Nga janari 2019, Milieukontakt ka filluar implementimin e një projekti të ri, për përmirësimin e kushteve në stanet e Shëngjergjit, Tiranë. Ky projekt do të mbështetet nga Global Environment Facility-Small Grand Project (GEF-SGP).
Shengjergji ndodhet në lindje të Tiranës rreth 40 km larg. Ka një reliev malor ku kuota më e ulët është shtrati i lumit Erzen dhe kuota më e lartë është Mali me Gropa. Zona përreth ka pamje të mrekullueshme, me terrenet kodrinore dhe malore, e pasur me burime të shumta ujore dhe liqene. Burimi i Shën Mërisë është një nga burimet kryesore të furnizimit me ujë për qytetin e Tiranës.
Mendohet se zona në shekujt XII-XIV quhej “Tomadhe” ose “Tame Dea” (Perëndeshë e Burimeve Ujore). Pas vitit 1600, mori emrin “Shëngjergji”.
Në territorin e Shëngjergjit ka shumë kisha. Ekzistenca e emrave të fshatrave Shëngjergji, Shënmri, Shëngjin, si vendbanime të vjetra, fshatrat e banuara në ditët e sotme janë afër njëri-tjetrit dhe kanë emrat e dhjetra shenjtorëve, të cilat mund të vizitohen. Këtu mund të përmendim Ujëvarën e Shengjinit, Rrënojat e Kështjellës së Shëngjinit, Kalaja e Shën Gjergjit, Shpellën e Valit, Vendi i shenjtë dhe varri i vjetër, etj.
Stanet e Shëngjergjit si destinacione ekoturistike
Situata aktuale në stanet e Shëngjergjit paraqitet në gjendje të mjeruar, pa kushtet minimale të higjenës, disa zona pa energji elektrike. Në zonë ndodhen 4 baxho të vogla të përpunimit të qumështit për treg dhe 14 tufa bagëtish, të cilat përveç staneve një pjesë të mirë të kohës e kalojnë në kullotat alpine.
Duke parë gjendjen aktuale të staneve ekzistues, projekti ynë synon përmirësimin e infrastrukturës dhe kushteve higjeno-sanitare të staneve të vjetër, duke ofruar mjedise të përshtatshme për kamping, akomodim, ushqim, banjo dhe dushe. Ndërtimet e gardheve rrethues dhe veshjet e çatisë me dru do të bëhen me materiale ndërtimi lokale, duke përfshirë inxhinierët e rinj për krijimin e modeleve të ndërhyrjes pilot përmes akademisë së të rinjve.
Synohet gjithashtu të krijohen mjedise për përpunimin e bulmetit në kushte tradicionale, sipas përvojës së familjarëve të zonës. Natyrisht, përmirësimi i kushteve të jetesës në stanet e Shëngjergjit do shihet si një mundësi e kalimit të tyre në “guest house” dhe në të njëtën kohë do të ndikojë në zhvillimin ekonomik të zonës, nëpërmjet turizmit të qëndrueshëm.
Projekti do të identifikojë dhe promovojë resurset natyrore të zonës së Shëngjergjit dhe do të prodhojë një hartë profesionale turistike, e cila do bëhët pjesë e hartës turistike për Bashkinë e Tiranës dhe turizmin kulturor.
Vlera turistike është kombinimi i peizazhit piktoresk me elemente tradicional dhe të trashëgimisë kulturore. Produkti turistik do të shihet si një mundësi e bashkëpunimit me fshatrat e tjera në NJA Shëngjergj, gjithashtu integrimi i produktit të realizuar në paketat kryesore turistike kombëtare.
Gjatë gjithë projektit ne do të jemi në gjendje të identifikojmë fermerët, të cilët do të ofrojnë produkte bio bujqësore dhe blegtorale (pa përdorimin e kimikateve) për t’u shërbyer turistëve dhe për të mbrojtur biodiversitetin, veçanërisht në rastin e Zonave të Mbrojtura.
Nertil Lugji
Milieukontakt Albania