Në kuadër të projektit “Mushkëri të gjelbra për qytetet tona”, rrjeti i monitorimit të cilësisë së ajrit, kryesuar nga Co-Plan, Instituti për Zhvillimin e Habitatit dhe organizata partnere Milieukontakt Shqipëri, kanë realizuar matje të treguesve të cilësisë së ajrit, përgjatë muajve tetor-dhjetor 2018.

Metodologjia është ndërtuar duke marrë parasysh afërsinë e institucioneve arsimore dhe burimet e ndotjes me sektorët që kanë shkarkimet më të mëdha të ndotësve, si PM2.5, PM 10 CO, CO2, SO2, NO2, O3 dhe VoC), si transporti, industria, zhvillimi urban, të cilët ndikojnë në shëndet, ekosistem dhe dëme materiale.

Katër institucionet arsimore të përzgjedhura në qendër të Tiranës kanë një numër të lartë studentësh, ndërkohë që edhe zona përreth tyre ka densitet të lartë godinash rezidenciale dhe biznesi.

Për matjen e treguesve është përdorur pajisja me bazë sensori të quajtur Aeroqual Series 500. Pajisja mbledh informacion në kohë reale për ajrin përreth, si dhe është një zgjidhje alternative e monitorimit të cilësisë së ajrit. Në pajisje mund të konfigurohen 27 sensorë të ndryshëm të gazit dhe sensorë të grimcave për një sërë përdorimesh për monitorimin e cilësisë së ajrit. (PM2.5, PM 10 CO, CO2, SO2, NO2, O3 dhe VoC).

Monitorimi është realizuar 4 ditë në javë, paradite rreth orës 10:00-11:00 dhe pasdite në orarin 18:00 dhe 19:00, rreth 30 minuta në çdo pikë.

Të dhënat e përftuara nga monitorimi alternativ do të shërbejnë për të informuar qytetarët, por edhe institucionet përgjegjëse për cilësinë e ajrit që thithim.

Nr.1 Monitorimi i cilësisë së ajrit
Data

4.10.2018

Institucioni Kohëzgjatja e monitorimit Parametri i monitoruar Rezultati
1 Kopshti 101 Dalmatët 10 minuta PM10 0.044mg/m³
2 Gjimnazi Sami Frashëri 10 minuta PM10 0.064mg/m³
3 Shkolla 9-vjeçare J. De Rada 10 minuta PM10 0.067mg/m³
4 Fakulteti Shkencat e Natyrës 10 minuta PM10 0.074mg/m³
Standardi i BE-së 0.04 mg/m³
Standardi shqiptar 0.04 mg/m³
Standardi i OBSH-së 0.02 mg/m³

Bazuar në matjet e kryera dhe nga analiza e rezultateve mbi cilësinë e ajrit është vërejtur dhe regjistruar tejkalim i vlerave kufitare ditore sipas standardit evropian sa i takon grimcave të ngurta me diametër 10 mikormeter (PM10) në të gjitha pikat e monitoruara.

Më problematike paraqitet zona pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, ku tejkalohen me 2 herë normat e Bashkimit Evropian, dhe ato të standardit shqiptar, i cili duhet thënë se është tepër i lartë krahasuar me të BE-së. Ky indikator sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë është rreziku me i madh shëndetësor për zonat e urbanizuara, pasi këto lloj grimcash depërtojnë në pjesën e poshtme të mushkërive dhe rrisin rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare dhe problemeve me frymëmarjen, gjithashtu shkakton kancer në mushkri.

Cilësia e ajrit pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe Gjimnazit Sami Frashëri regjistron parametra me vlera më të larta, prej 0.047mg/m³ dhe 0.049mg/m³, se standardi i BE-së.

Standardi i BE-së për grimcën e ngurtë me diametër 2.5μ është 0.025mg/m3.

Pluhurat janë një nga ndotësit e ajrit që shkaktojnë probleme serioze në shëndetin e njeriut. Ndotja nga PM10 dhe PM2.5 sipas OBSH-së është rreziku më i madh shëndetësor në ditët e sotme për ajrin urban, pasi grimcat me përmasa nën 10 mikron dhe 2.5 mikron mund të depërtojnë deri në mushkëritë e njeriut. Shkaktarët ndotës janë kryesisht shkarkimet e automjeteve, ndërtimi dhe infrastruktura në ndërtim që ndikojnë në rritjen e PM2.5.

Nr.2 Monitorimi i cilësisë së ajrit
Data

4.10.2018

Institucioni Kohëzgjatja e monitorimit Parametri i monitoruar Rezultati
1 Kopshti 101 Dalmatët 10 minuta PM2.5 0.039mg/m³
2 Gjimnazi Sami Frashëri 10 minuta PM2.5 0.042mg/m³
3 Shkolla 9-vjeçare J. De Rada 10 minuta PM2.5 0.049mg/m³
4 Fakulteti Shkencat e Natyrës 10 minuta PM2.5 0.047mg/m³
Standardi i BE-së 0.025 mg/m³
Standardi shqiptar 0.25 mg/m³
Standardi i OBSH-së 0.01 mg/m³

Për sa i përket matjes së VOC-ve (përbërjeve organike volatile) problematikë kanë rezultuar të katër institucionet arsimore, ku niveli i ndotjes ka qenë gati tri herë mbi normat (kujtojmë se standardi është 0.500mg/m3) edhe gjatë orëve të pasdites.

Nr.3 Monitorimi i cilësisë së ajrit
Data

3.12.2018

Institucioni Kohëzgjatja e monitorimit Parametri i monitoruar Rezultati
1 Kopshti 101 Dalmatët 10 minuta VOC 2.1 mg/m³
2 Gjimnazi Sami Frashëri 10 minuta VOC 1.2 mg/m³
3 Shkolla 9-vjeçare J. De Rada 10 minuta VOC 1.8 mg/m³
4 Fakulteti Shkencat e Natyrës 10 minuta VOC 1.3 mg/m³
Standardi i BE-së 0.5 mg/m³
Standardi shqiptar 0.5 mg/m³
Standardi i OBSH-së 0.5 mg/m³

 

Referuar të dhënave të mësipërme shohim që në dy institucionet publike, Shkolla 9-vjeçare J. De Rada dhe Fakulteti i Shkencave të Natyrës, normat e Bashkimit Evropian janë kaluar me tre herë. Kjo tregon një ndër shkaqet e ndotjes vjen nga automjetet motorike për shkak të djegies të papërpunuar të karburantit. Duhet të theksojmë se këto dy institucione ndodhen shumë pranë rrugëve kryesore dhe nuk kanë brez të gjelbër pemësh apo shkurresh për të minimizuar apo kapur ndotësit.

Nr.3 Monitorimi i cilësisë së ajrit
Data Institucioni Kohëzgjatja e monitorimit Parametri i monitoruar Rezultati
1 Kopshti 101 Dalmatët 10 minuta NO2 0.113 mg/m³
2 Gjimnazi Sami Frashëri 10 minuta NO2 0.097 mg/m³
3 Shkolla 9-vjeçare J. De Rada 10 minuta NO2 0.099 mg/m³
4 Fakulteti Shkencat e Natyrës 10 minuta NO2 0.065 mg/m³
Standardi i BE-së 0.040 mg/m³
Standardi shqiptar 0.040 mg/m³
Standardi i OBSH-së 0.040 mg/m³

 

Të gjitha pikat e monitoruara janë mbi normat e lejuara të Standartit Shqiptar, BE-së dhe OBSH-së. Burimi kryesor i dioksidit të azotit në mjediset urbane është djegia e lëndëve fosile dhe banorët në zonat me rrugë me densitet të lartë ndërtimi dhe shumë të populluara pranë qyteteve janë në rrezik nga ekspozimi i tepërt. Në zonat urbane kjo zakonisht lidhet me shkarkimet e automjeteve.

Si përfundim, mund të themi se monitorimi i cilësisë së ajrit të realizuar pranë këtyre 4 institucioneve, në qendër të qytetit të Tiranës ka dhënë rezultate jo të kënaqshme për sa i përket cilësisë së ajrit. Ndikimi është edhe më i madh kur bëhet fjalë për institucione arsimore, nxënësit e të cilëve preken direkt nga ndotja e ajrit. Ekspertët e fushës dhe monitoruesit i rekomandojnë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe Bashkisë së Tiranës të kthejnë vëmendjen nga institucionet arsimore, dhe të marrin masa te menjëhershme për mbrojtjen nga ndotja e ajrit duke:

     Reduktuar trafikun në këto zona duke nxitur përdorimin e biçikletave,

    Vendosur sinjalistikë për shpejtësi të kufizuar dhe duke nxitur përmirësimin e përdorimin e transportit publik,

   Rritur sipërfaqet e gjelbra, perrreth oborrit dhe në shkollat ku nuk ka hapësira të mjaftueshme duhet investuar në projekte për tarracat e gjelbërta të cilat do të ndikonin në përmirësimin e cilësisë së ajrit në zonë.

     Kontrolli i cilësisë së lëndëve djegëse sipas standardit te BE-së për të cilën është përgjegjëse Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

 

 Përgatiti: Co-PLAN dhe Milieukontakt 2019 

 

 

 

Spread the love