Krahina e Shëngjergjit me një sipërfaqe prej 400 kilometra katror, me vargmalet Mali i Dajtit, Mali me Gropa, malet Linosi, Brrojshi, Bërdheta, Sanoi i Madh, Sanoi i Vogël, Kollagjeshi, Mollagjeshi, Mali i Shëngjinit, Kërraba e Mali i Korrës dhe fshatrat të shtrira në dy anët e luginës së Erzenit përbën një hapësirë të madhe e plot burime natyrore. Emrin Shëngjergj e gjejmë në shkrime të ndryshme për rezerva të mëdha ujore, vendasit mjaft arsimdashës, por edhe besimplotë tek shenjtë të ndryshëm. Ky supozohet të jetë edhe fakti se në Shëngjergj gjejmë fshatra me emra të shenjtë si Shënmëri apo Shëngjin.
Vetëm dyzetë kilometra në lindje të Tiranës, Shëngjergji tanimë po shihet si një destinacion i preferuar turistik ditor për shqiptarë dhe të huaj. Nëse do të ‘zhytesh’ në ajër të pastër, të shlodhësh sytë me lule të llojeve e ngjyrave të ndryshme, shko në Shëngjergj! Origjinaliteti dhe shija e produkteve të zonës, mbetet për një kohë të gjatë. Nëse shkon për një kafe, drekë apo ecje në natyrë, mjafton të afrohesh pranë baxhove, shumë afër qendrës së Shëngjergjit dhe do të gjesh djathin e mrekullueshëm, tipik dhe unik për zonën. Qumështin për të bërë djathin kaq të shijshëm, baxhexhiu e merr tek bashkëfshatarët e tij. Stanet me qumësht dele dhe dhie janë burimi i vetëm për baxhot e Shëngjergjit. Barinjtë dhe njërëzit që punojnë pranë staneve lodhen dhe punojnë shumë për të siguruar qumësht për familjen e tyer dhe stinën e dimrit, pasi në dimër qumështi është i pakët, ai mjafton vetëm për nevojat e familjes dhe jo të shitet apo çohet në baxho.Të rinjtë e akdemisë verore dhe stafi i organizatës Milieukontakt Shqipëri panë nga afër bukurinë e natyrës dhe stanet në Linos e Bizë. Infrastruktura e staneve ka qenë ideuar dhe ndërtuar nga barinjtë për të përmbushur kërkesat e tyre të përditëshme; një dhomë ndenje dhe orendi të thjeshta, për të përgatiitur vaktet e ushqimit dhe qumështin. Duke qenë shumë larg zonave të banuara stanet nuk kanë pasur pranë as ujin e pijshëm apo ujë për të pastruar bagëtitë dhe enët e qumështit. Të rinjtë e akademisë verore përgjatë korrikut të këtij viti, ngritën një strukturë me material drusore të zonës, strukturë e cila ka gjithë elementët e nevojshëm e do të shërbejë si tualet, Ndihmë shumë e madhe në stan do të jetë soba e drurit për gatim dhe përpunimin e qumështit, si dhe bidona për mbajtjen dhe ruajtjen e tij në kushte të mira higjenike.Për njërëzit që punojnë në stan përgjatë pranverë-vjeshtës në mungesë të energjisë elektrike, panelet diellor të instaluar aty do të shërbjenë për ndriçim dhe karikimin e celularëve.
Gjithëkush që jeton në stane vlerëson çdo lloj ndihme në përmirësim të infrastrukturës. Në stanin e Bizës, i zoti i stanit, Lytfiu në vizitën promovuese me grupin e punës dhe të ftuar të tjerë, kur e pyetën se çfarë ndryshoi në punën e tij pas ndërhyrjes në stan tha: “tani kam dritë në stan, ajo është si drita e syve në terrin e natës apo kur koha është me shi e duhet të shoh dhentë në haur”.Ndonëse tani duken si zona të braktisura, të harruara nga njerëzit, dikur në zonën e Bizës, gropa ndërmalore, në latrësinë 1200 metra mbi nivelin e detit, me një klimë të ashpër, ku temperatura gjatë dimrit shkon -30 gradë celcius me verë të freskët ku temperatura mesatare shkon 14 gradë celsius, kush ka punuar apo veruar aty para viteve ’90 e përshkruan zonën si një perlë të natyrës shqiptare. Ish-fshati industrial alpin ku njerëzit argëtoheshin dhe kuroheshin. Nostalgjikët që kanë shijuar verën dhe dimrin para viteve nëntëdhjetë në zonën e Bizës, sot mund të shkojnë për t’u shmallur dhe gjetur kujtimet e atyre viteve, pse jo dhe mund të flenë pranë këtyre staneve. Ky është qëllimi, kthimi i staneve në destinacione turistike.
Nga: Bujana Xhindoli, Milieukontakt Shqipëri