A është i pijshëm uji në Tiranë? Të huajve i ndalohet, ndërsa nëse je shqipitarë të rekomandohet. Pak njerëz në Tiranë pijnë ujë direkt nga rubineti, pasi  shumica e tyre i besojnë ujit në shishe, biznes shumë fitimprurës; dhe kjo një çështje më vete diskutimi për cilësisnë e ujit që ofron. Autoriteti që kontrollon ujin në Tiranë është pikërisht UKT-ja dhe institucionet simotra respektive në çdo qytet të Shqipërisë.

Përfaqësues të UKT-së Tiranë, në deklarata e tyre pranojnë se cilësia e ujit të pijshëm që shpërndahet nga rrjeti operator është në përputhje me të gjitha standartet ligjore dhe ato shëndetsore. Si i tillë ai mund të konsumohet normalisht nga të gjithë. Por, të huajt që vijnë në Shqipëri tashmë e dinë fare mirë se cilësia e ujit të pijshëm s’është e standarteve të kërkuara, vjen me orare të reduktuara si dhe sistemi i shpërndarjes së tij është tejet i amortizuar.

Qendra Botërore për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve rekomandon vaksinimin për të huajt që udhëtojnë drejt vendit tonë, sepse mund të infektohen me Hepatin A, përmes ujit dhe ushqimit të ndotur në Shqipëri, pavarësisht se në cilin qytet  ata qëndrojnë. Sipas Bankës Botërore: “Uji i pijshëm dhe infrastruktura shpërndarëse në Shqipëri është tejet e vjetëruar, e dëmtuar dhe joefikase. Rrjedhjet në rrjet janë të konsiderueshme dhe rreziku për shëndetin e popullsisë është i madh”. Ndërkohë UKT-ja pranon se: “konsumatorët duhet të kenë parasysh që ujësjellësi mban përgjegjësi për cilësinë e ujit në të gjithë rrjetin e shpërndarjes deri në pikat e lidhjes”. Vetë qytetarët, apo administratorët e pallateve duhet të jenë të vetëdijshëm që mirëmbajtja dhe pastrimi i rrjetit të brendshëm të shtëpive dhe depozitave personale është përgjegjësi e tyre.

Sipas UKT-së, cilësia e ujit të rubinetit, monitorohet nga ana e UKT-së, çdo ditë në 16 pika të shpërndara në të gjithë territorin e Tiranës. Ky monitorim kryhet për pesë parametra kimikë dhe tre parametra bakteriologjik, të cilët janë dhe treguesit cilësor të ujit të pijshëm. Gjithashtu monitorohen çdo ditë 23 pika, për klorin mbetës, i cili shërben si dezinfektant dhe nuk lejon kontaminimin e ujit gjatë shpërndarjes në rrjet. Kontrolle të vazhdueshme ushtrohen dhe në depot e ujit në qytet si dhe në stacionet e pompimit për parametrat kimike dhe bakteriologjike. Nga ana tjetër, Inspektoriati Sanitar Shtetëror (ISSH) kryen monitorim dhe kontroll në 31 pika të qytetit në depot, vaskat e grumbullimit të stacioneve të pompave dhe në rezervuarët e shpërndarjes së ujit. Gjithashtu nga ujësjellesi analizohen edhe kampionet e ujit të sjella nga qytetarët në çdo rast ankimimi. Zonat e shërbimit të operatorit UKT sh.a. janë Bashkitë Tiranë, Kamëz, Vorë. Zonat Prezë, Farkë, Petrelë, Krrabë, Dajt, Bërzullë, Baldushk, Vaqarr, Zall-Herr, Pezë, Kashar, Ndroq, Paskuqan. Shërbimet e operatorit janë: shpërndarja e ujit të pijshëm; instalimin e matësve; instalimin e pikëlidhjes me rrjetin; azhornimin e rrjetit; largimin e ujërave të ndotura; shitjen e ujit në bote; furnizimin me ujë të HEC Lanabregas.

Konsumatorët e ujit të pijshëm në Tiranë paguajnë aktualisht 45 lekë për metër kub ujë. Por kjo vetëm për shërbimin që u ofrohet nga ujësjellës kanalizimet, pasi shpenzimet e një familje për furnizimin me ujë përllogariten të jenë rreth 4 148 lekë në muaj. Kjo merret në konsideratë edhe në raportin e Entit Rregullator të ujit, dorëzuar në Parlament në vitin 2016, i cili i referohet  të dhënave të INSTAT. Në raport thuhet se konsumatorët janë të detyruar të paguajnë për shërbimet e furnizimit me ujë dhe kanalizimeve. Në raport nuk përmendet kostoja shtesë si blerja e depozitave dhe pompave individuale, shpenzimet e energjisë elektrike nga pompat, blerja e ujit për pirje me shishe etj., të cilat në vit kapin vlerën 10.000-20.000 lekë.

Ndërkohë, me propozimin e Bashkisë së Tiranës për rritjen e çmimit me 20 lekë pretendohet se ndonëse do të rritet çmimi i ujit, shpenzimet mujore do të ulen nga 4148 lekë në 936 lekë. Pra, katër herë më pak, pasi do të ketë ujë 24 orë në rubinetin e çezmës dhe nuk do të duhet depozitë apo shpenzime të tjera. Që prej marrjes së detyrave në Bashkinë e Tiranës, në vitin 2015 titullarët u zotuan për heqjen e faturave afrofe, zona e Freskut, komuna Dajt apo edhe zona të tjera të Tiranës vazhdojnë të aplikojnë faturime afrove.

Pra më shumë se dy vjet në detyrë dhe me gjithë zotimin e heqjes së faturave afrove, vazhdohet të proçedohet sërisht me to. Me rritjen e çmimit të ujit kush i siguron qytetarët e Tiranës për 24 orë ujë në ditë ashtu edhe siç pretendohet nga ana e Bashkisë Tiranë? Në planin e biznesit të Bashkisë së Tiranës  parashikohet që 145 milionë euro të investohen për shtimin e burimeve të ujit, përpunimin dhe filtrimin e ujit, sistemin e transmetimit dhe kanalizime. Nga kjo bashki jepen vetem ndërhyrjet me vlerat përkatëse, por asnjë informacion se nga do të dalin gjithë këto para. Investime të tilla janë të rëndësishme për sasinë dhe cilësisnë e ujit të pijshëm në qytetin e Tiranës, por mbetet për t’u parë se kur do të realizohen këto investime dhe në cilën masë.

.

Qytetarët paguajnë: kanë paguar për sistemin e marrjes së ujit nga rrjeti i ujësjellësit duke vendosur pompa kolektive apo personale, paguajnë për mirëmbajtjen e këtyre pompave, paguajnë energjinë elektrike. Me nismën e Bashkisë së Tiranës kur uji të vijë 24 orë në ditë të gjitha depozitat e vendosura do të shmontohen, ku sërisht do të ketë kosto më vete. Për të mos folur për ndërtimet e reja, të cilat kur kanë realizuar projektet e ndërtimit të pallateve, kanë bërë një lidhje të vetme me rrjetin e ujësjellësit dhe kjo lidhje e dërgon ujin në depozitat e vendosura në katet e para të pallateve. Nëse vërtet do të ketë ujë 24 orë, qytetarët duhet të paguajnë për lidhjen direkte me rrjetin e ujësjellësit, matësit të konsumit si edhe çmimin e ri të ujit.

Konsumatori gjithmonë ka të drejtë: në rastin e rritjes së çmimit të ujit do të ishte më shumë e pranueshme që të kryheshin më parë investimet; më pas për cilësinë dhe sasinë e ujit që do të ofronte rrjeti UKT, Bashkia e Tiranës të rriste çmimin e ujit.

Në vitin aktual UKT-ja faturon vetëm 20% të ujit që shet. Ndërkohë çmimi i ujit nga 20 l/m3 që ka qenë në vitin 2000, shkon në 65 l/m3 në vitin 2017. Me rritjet e herë pas hershme përgjatë 17 viteve  sistemi i shpërndarjes së ujit të pijshëm vazhdon të jetë i amortizuar, me humbje të konsiderueshme në shpërndaje, ndotje etj. Le të shpresojmë se me rritjen e fundit prej 20 lekësh, pas 5 vitesh do të kemi luksin me furnizim 24 orësh të ujit të pijshëm dhe sipas standarteve.

 

Spread the love