Mëngjesi i 18 nëntorit na gjeti pranë liqenit të Paskuqanit në “Atelie mjedisore 2022”, e realizuar me materiale të riciklueshme prej nxënësve të shkollës 9-vjeçare “Jashar Hoxha” dhe asaj së mesme “Gramoz Palushi”. Punimet e nxënësve ishin të larmishme, duke filluar me një maket, ku tregohet ndotja e madhe që gjenerohet nga fabrikat apo shtëpitë e banorëve që jetojnë në banesa të ndërtuara pa rregull pranë njëra-tjetrës, një kënd lojrash ku janë vendosur kosha për ndarjen e mbetjeve në burim; për të nënvizuar rëndësinë e ndarjes e menaxhimit të mbetjeve dhe mbajtjes pastër të mjedisit. Punime të ndryshme me materiale të riciklueshme, kanë përçuar qartë mesazhin e ekonomisë qarkulluese, ku ndër punimet e shumta, gjashtë prej tyre u vlerësuan nga juria e përbërë prej përfaqësuesëve të Bashkisë Kamëz dhe mësueses të shkollave.
Çmimet motivues shërbyen për të shpërblyer punën e nxënësve si dhe për t’i motivuar që nisma e tyre të vazhdojë edhe në të ardhmen. Të gjithë nxënësit pjesëmarrës janë vlerësuar me çertifikata, për pjësmarrjen e tyre aktive dhe krijuese përgjatë të gjithë akiviteteve të zhvilluar me shkollat e tyre. Atelie u vizitua nga kryetari i bashkisë Kamëz Z. Rakip Suli dhe përfaqësues të UNDP-së në Shqipëri. Kryetari i bashkisë falenderoi nxënësit për punimet dhe mesazhet sensibilizuese që përçuan tek banorët e Kamzës. Drejtuesja e Milieukontakt Shqipëri Zj. Valbona Mazreku, e pranishme në aktivitet theksoi domosdoshmërinë për t’u kujdesur për mjedisin, duke ndihmuar në shtimin e hapësirave të gjelbërta.
Projekte të tilla me rezultate të prekshme janë një vlerë e shtuar për komunitetin, i cili duhet të angazhohet në mbrojtjen e mjedisit për një ardhmëri më të mirë. Zj. Mazreku përmendi gjithashtu edhe bashkëpunimin e sukseshëm që Milieukontakt ka pasur me bashkinë Kamëz në zbatimin e projektit dhe arritjen e rezultateve të pritura. Pas përfundimit të ateliesë, të pranishmit në kuadër të projektit “Mjedis i pastër, shëndet dhe edukim cilësor në shkollat e Paskuqanit” i cili zbatohet në kuadër të programit ReLOaD2, vazhduan me aksionin e mbjelljes së 92 pemëve të llojit bli dhe lis pranë liqenit të Paskuqanit. Punonjësit e Bashkisë ishin kujdesur paraprakisht për hapjen e gropave.
Nëntori dhe dhjetori janë muajt e mbjelljeve të reja, ndaj çdo pemë që mbillet ndihmon në pastrimin e ajrit dhe ruajtjes së tokës. Pranë liqenit, Bashkia e Kamzës ka filluar ndërtimin e pedonales, vepër e cila do t’ju vijë në shërbim si këmbësorëve ashtu edhe përdoruesve të biçikletave. Prej kohësh në zonë është punuar për gjelbërimin dhe pastrimin përreth liqenit. Në të ardhmen e afërt liqeni do të marrë një rëndësi të veçantë, pasi në drejtim të tij do të shkojë zgjatimi i bulevardit qendror të kryeqytetit dhe parku i liqenit të Paskuqanit do të shërbejë si vend pushues e argëtues për banorët e zonës dhe qytetarët e Tiranës.
Ky aktivitet, i cili mund të thuhet se është përmbyllja e projektit të zbatuar në Njësinë Administrative Paskuqan, Bashkia Kamëz. Projekti ka ndihmuar dhe lehtësuar në informimin, edukimin dhe angazhimin e nxënësve për një mjedisi të pastër dhe të shëndetshëm, që garanton cilësi të mirë jete dhe brenda standardeve të nevojshme.
Arion Sauku, Milieukontakt Shqipëri