Pajisja Aeroqual, pajisje e standardizuar dhe vlerësuar nga agjenci të rëndësishme ndërkombëtare që punojnë në fushën e mjedisit, ka ndihmuar ekspertë të Institutit të Zhvillimit të Habitatit (Co-Plan) dhe Organizatës Milieukontakt, për të matuar cilësinë e ajrit në disa zona të Tiranës, metropolin e të gjithëve, ku i gjen të gjitha.

Ekspertët prej një viti janë duke matur parametrat e PM 2.5, PM 10, NO2. Sipas matjeve të PM 2.5 në orët e para të mëngjesit rezultatet tregojnë:  tek kryqëzimi (rruga e “Elbasanit” me rr. “Stavro Vinjau”) 0,064 mg/m3, Rr. “Arben Broci” 0,029 mg/m3,  rr. “Skerdilajd Llagami” 0,038 mg/m3, rr. “Faik Konica” 0,038 mg/m3, rr. “Sami Frashëri” (përballë gjimnazit “Petronini”) 0,048 mg/m3, rr. “Sami Frashëri” (zona e bllokut) 0,029 mg/m3, Rr “Dibrës” (përballë shkollës “Servete Maçi”) 0,042 mg/m3, norma e lejuar sipas BE-së është 0,025 mg/m3.

Përsa i përket matjeve të PM 10 kanë rezultuar: rr. “Maliq Muço” 0,012 mg/m3, rr. “Dibrës” përballë shkollës “Servete Maçi” 0,089 mg/m3, kruqëzimi tek 9-katëshet 0,121 mg/m3, tek Selvia (kryqëzimi tek “Siri Kodra” me “Rruga e Barrikadave”) 0,089 mg/m3, rr. “Sami Frashëri” (zona e bllokut) 0,034 mg/m3, rr. “Sami Frashëri” (përballë shkollës Petro Nini Luarasi”) 0,038 mg/m3, kryqëzimi tek rr. “Elbasanit” me rr. “Stavro Vinjau” 0,105mg/m3, Rr. “Gjeneral Nikols” 0,078 mg/m3, Rr. “Mihal Grameno” 0,039 mg/m3, rr “Elbasanit (tek ish këndi i lojërave 7 xhuxhat) 0,085 mg/m3, rr. “Jani Kukuzeli” 0,097 mg/m3, rr. “Qemal Kuranjaku” 0,069 mg/m3, kur ndërkohë norma e lejuar sipas BE-së  është 0,04 mg/m3.

Në këto zona janë bërë matjet edhe për NO2, ku rezulton se në rrugën e Elbasanit parametrat e dioksidit të azotit janë 10 herë më të larta se norma e lejuar 0,04 mg/m3 nga BE. Shqetësuese janë vlerat e marra brenda lagjeve në këtë zonë, të cilat janë 3-4 herë më të larta se norma e lejuar.

Qyteti i Tiranës e ka monitoruar cilësinë e ajrit në mesin e viteve 1970. Monitorimi fillimisht është fokusuar te dyoksidi i squfurit dhe bloza, duke iu përgjigjur ligjit të atyre viteve për mbrojtjen e mjedisit.  Pas viteve 2000 monitorimi i cilësisë së ajrit ju përgjigj ndryshimeve të burimeve të  ndotjes, ku ishin industria, djegia e qymyrit dhe e druve, ku këta të fundit ja lanë vendin automjeteve.

Ndonëse ne kemi një Agjensi Kombëtare të Mjedisit, ku edhe mund t’i referohesh raporteve për gjendjen e mjedisit,  për vitin 2018 në raportin e përgatitur prej saj nuk gjejmë asnjë gjurmë të kapitullit “ajri dhe cilësia e tij” ndonëse në raportin e vitit 2017 ky kapitull ka qenë i pari në renditje tek “Raporti i gjendjes në mjedis”.

Sipas “Raporti i gjendjes në mjedis” për vitin 2017 të AKM-së “kemi tejkalim të normës vjetore të PM10 prej 56% në stacionin Tiranë BT, 30% stacioni Tirana AKM. Nga analizimi i vlerave për NO2 vërejmë se kemi tejkalim të normës orare që është 200 µg/m³ në stacionin Tirana BT më datën 17.02.2017 ora 15:00 ku vlera e monitoruar eshtë 328.77 µg/m³. Ndërsa vlerat mesatare vjetore të lejuara NO2 prej 40 µg/m³ tejkalohen në stacionet Tirana BT dhe Tirana Qendër përkatësisht me 49.32 µg/m³, 86.42 µg/m³.

Meqë AKM-ja nuk dsiponon asnjë vlerë të matjes së cilësisë së ajrit për vitin 2018, i drejtohemi aplikacionit Tirana ime, për të lexuar të dhënat e fundit mbi cilësinë e ajrit në qytet, por nga 4 stacione të vendosura, vetëm stacioni tek 21 dhjetori është funksional, ku të dhënat e fundit për parametrat e cilësisë së ajrit mund t’i shohësh në kohë reale. Të dhënat që janë regjistruar në datën 26 gusht, tregojnë se të gjithë parametrat janë brenda normave.

Për ndotjen e ajrit sipas specialistëve shkak është transporti rrugor, si një nga burimet më të mëdha të ndotjes, duke kontribuar në cilësi të dobët e ajrit, zhurmës, çrregullimet nga ndryshimet klimatike. Ndotësit e ajrit nga transporti përfshijnë oksidin e azotit, grimcat, monoksidin e karbonit dhe hidrokarbure. Të gjithë kanë një ndikim të dëmshëm në shëndetin e njerëzve, kafshëve dhe bimësisë në nivel lokal. Në qendrat e qyteteve dhe në ato rrugë ku kalojnë automjete, ndotja është edhe më e madhe. Ndërkohë oksidet e azotit  (NO2) tentojnë të sulmojnë gjethet e bimëve kryesisht të reja, si dhe procesi i fotosintezës zvogëlohet. NO2 është një ndotës që emetohet në atmosferë si rezultat i djegies së lëndës djegëse nga proceset industriale dhe sektori i transportit rrugor. Prania e tij  shkakton efekte të padëshiruara në shëndet, ky mund të dëmtojë mëlçinë, mushkritë, shpretkën dhe gjakun. Ashtu si SO2 dhe NO2 ndikon ne formimin e shiut acid dhe ne eutrofikimin e tokës dhe ujit.

Për të vepruar dhe marrë masat për përmirësimin e cilësisë së ajrit, fillimisht duhen disa vlera referuese, e duke analizuar ato ndër vite mund shkohet më pas në gjetjen e shkaqeve kryesore për cilësinë e ajrit, deri tek ndryshimet/shtesat e ligjeve. Para disa ditësh është zbardhur ndryshimi në LIGJIN NR. 7895, DATE 27.1.1995, ku neni Neni 201/a “Shkaktimi i fatkeqesive mjedisore” thotë: ‘Prishja e pakthyeshume e ekuilibrit natyror të një ekosistemi, për riparimin e dëmeve të të cilit kërkon ndërhyrje në vlera të konsiderueshme financiare dhe marrja e masave specifike nga shteti, prishja e qe ka sjellë pasoja te rënda për shëndetin e një mase të konsiderueshme të popullsisë, dënohen financiarisht apo me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet. Kush penalizohet në rastin konkret për cilësinë e ajrit në qytetin e Tiranës? Cilët janë shkaktarët kryesor të ndotjes të cilësisë së ajrit sipas institucioneve monitoruese?

Bujana Xhindoli, Milieukontakt Shqiperi

 

 

Spread the love