Gjatë periudhës së zbatimit të projektit “Iniciativa për Zhvillimin e Turizmit të Qëndrueshëm në Bashkinë Përmet” janë realizuar një seri aktivitetesh, që kanë për qëllim përmirësimin e infrastrukturës dhe informacionit turistik, promovimin e territorit dhe rritjen e vizibilitetit të asaj pjese të komunitetit, që është e angazhuar në veprimtari, të cilat lidhen me turizmin. Nga ana tjetër të edukojë, ndërgjegjësojë dhe të trajnojë të rinjtë e zonës në ruajtjen e mjedisit dhe natyrës, si elementë të rëndësishëm të potencialit turistik të zonës.

Disa nga aktivitetet më të rëndësishme kanë qenë:

Realizimi dhe vendosja e tabelave me informacionin turistik, të cilat kanë një informacion të zgjeruar mbi destinacionin që mund t’i referohet historisë, kulturës, traditës apo të dhëna mbi monumentet natyrore. Tabelat janë të ndërtuara me material cilësor dhe rezistent ndaj kushteve atmosferike dhe u vendosën në 10 atraksione të përzgjedhura brenda territorit të Bashkisë Përmet.

Realizimi i simbolit në grafikë “Çelësi i Qytetit”, në Bashkinë Përmet mungonte një element simbolik, i cili do të shpreh identitetin dhe elementët identifikues të saj. Ky symbol, mjaft mirë mund të shërbejë si një dhuratë për personalitete të ndryshme që vizitojnë zyrtarisht Bashkinë Përmet, gjithashtu edhe si një souvenir për turistë dhe vizitorë të ndryshëm mund ta gjejnë në dyqane dhe pika të tjera shitjeje, si një kujtim nga kjo trevë.

 

Realizimi i albumit “Pasaporta e Qytetit Përmet”, pasi treva e Përmetit dallohet për një larmishmëri të lartë atraksionesh si ato natyrore, kulturore, historike, tradicionale dhe të gastronomisë, ndërthurja e të cilave e bën këtë zonë mjaft tërheqëse për vizitorët dhe turistët. Për të evidentuar më mirë këto vlera të zonës, ka lindur nevoja e një promovimi më të mirë të tyre, duke krijuar albumin “Pasaporta e Qytetit Përmet”. Për realizimin e tij është angazhuar një fotograf profesionist i cili bëri të mundur realizimin e albumit fotografik duke evidentuar dhe ndërthurur bashkë, vlerat dhe atraksionet më të mira të kësaj treve.

Realizimi i aktivitetit “Dita e Tokës Mëmë” Përmeti njihet për traditën e pasur, ku një vend të rëndësishëm zë kuzhina tradicionale përmetare, mjaft e kërkuar nga vizitorët vendas dhe të huaj. Ajo ka një larmishmëri dhe një numër të lartë recetash. Me synimin që kjo traditë kulinarie të mbahet gjallë dhe të përcillet tek brezat e rinj është realizuar aktiviteti “Dita e Tokës Mëmë”, ku kanë qenë të pranishëm anëtarë të komunitetit të Përmetit si kuzhinierë, prodhues të produkteve tipike, amvisa përmetare që së bashku me nxënës të shkollave përgatitën gatime tipike të zonës duke i prezantuar në një ambjent të bukur brenda pjesës historike të qytetit Përmet.

 

Orë të hapura mësimi me nxënësit e shkollave mbi edukimin mjedisor dhe zhvillimin e qëndrueshëm, ku u përgatitën dhe u zhvilluan një cikël orësh mësimore, në lidhje me edukimin mjedisor dhe potencialet turistike të zonës. Temat e trajtuara kanë qenë menaxhimi i mbetjeve, hapësirave të gjelbra, efiçenca e energjisë, zhvillimi i qëndrueshëm dhe promovimi i turizmit.

Organizimi i eskursioneve në natyrë me nxënesit e shkollave. Qëllimi i esklursioneve ishte zhvillimi dhe mbajtja e mësimit jashtë godinës së shkollës dhe rritja e njohurive të fëmijëve mbi mjedisin. Gjatë eskursioneve nxënësit kanë qenë tepër aktiv dhe të interesuar. Konkretisht eskursionet janë realizuar në mjedisin e inkubatorit të produkteve tipike në Përmet, vizita pranë ujrave termale të Bënjës dhe vizita në punishten tradicionale të prodhimit të glikove.

 

Përmeti ka potencial të lartë zhvillimi në dy sektorë kryesor, që janë bujqësia dhe turizmi, të cilat nëse shfrytëzohen në mënyrë të qëndrueshme, mund të kenë një ndikim të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik dhe në një ulje të ndjeshme të nivelit të papunësisë.

Nëpërmjet projektit ne kemi ndihmuar në përmirësimin e informacionit turistik në Bashkinë Përmet, duke bërë të mundur që vizitorët dhe turistët të shfrytëzojnë në mënyrë cilësore kohën e tyre të qëndrimit. Për rritjen e aksesit në informacionin turistik të zonës, u realizua Harta Integrale Turistike e Bashkisë Përmet e cila jep një informacion të zgjeruar për vizitorët dhe turistët vendas dhe të huaj lidhur me atraksionet turistike dhe ofruesit e shërbimeve turistike në zonë.

Gjithashtu në ndihmë të artizanëve dhe bizneseve të vogla, aktiviteti i të cilave lidhet me sektorin turistik, u bë e mundur realizimi i Broshurave Promovuese të cilat u prodhuan dhe iu shpërndanë për 10 subjekteve të zonës.

Aktivitet e projektit janë realizuar nga Shoqata “Vjosa Explorer” në bashkëpunim me Organizatën “Milieukontakt” në kuadër të projektit “Iniciativa për Zhvillimin e Turizmit të Qëndrueshëm në Bashkinë Përmet”, i cili është shpallur fitues nga Programi Rajonal mbi Demokracinë Vendore në Ballkanin Perëndimor – “ReLOaD”, që mbështetet financiarisht nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim

Spread the love