“Të gjithë ne e konsiderojmë planetin tonë në kushte optimale, derisa vëmë re koston njerëzore të degradimit të tij. Pasiguria ushqimore, shëndetësore, njerëzore, shoqërore e shtetërore që ka ardhur dhe do vazhdojë të vijë si rezultat i ndryshimeve klimatike është pasoja e veprimeve dhe mosveprimeve tona si individë, koorporata dhe shtete” është shprehur Agnes Callamard Sekretarja e Përgjithshme e Amnesty International. [i]
Ndryshimet Klimatike përfaqësojnë një fenomen shumë shqetësues si në nivel lokal, kombëtar, ndërkombëtar ashtu edhe për botën e gjallë dhe atë bimore. Ato përfshijnë jo vetëm rritjen e temperaturave, por edhe ngjarjet ekstreme të motit, rritjen e nivelit të detit, zhvendosjen e popullatave dhe habitateve të kafshëve të egra. Klima e planetit ka ndryshuar vazhdimisht gjatë kohës gjeologjike, me luhatje të konsiderueshme të temperaturave mesatare globale. Megjithatë, kjo periudhë aktuale e ngrohjes po ndodh më shpejt se çdo ngjarje e kaluar. Për të fuqizuar jetën tonë moderne njerëzimi ka sakrifikuar mjedisin dhe mënyra sesi natyra po ja kthen duket se ka kosto tepër të lartë jo vetëm financiare e shëndetësore, por arrin deri në rrezikimin e ekzistencës njerëzore në tokë. Ndryshimi i klimës me ritme të shpejta po e bën të vështirë përshtatjen e gjallesave me temperaturat tepër të larta apo tepër të ulëta.
Ndryshimi i klimës është real dhe ndikimet janë serioze. Shkencëtarët kanë arritur në konsensusin se njeriu dhe veprimtaria e tij janë përgjegjësit kryesorë të saj, prandaj edhe duhet të ndërmarrin veprime konkrete dhe të shpejta. Ka shumë të ngjarë që valët e të nxehtit të ndodhin më shpesh dhe të zgjasin më shumë dhe, dukuritë e reshjeve ekstreme të bëhen më intensive e të shpeshta në shumë rajone. Oqeanet do vazhdojnë të ngrohen dhe acidifikohen dhe niveli mesatar global i deteve do vazhdojë të rritet. E gjithë kjo tashmë ka filluar dhe do ketë një ndikim shkatërrues në jetën e njeriut.
Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC) paralajmëron se për të shmangur ngrohjen globale katastrofike, ne nuk duhet të arrijmë 1.5°C mbi nivelet para-industriale ose minimalisht të mos e kalojmë atë. Në raportin e vitit 2021, IPCC tha se reduktimet e forta dhe të qëndrueshme në emetimet e dioksidit të karbonit dhe gazeve të tjera serë, mund të përmirësojnë cilësinë e ajrit dhe brenda 20-30 viteve temperaturat globale mund të stabilizohen. Prandaj, qeveritë duhet të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të ndryshuar kursin e politikave përsa i përket sferës së mjedisit.
“Kambanat e alarmit janë shurdhuese dhe provat janë të pakundërshtueshme. Ekonomitë gjithëpërfshirëse dhe të gjelbra, prosperiteti, ajri më i pastër dhe shëndeti më i mirë janë të mundshme për të gjithë, nëse i përgjigjemi kësaj krize me solidaritet dhe guxim” – është shprehur Sekretari i Përgjithshëm i OKB Antonio Guterres, duke e cilësuar gjithashtu fenomenin si një kod të kuq për njerëzimin.
Ndryshimi i Klimës po shkakton pabarazi të theksuara midis vendeve të zhvilluara dhe atyre në zhvillim, midis etnive dhe klasave të ndryshme, midis gjinive, brezave dhe komuniteteve. Ka plot shembuj që e vërtetojnë këtë dhe që i hasim çdo ditë në faqet e para të gazetave, në lajmet që jepen në televizion, në rrjetet sociale apo edhe në përditshëmrinë tonë. Pasojat e ngrohjes globale të tilla si valët e të nxehtit (kryesisht ai i vitit 2021 në Amerikën e Veriut apo i nxehti afrikan në vendet e Europës, përfshirë këtu edhe Shqipërinë), përmbytjet dhe stuhitë shkatërruese (rasti i ishujve Marshall) duket se kanë jo pak ndikim tek njerëzit dhe shtetet.
Ndërprerjet e energjisë elektrike përkeqësuan mjerimin e miliona njerëzve që patën mungesë në ajër të kondicionuar dhe ujë të pastër. Komunitetet më të varfra thithin ajër toksik, sepse lagjet e tyre kanë më shumë gjasa të vendosen pranë termocentraleve dhe rafinerive. Ata përjetojnë norma më të larta të sëmundjeve të frymëmarrjes dhe kancerit. Ndryshimet klimatike do jenë dy herë më të dukshme tek brezi që po vjen sesa tek ai që po ikën. Megjithatë në epokën e globalizmit ka akoma target grupe sikurse janë gratë dhe vajzat që preken në mënyrë disproporcionale nga ndryshimet klimatike, duke qenë se kanë më shumë gjasa në shumë vende të jenë të margjinalizuara, të pafavorizuara dhe të kenë mungesë aksesi në teknologjinë e re apo burimet natyrore. Një tjetër target grup më pak i favorizuar dhe ndër më të prekurit nga ndryshimet klimatike janë edhe popujt indigjenë. Pavarësisht se kanë njohuri të rëndësishme për mjedisin natyror të territoreve të tyre dhe luajnë një rol vendimtar në ruajtjen e biodiversitetit dhe burimeve natyrore, ata shpesh përjashtohen nga vendimmarrja për klimën.
Të drejtat e njeriut duket se janë “viktima” e radhës e ndryshimeve klimatike
Ndryshimet e klimës kanë ndikime të dëmshme në të drejtën e jetës (ndryshimi i klimës kërcënon sigurinë e miliarda njerëzve në këtë planet me anë të ngjarjeve ekstreme të motit të tilla si: stuhitë, përmbytjet, zjarret, ciklonet, valët vdekjeprurëse të të nxehtit duke cënuar në këtë mënyrë një prej të drejtave themelore të njeriut sikurse është e drejta e jetës), të shëndetit (sipas IPCC, ndikimet kryesore shëndetësore të ndryshimeve klimatike do përfshijnë rrezik të lëndimeve, sëmundje dhe vdekje për shkak të valëve më intensive të të nxehtit dhe zjarreve. Po ashtu përfshin rritje të rrezikut të kequshqyerjes si rezultat i prodhimit të ulët të ushqimit në rajonet e varfra dhe rritja e rreziqeve të sëmundjeve të shkaktuara nga ushqimi dhe uji. Ngrohja e pazbutur globale kërcënon të minojë sistemet shëndetësore dhe objektivat thelbësorë të shëndetit global), në strehim dhe mjetet e jetesës (ngjarjet ekstreme të motit si përmbytjet, zjarret, thatësira dhe erozioni po shkatërrojnë shtëpitë duke i detyruar njerëzit të zhvendosen).
E drejta për Ujë dhe Kanalizime po ashtu cënohet duke qenë se shkrirja e borës dhe akujve, reduktimi i reshjeve, temperaturat e larta dhe rritja e nivelit të detit tregojnë se ndryshimet klimatike po ndikojnë dhe do të vazhdojnë të ndikojnë në cilësinë dhe sasinë e burimeve ujore. Sot më shumë se një miliard njerëz nuk kanë qasje në ujë të pastër dhe ndryshimi i klimës do ta përkeqësojë këtë. Ngjarjet ekstreme të motit si ciklonet dhe përmbytjet ndikojnë në infrastrukturën e ujit dhe kanalizimeve, duke lënë pas ujë të kontaminuar dhe duke kontribuar kështu në përhapjen e sëmundjeve të shkaktuara nga uji; do të preken edhe sistemet e ujërave të zeza, veçanërisht në zonat urbane.
Cilët janë aktorët kryesorë përgjegjës për parandalimin e një fenomeni të tillë?
Padiskutim që shteti është aktori kryesor që duhet të veprojë sa nuk është vonë për të parandaluar këtë dukuri, duke çuar rrjedhimisht edhe në frenimin e pasojave që e bashkëshoqërojnë atë. Shtetet e pasura duhet të dekarbonizojnë ekonomitë e tyre sikurse edhe të ndihmojnë vendet në zhvillim për të pasur një rezultat të tillë brenda një kohe relativisht të shkurtër. Megjithëse problemi duhet sigurizuar sa më shpejt të jetë e mundur kjo nuk do të thotë se duhet të shkelen të drejtat e njeriut. Nga ana tjetër koorporatat, industritë dhe bizneset e mëdha duhet të vlerësojnë efektet e mundshme të aktiviteteve të tyre mbi mjedisin dhe të drejtat e njeriut dhe të marrin masa për të parandaluar ndikimet negative.
Përmbushja e interesave ekonomike si nga ana e shteteve ashtu edhe e njerëzve dhe industrive të mëdha ka bërë që të mos merren parasysh pasojat që ndotja ka në mjedis dhe klimë. Të gjithë këta aktorë po të bëjnë llogaritjen kosto-përfitim do kuptojnë që në nivel afatshkurtër zhvillimi i aktiviteteve të tyre është fitimprurës ekonomikisht, por në nivel afatgjatë do shohin se kostot do të jenë jashtëzakonisht të mëdha deri edhe vdekjeprurëse. A ja vlen të sakrifikojmë shëndetin dhe ekzistencën tonë në planet vetëm për të qenë më të pasur? Të gjithe ne kemi mundësi të frenojmë ndryshimet klimatike në forma dhe mënyra të ndryshme por, janë shtetet ata që në formë të institucionalizuar mund të ndërmarrin veprime konkrete. Po ashtu një rol në rritje në sistemin ndërkombëtar dhe atë kombëtar kanë edhe organizatat dhe ekspert të ndryshëm.
Përgatitur nga: Silvana Gogo
[i] https://www.amnesty.org/en/what-we-do/climate-change/