Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, renditet në vendet e fundit për vlerat e parshikuara financiare të Planit Buxhetor Afat mesëm për vitin 2017-2019. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit planifikon menaxhon dhe administron zbatimin e programit të Qeverisë. Ajo ka rolin e koordinatorit të të gjitha drejtorive të politikave për ndjekjen në vazhdimësi të problematikave afatshkurtra dhe afatgjata në fushën mjedisore. Por cila është politika mbi mjedisin e qeverisë aktuale?
Përgjatë programeve përkatëse të partive politike, garuese në zgjedhjet e qershorit të këtij viti, mesazheve elektorale në më të shumtën e rasteve i mungonte dukshëm koherenca dhe iniciativa me instrumente dhe programe konkrete, për mbrojtjen e mjedisit në kontekst ndërsektorial, ndërinstitucional dhe ndërkufitar, për t’iu qasur objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm. Megjithatë pas përfundimit të këtyre zgjedhjeve qeveria vjen me objektiva konkret, të cilat janë të detyrueshme për mbylljen e buxhetit të viteve të shkuara dhe parashikimit të Planit Buxhetor Afatmesëm 2017-2019.
Si arritje të mandatit të shkuar qeveria vlerëson rehabilitimin e plotë të vend-depozitimit ekzistues të mbetjeve në Elbasan, si dhe ndërtimin e një landfill të ri modern bashkë me impiantin e parë për prodhim të energjisë elektrike dhe termike. Menaxhimi i mbetjeve urbane, ndërtimet e landfillve në qarkun e Korçës apo Vlorës janë kontribut i donatorëve. Landfilli i Korçës mund të konsiderohet i përfunduar këtë vit, megjithëse numërohen disa vite që prej fazës së projektimit të tij. Megjithatë ende s’është zgjidhur problemi i mbetjeve inerte, pasi jo vetëm që është e pamundur të menaxhohen për shkak të logjistikës së kufizuar, por edhe për mungesën e hapësirave boshe për depozitimin e tyre. Nga analiza e Planit Buxhetor Afatmesëm 2017-2019 shohim se për rehabilitimin e vendeve të mbyllura për mbetjet e ngurta/inerte për vitin 2017 s’është planifikuar asnjë investim. Ky investim është bërë në vitin 2016, për 259.000 m3 më një me një vlerë 740.000 lekësh.
Mirëmenaxhimi dhe programet e vazhdueshme apo pilote do të përmirësonin situatën e mbetjeve urbane në Shqipëri. Si prioritet të saj qeveria sheh reduktimin në masën 55% në vitet në vijim, por asnjë veprim konkret s’mund të gjendet në nivel kombëtar për ndarjen e mbetjeve që në burim. Ndërkohë qeveria investon në fazën e fundit të hierarkisë së mbetjeve, në djegien e tyre me anë të inceneratorëve. Per vitin 2016 janë dhënë 623 330 mijë lekë për 2 inceneratorë (Fier dhe Elbasan) dhe për 2017-2019 qeveria ka planifikuar në buxhetin e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit vlerën 3,996,332 lekë, shumë e cila do të shkojë për inceneratorët.
Në sektorin e pyjeve qeveria sheh si arritje të saj ngritjen e AKZM-së, e cila si qëllim kryesor menaxhimin efikas dhe mbrojtjen e zonave të mbrojtura. Mjafton të flasësh me specialistët e mjedisit dhe, kupton se zonat e mbrojtura nuk menaxhohen mirë si dhe shfrytëzohen për përfitime financiare, kur në të vërtetë duhet të ishte e kundërta. Kjo agjenci për vitet në vijim synon në zgjerimin e zonave të saj të menaxhimit, duke hyrë në zona të thella malore si në jug dhe në veri. Në këtë rast do të kishte vend për shprehjen e Getës e cila thotë: “Teoria dhe praktika janë femoneme që gjenden në kundërshtim të vazhdueshem. E vetmja gjë që mund t’i bashkojë është puna”.
Në menaxhimin dhe mbrojtjen e pyjeve qeveria ka ngelur ende në masa të pamjaftueshme si në vendosjen e kamerave apo pajisjen me leje mjedisore të subjekteve që shfrytëzojnë pyjet. Nga shqyrtimi i PBA i vitit 2016 vërejmë se Ministria e Mjedisit dhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme kanë rregjistruar dhe inventarizuar 80.000 ha pyje dhe vlera e shpenzuar është 120.000 lekë. Në faqen e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit s’mund të gjesh asnjë informacion të detajuar për këtë punë të kryer. Për vitet në vijim 2017-2019 në buxhetin e kësaj ministrie janë parashikuar të shkojnë 1,080,000 lekë për inventarizimin dhe regjistrimin e 720.000 ha pyje. Me investime të tilla përllogaritet të invetarizohet në masën 50% fondi pyjor shqiptar. Përsa i përket mbarështrimit të pyjeve janë planifikuar 9 plane mbarshtrimi në vlerën 288.755 lekë. Me këtë vlerë Ministria e Mjedisit mund të mbjellë vetëm 2 mijë fidanë.
Në prioritetet e saj qeveria për vitet në vijim paraqet mbrojtjen e mjedisit, duke përmirësuar cilësinë e ajrit, ujërave etj., si edhe ndërgjegjesimin e brezave të rinj për ruajtjen dhe mbrojtjen e mjedisit. Në buxhetin e parashikur për Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit për ndërgjegjësimin e brezave të rinj, vlera e parashikuar është fare e papërfillshme.