I ftohti ekstrem, që pushtoi vendin javën e fundit të muajit janar, i mori jetën 67-vjeçares në qytetin e Fierit, ku përvec kushteve të vështira ekonomike, banesës së degraduar dhe mungesës së higjienës e moshuara nuk kishte mundësi as të ngrohej, kjo si pasojë e prerjes së energjisë elektrike nga shteti, ku drejtori i OSHEE në Fier, ka deklaruar se të moshuarës i është ndërprerë energjia elektrike, sepse nuk ka pasur mundësi ta paguaj atë. Të ftohtin therës dhe pasojat tragjike që sjellë ai në Shqipëri si pasojë e kushteve të tejskajshme të varfërisë energjitike e ndiejnë më së shumti moshat e treta, nga të cilët 318 mijë persona janë mbi moshën 65 vjeç (raporti instat “Mplakja e popullsisë-situata e të moshuarve në Shqipëri) dhe pensioni mesatar i tyre sipas Institutit të Sigurimeve Shoqërore është 86 Euro në muaj; pensioni i një pensionisti në qytet është 13.370 lekë në muaj dhe në fshat 9161 lekë në muaj.

Nga kjo shumë parash që merr një pensionist për çdo muaj të vitit, duhet të plotësojë të gjitha nevojat jetësore për ushqim, veshje, ilaçe, ujë dhe energji elektrike. Sipas përllogaritjes së kryer nga ekspertët e efiçencës së energjisë,  një familje për të ngrohur një dhomë me kondicioner 9000 BTU gjatë sezonit të dimrit konsumon 1kw në orë dhe përgjatë një dite të ftohtë dimri, kondicioneri mbahet i ndezur përafërsisht rreth 10 orë x 30 ditë në muaj = 300 kw/ muaj. Një kilovat (kw) energji elektrike në Shqipëri për abonentin familjar kushton 9.5 lek (sipas tarifave dhe çmimeve në fuqi për vitin 2022, miratuar me vendim nr. 252, datë 21.12.2021) dhe për 300 kw energji elektrike të harxhuar një person i moshës së tretë duhet të paguajë 2,850 lek në muaj (25 euro). Vetëm për ngrohjen e një dhome të shtëpisë, një të moshuari i nevojitet  25 euro ose 30% e pensionit të tij, përveç parave të tjera për energjinë elektrike që përdoret për të ngrohur ujin, për gatim, larja dhe hekurosja e teshave etj. Për të përmbushur nevojat jetike të tyre, pensionistëve vetëm fatura e energjise elektrike do t’ju kushtojë 13-29% e shumës totale të pensionit të tyre, vlerë monetare që e bën të papërballueshmë faturën e energjisë elektrike nga 318 mijë të moshuar në Shqipëri. Sipas standardit të BE-së, nëse konsumi i energjisë për ngrohje kalon 10% të të ardhurave të një familje, atëherë ajo konsiderohet në kushtet e varfërisë energjitike.

Varfëria energjitike është gjendja në të cilën një familje nuk mund të sigurojë minimumin e duhur të nivelit të konsumit të energjisë, që të përballojë nevojat themelore jetësore dhe, kjo varfëri shkakton probleme me shëndetin fizik, emocional, mendor si dhe veçim shoqëror. Në vendet e Bashkimit Evropian termi “varfëri energjitike” njihet nga legjislacioni në fuqi dhe ka mekanizma të ndryshëm si nga organizmat shtetërore ashtu edhe operatorët shpërndarës dhe furnizues të energjisë elektrike, që  ndihmojnë familjet në kushtet e varfërisë energjitike.

Shqipëria është ndër të paktat vende që furnizohet me energji elektrike nga një operator i vetëm, ndersa vendet si Italia, Spanja, Sllovenia, Kroacia kanë mundësi zgjedhjeje ndërmjet operatorëve të energjisë elektrike dhe, nëse konsumatorët nuk mbeten të kenaqur nga shërbimi, apo nëse një kompani tjetër ofron kushte më të favorshme, atëherë familjarët mund të zgjidhin kontratën me operatorin egzistues dhe ta lidhin atë me një tjetër operator.

Gjithashtu ne rastet kur kryefamiljari apo familja nuk ka mundësi të paguaj energjinë elektrik, kompania nuk mund ta ndërpres furnizimin me energji, por vlera monetare e papaguar i akumolohet si borxh deri në momentin që do të kryhet pagesa.

Në Shqipëri është e nevojshme që qeveria të mbështesë diversifikimin e sektorit të energjisë dhe të ndihmojë financiarisht grupet vulnerabël për instalimin e paneleve fotovoltaike, të cilat do të reduktojnë faturën e energjisë dhe do të mbulojnë një pjesë të nevojave për këto familje duke siguruar shëndet më të mire dhe konfort. Termoizolimi në të gjitha ndërtesat sociale, do të ndihmojë shumë në kursimin e energjisë elektrike për ngrohjen dhe ftohjen e ndërtesave. Nevojë emergjente është liberalizimi i tregut të energjisë për familjarët, të cilët mund të zgjedhin kompaninë me të cilën duan të nënshkruajnë një kontratë shërbimi. Investimet në infrastrukture do të mbeten të izoluara nëse nuk I jepet vemendja e duhur ngritjes se kapaciteteve institucionale dhe kornizës energjitike ligjore mbi barazinë gjinore dhe përgjegjshmërinë sociale. Dhe së fundi, duhet bërë një studim i detajuar dhe i thelluar në të gjitha zonat urbane dhe rurale të vendit me synim vlerësimin e modeleve të integrimit gjinor dhe të varfërisë energjitike.

Këto fakte, shifra dhe argumente janë një alarm drejtuar institucioneve përgjegjëse dhe Kryeministrit të Shqipërisë: pensionistët kanë nevojë për ndihmën e shtetit, për të përballuar faturën e energjisë elektrike gjatë stinës së dimrit dhe verës. Ata meritojnë vëmendje dhe kujdes, duhen trajtuar me dinjitet, pasi kurrë nuk janë vlerësuar për kontributin e tyre të vyer! Pensionistët nuk e meritojnë fatin e mjerë të të ndjerës nga Fieri, po ashtu edhe ajo, aq më keq kur largimet e tyre të trishta kthehen material për rubrikat televizive.

 

Spread the love