Qyteti bregdetar i Vlorës dhe Himarës janë të ekspozuara ndaj zhurmave, kryesisht përgjatë sezonit turistik. Përgjatë muajve mars-prill rreth njëqind qytetarë, përfaqësues të shoqërisë civile, bizneseve dhe institucioneve shtetërore janë trajnuar rreth “Legjislaciont të ndotjes akustike”. Trajnimi do të shërbejë si një mjet fuqizimi për ta; në përdorimin e instrumentave alternativ mbi nivelet e zhurmave, format sesi mund të advokojnë tek institucionet vendor për administrimin e zhurmave në bashkitë përkatëse.

Metodologjia e përdorur përgjatë katër trajnimeve ishte e formatit filmik dhe skematik, pasi treguesit e ndotjes akustike janë teknik, shpesh jo shumë të kuptueshëm nga komuniteti dhe bizneset. Trajnimi kishte si qëllim kryesor rritjen e perceptimit të pjesëmarrësve për konceptin e zhurmës akustike, format dhe mënyrat për monitorimin e saj, pasqyrimin dhe institucionet që mund t’ju adresohen rezultatet e përftuara.

Pjesmarrësit në katër ditët e trajnimit ndoqën me mjaft interes: Legjislacioni Shqiptar mbi ndotjen akustike; institucionet përgjegjëse për monitorimin e ndotjes akustike; shembuj krahasues me situatën në vend dhe vende të tjera në Bashkimin Evropian; ndotja akustike dhe planifikimi i territorit; plani i veprimit i realizuar nga bashkia më e madhe në vend për ndotjen akustike. Aktorë të të dy bashkive panë mjaft me interes trajnimin, pasi ‘ndotja akustike’ për banorët është ende një term i panjohur dhe nga drejtuesit e institucioneve të linjës është e pa vlerësuar si në zbatim e ligjit ashtu edhe masat që duhet të merren për zbutjen e tyre.

Niko Dumani, ekspert mjedisor thekson se: “gjatë verës, ndotja nga zhurmat ndihet nga të gjithë banorët por, pa një monitorim shkencor ne s’jemi në gjendje të vlerësojmë nivelin e dëmit që ka sjellë ajo për banorët e Vlorës dhe as të denoncojmë moszbatimin e Ligjit ndaj zhurmave”. Numri i qytetarëve në këtë qytet është tre herë më i lartë gjatë sezonit turistike, që fillon çdo vit në muajin maj dhe përfundon në shtator. “Kjo është periudhë e cila kërkon një informacion të shtuar e të detajuar, si për Vlorën dhe Himarën”, përmend Simo Ribaj.

Ndotja akustike nga mediat lokale apo ato kombëtare është trajtuar shumë pak, ose aspak. Funksioni i medias është informues e ndërgjegjësues, por njëkohësisht është edhe një “zile alarmi” për vendimmarrësit për zbatimin e ligjit dhe monitorimin e zhurmave. Pjesëmarrësit në trajnim u inkurajuan që të instalojnë në telefonat e tyre celular programin ‘noise monitoring’ (monitorimi i  zhurmave) për matjen permanente të nivelit të zhurmave në qytetet e tyre, duke bërë më pas krahasimin e vlerave para dhe gjatë sezonit turistik.

Projekti do të vazhdojë edhe gjatë muajve të verës me aktivitete ndërgjegjësuesen dhe me matje alternative të cilat do të realizohen ne zonat më problematike përsa i përket zhurmave në bashkinë Vlorë dhe Himrë.

Artikulli  u përgatit nga Milieukontakt në kuadër të projektit “Monitorimi i ndotjes akustike në zonat bregdetare”,  me mbështetjen financiare të Leviz Albania , një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC.

 

Spread the love