Në kuadër të projektit “Informim-Komunikimi mbi politikat mjedisore për zhvillim të qëndrueshëm”, mbështetur nga programiSENiOR–II, Milieukontakt Shqipëri në bashkëpunim me organizatat e rrjetit ECIM ka realizuar “Anketimin mbi problematikat mjedisore” me qëllim kryesor vlerësimin e situatës së politikave dhe shërbimeve mjedisore nga komuniteti, në njësitë vendore të përzgjedhura. Nëpërmjet analizës së rezultateve të dala nga anketimi, studimi realizon një vlerësim të nivelit aktual të problematikave mjedisore, identifikohen fushat për ndërhyrje sipas prioriteteve, nevojave dhe shpërndarjes territoriale.
Më tej, rezultatet e anketës do t’i paraqiten bashkive përkatëse, duke kërkuar adresimin e problematikave, por edhe ofruar ndihmën dhe ekspertizën e organizatave të grupimit në ndërgjegjësimin e publikut dhe aktorëve të tjerë si dhe në zgjidhjen e problemeve lokale. Anketimi i siguron organizmave publike dhe private, lokale dhe kombëtare, të dhëna dhe elemente të rëndësishme për rekomandime në hartim politikash, ndërhyrjesh, si dhe shërben si orientues në procesin e hartimit apo rishikimit të projekteve në funksion të nevojave aktuale praktike dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
Nga pikëpamja metodologjike, studimi i kryer përgjatë muajt korrik-gusht të vitit 2017, ka synuar përcaktimin e saktë të bazës së hulumtimit, parametrat matës, si dhe përfundimet e alternativave të përgjigjeve të qytetarëve të 7 qyteteve Sarandë, Përmet, Librazhd, Gramsh, Lezhë, Elbasan dhe Krujë. Nga vlerësimi i pyetësorëve të studimit del qartë se mjedisi urban këta 10 vitet e fundit është përkeqësuar në nivel vendi. Menaxhimi i tij, mbetet një çështje shumë e rëndësishme në fushat më prioritare si uji i pijshëm, ajri dhe menaxhimi i mbetjeve. Nga të dhënat e analizës së studimit gjendja shfaqet mjaft e rënduar në:
Uji i pjshëm në Sarandë dhe Gramsh
Edhe pse në fillim të vitit janë njoftuar ndërhyrjet në sistemin e ujësjellësit për Sarandën me një mbulim deri në 65% të territorit gjatë 18 orëve në ditë, përsëri edhe këtë verë situata e ujit të pijshëm ka qenë shumë e pakët, pasi infrastruktura nuk e lejon rritjen e këtij furnizimi. Njëkohësisht infrastruktura e dobët ndikon dhe në cilësinë e ujit të pijshëm për qytetin turistik të Sarandës. Bashkitë për këto dy qytete duhet të ndërmarrin projekte dhe investime në fushën e përmirësimit të infrastrukturës së ujit të pijshëm, kanalizimet e ndryshme apo ujërat e zeza.
Ajri në Elbasan, Krujë dhe Lezhë
Bashkitë duhet të vazhdojnë përpjekjet për monitorimin e cilësisë së ajrit dhe sidomos të atyre bizneseve industriale që shkaktojnë ndotje përtej normave të lejuara, si rezultat edhe i mospërdorimit të filtrave apo të teknologjisë më të avancuar. Inspektorët e mjedisit në këto bashki duhet të ndjekin nga afër raportet e vetë monitorimit për shkarkimet në ajër, tokë dhe ujë. Për këtë duhet edhe një bashkëpunim më i mirë me Drejtoritë Rajonale të Mjedisit dhe Inspektoratin e Mjedisit. Për Krujën mbyllja e guroreve apo aktiviteteve karrierë që janë shumë pranë zonave të banuara. Lezha gjithashtu paraqitet potencialisht e ndotur dhe problematike nga prania e grimcave të pluhurit.
Zhurmat në Elbasan, Lezhë dhe Sarandë
Këto qytete kanë shtim të zhurmave jo vetëm ditën por edhe natën, si rezultat i transportit të rënduar. Kjo del e qartë dhe në raportet e gjendjes së mjedisit hartuar nga AKM-ja, ku ka një shtim mbi 4.5% krahasuar edhe me normat e OBSH-së. Ndaj nevojitet rregullimi i infrastrukturës jo vetëm brenda qendrave të qyteteve por edhe jashtë tyre (unazat përreth qytetase), shtimi i rrugëve pedonale apo qarkullimi me orare të kufizuara, shtimi i hapësirave të gjelbëra. Një masë tjetër e rëndësishme është dhe eliminimi i zhurmave nga lokalet gjatë sezonit të verës në qytetin e Lezhës dhe Sarandës.
Mbetjet urbane në Elbasan, Lezhë, Krujë, Gramsh, Librazhd, Përmet dhe Sarandë
Të gjitha qytetet paraqiten me një nivel të ulët të menaxhimit të mbetjeve urbane. Pavarësisht se Lezha ka patur plan menaxhimi të mbetjeve, përsëri situata e mbetjeve është e pakënaqshme dhe iniciativat e ndarjes në burim të mbetjeve kanë mbetur në letër. Përmeti, Gramshi, Librazhdi e Kruja nuk ka ende një plan menaxhimi, kanë vend depozitime të cilat nuk plotësojnë kushtet e duhura inxhinierike për mbrojtjen e mjedisit dhe janë subjekt i zjarreve të shpeshta. Gazrat e tymrat që çlirohen prej tyre, jo vetëm ndotin ajrin, por helmojnë edhe tokën si dhe ujërat mbi e nëntokësore që rrjedhin pranë këtyre vend-depozitimeve. Përveç punës për ndërgjegjësimin e banorëve për reduktimin e mbetjeve dhe nxitjen e riciklimit, bashkitë mund të marrin masa për përmirësimin e kushteve në vend depozitimet aktuale (sistemim, mbulim të herëpashershëm të mbetjeve për të shmangur djegien) si dhe të nxisin minimizimin e përdorimit të qeseve plastike.
Hapësirat e gjebëra në Sarandë e Elbasan
Hapësirat e gjelbëra janë të kufizuara dhe poshtë normave apo standarteve të BE-së dhe kur ato etiketohen si të tilla nuk ofrojnë infrastrukturë të mirë. Për këtë bashkitë përkatëse duhet të punojnë më shumë për shtimin e hapësirave shlodhëse për të moshuarit dhe fëmijët si në zonat e brendshme (nëpër lagje) por edhe të kurorave të gjelbra të qytetit, duke ruajtur dhe mbrojtur pyjet. Saranda duke qenë dhe një qytet me turizëm të zhvilluar përgjatë pjesës më të madhe të vitit duhet të investojë në krijimin e një brezi të gjelbër, i cili do të shërbejë si frenues i shpërhapjes urbane, do të rrisë cilësinë mjedisore dhe hapësirat e gjelbërta. Mbjelljet me pemë apo fidanë do të zbusin mjaft fenomenin e faqeve të zhveshura në hyrje të qytetit, por edhe përgjatë bregut.
Ndryshimet klimatike Lezha dhe Përmeti
Të dy këto qytete janë ndër më të prekurit nga katastrofat e ndryshme natyrore për shkak të vërshimeve të lumenjve. Situata të tilla janë përsëritur më shpesh në Lezhë. Banorët e këtij qyteti kërkojnë të informohen më shumë si edhe të përfshihen në raste të katastrofave mjedisore. Shumë e rëndësishme për të gjitha qytetet mbetet ndërgjegjësimi për pasojat nga ndryshimet klimatike, të cilat janë edhe më të ndjeshme në zonat në zhvillim, apo ku edhe politika nuk bën investimet e duhura. Bashkitë nga ana e tyre duhet të forcojnë sistemin e paralajmërimit dhe të Emergjencave Civile, duke kërkuar edhe ndihmën e bizneseve vendase në kuadër të përgjegjshmërisë sociale.
Përgatiti: Milieukontakt, Shqipëri