në vit – kufiri i parashikuar është 35 ditë në vit.

Qytetarët e Shqipërisë, Bosnje-Hercegovinës, Malit të Zi, Kosovës, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut vuajnë për shkak të ndotësve që vijnë nga oxhaqet e termocentraleve dhe impianteve të ngrohjes, si dhe fabrikave që përdorin qymyr dhe produkte të naftës. Ajri po helmohet nga impiantet e përpunimit të karburanteve dhe sobave shtëpiake të vjetëruara. Ndotja e konsiderueshme vjen gjithashtu si rezultat i ndërtimit, aktiviteteve bujqësore dhe trafikut.

Përveç faktit që shëndeti publik dhe mjedisi rrezikohen nga zjarret në hapësirat e pakontrolluara të grumbullimit të mbetjeve, në vitet e fundit një pjesë e popullsisë kanë djegur gjithnjë e më shumë plastikë, goma, dru të llakuar dhe të lyer me bojë në sobat e tyre shtëpiake. Kjo nuk vjen domosdoshmërisht nga mungesa e njohurive ose e tekave perosnale, por përkundrazi, në këtë rast është një manifestim i varfërisë – I varfërisë energjetike. Për më tepër, ne jemi duke krijuar një sasi në rritje mbetjesh, dhe sistemi nuk ka një përgjigje adekuate, as në raport me çështje të tjera të cilësisë së ajrit.

Presioni dhe bashkimi si mjet për të pasur ajër të pastër

Çfarë duhet bërë atëherë? E para dhe më e rëndësishmja, institucionet kanë përgjegjësi ndaj qytetarëve. Ballkani i Bashkuar për Ajër të Pastër solidarizohet, për betejën e përbashkët me qytetarët e çdo rruge, lagjeje, fshati dhe qyteti në Ballkanin Perëndimor që të kenë mundësi të thithin ajër të pastër. Në nivel global, qymyri po kthehet në një kujtim të shëmtuar. Tashmë është më fitimprurëse të ndërtohen impjante me energji diellore dhe turbinave me ere  sesa të mirëmbahet shumica e termocentraleve ekzistuese, madje edhe ato më të reja. Pajisjet për prodhimin e energjisë nga burimet e rinovueshme po bëhen gjithnjë e më të lira. Kompanitë që prodhojnë dhe përdorin qymyrin, përballen me shpenzime në rritje për marrjen e liçencave për emetimin e dioksidit të karbonit dhe për përmbushjen e rregullave mjedisore. Ata po shpejtojnë planet e tyre për t’i mbyllur ose, të paktën, të kalojnë në përdorimin e lëndëve të tjera djegëse.

Gjashtëmbëdhjetë termocentrale që punojnë me qymyr në vendet e Ballkanit Perëndimor kanë emetuar më shumë dioksid squfuri në 2016 sesa (të gjitha) 250 impiantet në BE të marra së bashku

Sipas të dhënave nga raporti i vitit 2016 i botuar nga HEAL dhe organizata të tjera, gjashtëmbëdhjetë termocentrale me qymyr në Ballkanin Perëndimor, aq sa është numri i tyre deri në ditët e sotme, kanë emetuar më shumë dioksid squfuri (SO2) sesa (të gjitha) 250 impiante të tilla që operojnë në Bashkimin Europian të marra bashkë. Sipas të dhënave të mbledhura nga Europe Beyond Coal (Europa Përtej Qymyrit), ka akoma 219 termocentrale aktive me qymyr me kapacitet më të madh se 15 MW në BE dhe Britaninë e Madhe. Nëse shtrihemi me gjerë në rajon, pra duke përfshirë Turqinë, vetëm vitin e kaluar, investitorët kanë anuluar planet për ndërtimin e nëntë impianteve dhe kanë mbyllur ose njoftuar mbylljen e 68 të tjerave shtesë.

Është pothuajse e sigurt që disa prej projekteve të mbetura do të ndërpriten, por mbetet pyetja se çfarë do të ndodhë me ato që janë në ndërtim e sipër. Pothuajse gjysma e anëtarëve të BE synojnë të heqin dorë plotësisht nga qymyri brenda dhjetë vjetësh dhe ky numër mund të rritet lehtësisht. Ka tendenca të ngjashme në Japoni, Kinë dhe Shtetet e Bashkuara. Ndërkohë, Serbia dhe Bosnje-Hercegovina mbeten të angazhuara në projektet e tyre për ndërtimin e termocentraleve të reja.

Industria e pisët e qymyrit nuk duhet të financohet me para publike

Në një mënyrë a tjetër, vendet në rajon shpenzojnë shuma të mëdha parash të taksapaguesve në minierat e qymyrit dhe në ndërtimin, mirëmbajtjen dhe rindërtimin e termocentraleve. Ndërsa ky sektor po humbet betejën e tij në treg kundër burimeve të rinovueshme të energjisë, ai nuk mund të mbijetojë pa subvencione. Nuk duhet të jesh gjeni për të arritur në konkluzionin se këto fonde mund të përdoren në një mënyrë më të mirë.

Sistemi i stacionit të monitorimit të ndotjes ende nuk arrin të përmbushë të gjitha kriteret e nevojshme. Edhe këtu ka vend për përfshirjen e qytetarëve. Pajisjet e shumta të vogla shtëpiake për matjen e cilësisë së ajrit janë lidhur përmes aplikacioneve të njohura, duke kontrolluar kështu të dhënat zyrtare, jo të besueshme ndonjëherë, për ndotjen e ajrit.

Në Maqedoninë e Veriut, tashmë ka incentiva për të zëvendësuar pajisjet për ngrohje që punojnë me lëndë djegëse nëpër shtëpia me zgjidhje më të pastra, të cilat mund të jenë një shembull pozitiv edhe për vendet e tjera në rajon. Ka përmirësime modeste edhe në vende te tjera të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në lidhje me ndërtimin e impianteve për ngrohje që përdorin burime të rinovueshme të energjisë. Impiantet e biomasës po shfaqen në të gjithë Serbinë dhe Bosnje-Hercegovinën, dhe i gjithë rajoni po dëshmon një përdorim në rritje të pompave gjeotermale për ngrohje dhe ftohje.

Tranzicioni energjetik i Ballkanit mund të arrihet vetëm duke bashkuar forcat.

Eliminimi i përdorimit të qymyrit është faktori më i rëndësishëm për përmirësimin e cilësisë së ajrit

Shtetet në këtë rajon duhet të jenë të vetëdijshme për faktin se nuk ka të ardhme me termocentrale të vjetëruar dhe se një tranzicion i përshpejtuar në energjinë diellore dhe atë të erës është zgjedhja e vetme. Meqenëse varet nga kushtet e motit, funksionimi i një sistemi të tillë kërkon ndërlidhjen e rrjeteve të energjisë elektrike të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ndërtimin e mjediseve të magazinimit të energjisë elektrike. Këto janë masat më të rëndësishme për të ulur ndotjen e ajrit. Sidoqoftë, përparim serioz parashikohet gjithashtu në standardet më të rrepta të kontrollit të cilësisë së ajrit dhe përmirësimin dhe zbatimin e rreptë të rregulloreve në lidhje me ndotësit – si në rastin e termocentraleve në pronësi të shtetit ashtu edhe ato private.

Në nëntor të vitit të kaluar, të gjashtë vendet në rajonin tonë kanë nënshkruar Deklaratën e Sofjes, duke u bërë pjesë kështu e Axhendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor dhe për të ndjekur politikat e BE-së dhe Marrëveshjen e Gjelbër Europiane. Kjo e fundit parashikon arritjen e neutralitetit të klimës deri në vitin 2050. Bashkëpunimi rajonal është një rrugë drejt përmirësimit të cilësisë së ajrit, ashtu si përparimi teknologjik dhe rritja e konkurrencës ekonomike, me mundësinë që ambiciet pse jo të tejkalojnë qëllimet e përcaktuara në dokument.

Axhenda e Gjelbër për rajonin nënkupton rregullimin e ndikimit ndërkufitar të ndotjes së ajrit, miratimin e strategjive për përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe ngritjen e kapaciteteve të sistemeve matëse. Udhëheqësit e BE kanë lënë të kuptohet se aksesi tek fondet e pakthyeshme dhe kreditë e buta nuk do të jetë i mundur nëse objektivat nuk do jenë përmbushur.

Proçesi i instalimit të pajisjeve të prodhimit të energjisë së rinovueshme në familje duhet të bëhet më i lehtë për qytetarët. Për më tepër, projektet e efiçencës së energjisë në fushën e dizenjimit dhe ndërtimit të godinave, si dhe incentivat dhe lehtësimet tatimore, mund të ulin ndjeshëm konsumin e energjisë.

E gjithë kjo në mënyrë që ajri të bëhet përsëri transparent dhe pa erë, përveç erës së natyrës. Pa shije, gjithashtu! Le të ketë përsëri mjegull të vërtet, në vend të smogut dhe reve të pluhurit.

[1] Korçë, Banja Luka, Brod, Prijedor, Sarajevo, Tuzla, Zenica, Bar, Nikšić, Pljevlja, Podgorica, Tivat, Bitola, Skopje, Tetovo, Belgrade, Pančevo, Užice and Valjevo

Spread the love