Liqeni i Ohrit është liqeni më i vjetër në Europë, i krijuar nga çarjet tektonike rreth 2 milionë vite më parë. Pika më e thellë e Liqenit arrin 288 metra. Liqeni ndodhet në një lartësi prej 693 mbi nivelin e detit dhe ka një sipërfaqe prej 358 km2. Pjesa më e madhe e ujit të Liqenit të Ohrit buron nga Prespa, një liqen rreth 10 km në juglindje të tij dhe 150 metra më lart si nivel në krahasim me Liqenin e Ohrit. Malet e larta të Parkut Kombëtar të Galicicas ndajnë të dy liqenet. Uji i Liqenit të Prespës kalon përmes lumenjve dhe përrenjve nëntokësorë përpara se të shpërthejë në burime brenda dhe rreth Liqenit të Ohrit. Burimet më të njohura nënujore ndodhen në Drilon dhe afër Manastirit të Shën Naumit.
Pellgu ujëmbledhës i Liqenit të Ohrit është pjesë e pellgut të zgjatur ndërkufitar të lumit Drin (DRB), dhe përfshin shtatë nën-pellgje: Liqeni i Prespës, Liqeni i Ohrit, Lumi i Drinit të Zi, Lumi i Drinit të Bardhë, Lumi Drin, Liqeni i Shkodrës dhe Lumi Buna / Bojana.
Për herë të parë Dita e Liqenit të Ohrit është shënuar në vitin 2002, me qëllim kontributin në mbrojtjen e pasurisë natyrore dhe kulturore të rajonit, si dhe përafrimin e mëtejshëm të banorëve në të dyja anët e liqenit.
Data e 21 qershorit tradicionalisht shënon fillimin e sezonit të plotë turistik në tri bashkitë që rrethohen nga Liqeni i Ohrit – Struga, Ohri dhe Pogradeci.