Shoqata “Vjosa Eksplorer” në bashkëpunim me Organizatën “Milieukontakt” në kuadër të projektit “Iniciativa për Zhvillimin e Turizmit të Qëndrueshëm në Bashkinë Përmet” kanë filluar nga puna për realizimin e hartës integrale të bashkisë, si dhe dixhitalizimin e të gjithë informacionit turistik të zonës së Përmetit. Së shpejti harta do të jetë publike dhe do të ndihmojnë çdo turist shqiptar apo të huaj të marrë informacionin e nevojshëm për të vizituar bukuritë natyrore të Përmetit.
Gjatë muajit tetor do të realizohen orë të hapura mësimore me nxënësit e klasave të shtata dhe të teta të shkollës “1 Maji” në Njësinë Administrative Piskovë, Përmet.
Përgjatë orëve të para të hapura mësimore rreth 30 nxënës janë njohur me projektin që po realizohet në zonën e tyre dhe se si ata mund të kontribuojnë për të ruajtur natyrën. Gjatë punës me nxënësit gjithashtu është përgatitur dhe realizuar një cikël orësh të hapura mësimore në ambjentet e shkollës por edhe në natyrë, në lidhje me edukimin mjedisor dhe problematikat më të nxehta mjedisore. Temat e orëve të hapura mjedisore që janë zhvilluar në shkollë janë problemet mjedisore të cilat ndikojnë negativisht në zhvillimin e turizmit, si ndotja nga mbetjet urbane etj. Edukimi i këtij brezi është shpresë për të ardhmen, në mënyrë që ata të konceptojnë jo thjesht që duhet të pastrojnë mbeturinat e të bëjnë aksione, por të kuptojnë çdo të thotë të vlerësosh burimet natyrore, t’i kursesh ato dhe për brezat e ardhshëm. Në këtë aspekt problemi është shumë kompleks dhe edukimi i fëmijëve shërben sot, si dhe është shpresë edhe për të ardhmen dhe kjo është e domosdoshme.
Temat të cilat u trajtuan në orët e hapura mjedisore ishin:
(i) Koncepti për minimizimin e mbetjeve; reduktimin dhe minimizimin e tyre në burim
(ripërdorimi, riciklimi dhe kompostimi si dhe ekonomia e qarkulluese), temë për të cilën nxënësit sollën shembuj dhe ide të zbatimit në praktikë të koncepteve, që janë edhe pjesë e kurrikulës shkollore, por shkolla nuk ka mundësi për të investuar në infrastrukturën e menaxhimit të mbetjeve në mjediset e brendshme të shkollës, apo edhe aktivitete të tjera jashtë saj.
(ii) Hapësirat e gjelbëra dhe pyjet. Si mund të kontribuoj unë për mbrojtjen e natyrës? Të mësojmë të njohim bimët e hapësirave të gjelbëra që na rrethojnë. Nxënësit të ndarë në grupe pregatitën herbare me bimët, shkurret dhe llojet drunore që gjendeshin në oborrin e shkollës. Një pjesë të tyre ato e emërtuan vetë, ndërsa për disa lloje kërkuan ndihmën e mësueses së biologjisë.
Këto janë disa nga konceptet që I’u prezantuan nxënësve, të cilët ishin shumë të vëmendshëm dhe herë pas here bënin pyetje. Edhe stafi pedagogjik që na shoqëroi vlerësoi mjaft mënyrën ndërvepruese të organizimit të orëve brenda dhe jashtë në natyrë, si një metodologji bazë e të mësuarit të fëmijës nga fëmija.
Ky aktivitet u realizua në kuadër të Programit Rajonal mbi Demokracinë Vendore në Ballkanin Perëndimor – ReLOaD që mbështetet financiarisht nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).