Shoqata “Vjosa Eksplorer” në bashkëpunim me Shoqatën “Milieukontakt” në kuadër të Programit Rajonal mbi Demokracinë Vendore në Ballkanin Perëndimor – ReLOaD që mbështetet financiarisht nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), kanë filluar zbatimin e projektit “Iniciativa për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm në Bashkinë Përmet”.

“Vjosa Explorer” e krijuar në fillimet e vitit 2018, nga një grup personash të apasionuar pas natyrës, nxitur nga dëshira për të mbrojtur mjedsin, vlerat dhe trashëgiminë historike, kulturore e të traditës së trevës si mundësi e rëndësishme dhe reale për zhvillimin e turizmit alternativ në Përmet.

Milieukontakt Shqipëri ka më shumë se 20 vite eksperiencë me organizatat e shoqërisë civile në fushën e mjedisit, natyrës dhe zhvillimit të qëndrueshëm si dhe me autoritetet vendore që mbulojnë këto çështje. Bashkia Përmet ka mundësi të mëdha për zhvillimin e  turizmit, pasi ka një pasuri të lartë resursesh natyrore, kulturore, historike dhe të traditës..

Zona e Përmetit dallohet për vlerat e saj historiko-kulturore, natyrore dhe ato gastronomike. Këto karakteristika të ndërthurura me njëra-tjetrën, përbëjnë një potencial të rëndësishëm për zhvillimin e sektorit turistik si një nga dy sektorët kryesorë, përfshirë edhe sektorin bujqësor, ku kjo zonë mund të zhvillohet ekonomikisht në mënyrë të qëndrueshme. Shfrytëzimi i potencialeve të zonës, me një vëmendje të veçantë kundrejt ruajtjes së natyrës dhe mjedisit si dhe tejçimin e vlerave historike, kulturore dhe ato të traditës drejton zonën drejt një zhvillimi të qëndrueshëm. Kjo qasje do të ndikojë në rritjen e cilësisë dhe sasisë së shërbimeve turistike e për rrjedhojë, rritjen e numrit të turistëve dhe vizitorëve vendas dhe të huaj.

Si rezultat i bashkëpunimit të suksesshëm mes dy organizatave do të mundësohet realizimi i këtij projekti, i cili synon zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në Bashkinë Përmet si një nga sektorët potencial për zhvillimin ekonomik, uljen e nivelit të papunësisë dhe rritjen e cilësisë së jetës së banorëve të kësaj treve. Gjatë projektit do të përmirësohet infrastruktura e informacionit turistik dhe promovimi i zonës nëpërmjet realizimit të hartave me informacionin e plotë të destinacioneve turistike në Bashkinë Përmet, vendosja e tabelave me informacionin turistik, realizimi në grafikë i Simbolit të Qytetit, realizimi i albumit “Pasaporta e Qytetit Përmet” broshura promovuse.

Gjithashtu në kuadër të projektit do të organizohen aktivitete për edukimin dhe ndërgjegjësimin e të rinjëve në ruajtjen e mjedisit dhe natyrës, si elementë të rëndësishëm të potencialit turistik e për zhvillimin e qëndrueshëm të zonës.

Spread the love