Rezultatet konkrete janë tregues real, të cilët ndihmojnë shoqërinë civile për të lobuar dhe shtuar punën në mbrojtjen dhe ruajtjen e mjedisit, si dhe shërbejnë gjithashtu si nxitës për qeverinë qendrore dhe atë vendore, në mbështetje të politikave e vendimeve për zhvillimin e qendrueshëm, duke përmirësuar infrastrukturën dhe logjistikën e shërbimeve jetësore të qytetarëve të shtetit të tyre.

Organizata Milieukontakt, në parteneritet më CESVI, AJMMI dhe Klubi Ekologjik Krujë, përgjatë një viti ka monitoruar shërbimin e pastrimit të mbetjeve urbane në tre qytete turistike të Shqipërisë, në Krujë, Përmet dhe Sarandë. Përveç të dhënave të gjeneruara nga monitorimi i shërbimit në tre qytete, të dhëna të rëndësishme kanë sjellë edhe 1200 pyetësorët e realizuar tek qytetatarët dhe 300 pyetsorët e realizuar me bizneset. Është punuar gjithashtu me komunitetin, duke e ftuar atë në aksionet e pastrimit të mbetjeve urbane. Zona afër kalasë në Krujë, fshati Gjashtë në Sarandë, “Lagja e Re” dhe “Mejden” në Përmet janë pastruar nga nxënës dhe mësues shkollash, bashkitë dhe komunitetet e qyteteve.

Për të sjellë më të plotë situatën e menaxhimit të mbetjeve, ekspertët e organizatës Milieukontakt kanë realizuar një analizë financiare të buxhetit të të tre bashkive si dhe të ardhurave financiare që mblidhen nga taksat e shërbimit. Sipas raportit “Analiza e menaxhimit të mbetjeve të ngurta bashkia Krujë” rezulton se ky qytet ka vite që nuk ka një plan a metodologji të përcaktuar për llogaritjen e kostos së shërbimit. Edhe sot bashkia i referohet normave të gjenerimit të PKMM së vitit 2011, me 0.6 kg/banorë në zonat urbane dhe 0.4 kg/banorë për zonat rurale. Po sipas raportit gjendja aktuale e pika të grumbullimit të mbetjeve paraqitet jo e mirë, pasi ka mungesë të theksuar të kontenierëve, dëmtime dhe higjenë të mangët të tyre. Ndonëse Kruja ka tre venddepozitime për hedhjen e mbeturinave, asnjë prej tyre nuk menaxhohet, duke u kthyer kështu në vatra gazi helmues për banorët e zonave përrreth. Asnjë masë e marrë nuk evidentohet për përmirësimin e tyre, ndonëse Inspektoriati i Mjedisit ka operuar me gjoba të herëpashershme.

Nga analiza ekonomike-fianaciare për këtë bashki rezulton se tarifa e mbledhur për shërbimin e pastrimit e mbulon koston e këtij shërbimi vetëm në masën 32.5%, ndërkohë kjo tarifë mblidhet afërsisht në masën 90%. Për të patur më shumë arkëtime nga tarifa e shërbimit të pastrimit ekspertët e raportit rekomandojnë për një tjetër mënyrë faturimi e jo siç ka ndodhur deri tani, duke e vendosur këtë tarifë së bashku me taksat e tjera vendore. Indikatorët, sipas ekspertëve, tregojnë se kjo bashki nuk arrin të mbulojë gjthë territorin e saj me shërbimin e pastrimit, cilësia e tij është mesatare, nuk ka iniciativa për riciklimin e mbetjeve si dhe tarifa e paguar nuk mbulon koston e shërbimit.

Saranda, ashtu si edhe Kruja ende nuk ka një Plan Vendor të Menaxhimit të Mbetjeve të Ngurta. Sipas burimeve të bashkisë shërbimi i largimit të mbeturinave realizohet në masën 100%, ndonëse nga monitorimi i lokalëve janë disa zona të pambuluara nga ky shërbim. Cilësia e shërbimit në qytetin bregdetar s’është e kënaqshmë përgjatë stinës së verës, pasi fluksi i turistëve shton njëkohësisht edhe fluksin e mbeturinave. Shërbimi i pastrimit kryhet nga një kompani private e kontraktuar nga bashkia. Ndonëse firma e pastrimit faturon për shërbimin e larjeve të rrugëve, ky shërbim nuk kryhet rregullisht, sipas informacionit të ofruar nga monitoruesit lokal dhe qytetarëve të Sarandës. Landfilli, zyrtartarisht ndodhet në fshatin Bajkaj, por sërisht vazhdojnë të hidhen mbetje inerte në ish landfillin, në zonën e quajtur Volloder (landfill i cili ka operuar përgjatë viteve 1995-2015). Ashtu si edhe në Krujë, në qytetin e Sarandës nuk kryhet riciklimi apo ndarja e mbetjeve që në burim, përpjekje sporadike janë bërë nga firma private që ofron shërbimin e pastrimit. Ndonëse firma e pastrimit ka një kontratë shërbimi, me zëra të përcaktuar për punën e kryer, ekspertët e analizës ekonomike-financiare kanë evidentuar paqartësi apo dublime të emërtesave të shërbimeve, sipërfaqe të paqarta për shërbimin e fshirjeve dhe larje, të pashoqëruar më një hartë orientuese, si për punonjësit e bashkisë apo ekspertët e fushës. Bashkia Sarandë është penalizuar nga Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave (kujtojmë dënimin administrativ, me Vendimin nr.05 datë 12.08.2018,me gjobë në vlerën 1.000.000 lekë për Bashkinë Sarandë, për shkelje të ligjit nr.10463 datë 22.09.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”). Tarifa e shërbimit të pastrimit, e cila mblidhet në masën 100%, mbulon tërësisht koston e pastrimit të mbeturinave, përpunimin dhe dërgimin në ladfill. Të dhënat janë gjeneruar nga financatvendore.al, pasi vetë bashkia në faqen e saj zyrtare nuk ka asnjë të dhënë. Sipas monitoruesve lokal të AJMMI-t, përgjatë monitorimit është evidentuar shtim i sasisë së mbetjeve përgjatë sezonit turistik, kontenierë të parregullt (mungesë rrotash dhe kapakësh) mungesë dezinfektimi pranë kazanëve si dhe larje e mangët, duke mos respektuar kontratën me bashkinë Sarandë nga ana e firmës së pastrimit.

Ndërkohë nga monitorimi i aktivistëve lokal të CESVI-t në Përmet, rezulton se shërbimi i pastrimit është i cunguar edhe në këtë bashki. Ai ofrohet prej saj në masën 65%. Ashtu si edhe dy bashkitë për sa më sipër, bashkia Përmet nuk ka një Plan Vendor të Menaxhimit të Mbetjeve të Ngurta. Vetë bashkia mbulon shërbimin e largimit të mbetjeve në territorin e qytetit, si dhe të 7 fshatrave përreth. Ndërkohë mbeten jashtë këtij shërbimi rreth 45 fshatra. Infrastruktura dhe mjetet e amortizuara sipas përfaqësuesve të kësaj bashkie bëjnë që shërbimi të jetë i cunguar dhe pacilësi. Si shumë qytetet të tjerë edhe në Përmet nuk kryhet ndarja e mbetjeve që në burim apo riciklimi i tyre. Venddepozitimet e mbetjeve janë gjithashtu jashë standardeve, shumë pranë lumenjve dhe pa leje mjedisore. Në ndryshim nga dy bashkitë e mësipërme, bashkia Përmet ka qenë mjaft e hapur dhe bashkëpunuese për të dhënë informacion përsa i përket buxhetit dhe shpenzimeve për pastrimin e mbetjeve. Ekspertët e studimit kanë konstatuar se tarifa e shërbimit të pastrimit është shumë e ulët, ndonëse paguhet, ajo sërisht nuk mbulon koston e pastrimit dhe largimit të mbetjeve urbane. Ky konstatim i ekspertëve duhet të orientojë bashkinë për të rishikuar tarifën e pastrimit, pasi tarifa ka vite që nuk ka ndryshuar.

Me anë të këtij studimi, tre bashkitë duke i’u referuar konstatimeve dhe rekomandimeve në raport do të përmirësojnë gjendjen aktuale të shërbimit të pastrimit në territoret e tyre, duke ndërgjegjësuar njëkohësisht qytetarët për mbajtjen pastër të qytetit në të cilin jetojnë. Organizata Mileukontakt Shqipëri së bashku më organizatat partnere CESVI Përmet, Klubi Ekologjik Krujë dhe AJMMI Sarandë përmes mbështetjes së dhënë nga LevizAlbania në kuadër të Thirrjes Nr.4, pas realizimit me sukses të të gjithë aktiviteteve të parashikuara, kane adresuar dhe rekomandime në ndihmë të bashkive të të tre qyteteve për përmirësimin e shërbimit të pastrimit të mbetjeve urbane.

 

Bujana Xhindoli

Milieukontakt Shqipëri

Spread the love