DITA NDËRKOMBËTARE E MJEDISIT. 5 QERSHOR

Dita Botërore e Mjedisit e njohur edhe si Dita ndërkombëtare e mjedisit është një ditë festive e cila organizohet më datën 5 qershor të çdo viti. Kjo datë është mjeti kryesor i OKB-së për inkurajimin e vetëdijes dhe veprimit për mbrojtjen e mjedisit në nivel global dhe lokal.

5 qershori u caktua si Dita Botërore e Mjedisit në vitin 1972, nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së me qëllim të rritjes së vetëdijes rreth çështjeve të mjedisit si dhe për të tërhequr vëmendjen politike ndaj këtyre çështjeve aq sa edhe për të nxitur veprimin individual në këtë drejtim. U zgjodh kjo datë sepse përkon me ditën e hapjes e Konferencës së Kombeve të Bashkuara mbi Mjedisin, që u mbajt në vitin 1972 në Stokholm, nën udhëheqjen e Programit Mjedisor të Kombeve të Bashkuara. 5 qershori si datë festive dhe botërore e mjedisit ka nisur të festohet që nga viti 1974.

E udhëhequr nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP), kjo ditë bashkon miliona njerëz në qeveri, biznes, shoqëri civile, shkolla dhe personalitete të famshme që angazhohen për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të ndikuar në veprimet mjedisore.

Këtë vit, Dita Botërore e Mjedisit fokusohet në rivendosjen e tokës, ndalimin e shkretëtirëzimit dhe ndërtimin e rezistencës ndaj thatësirës. Deri në 40% e tokës së botës është tashmë e degraduar, ndërsa rreth 3.2 miliardë njerëz në mbarë botën janë ndikuar negativisht nga shkretëtirëzimi dhe më shumë se tre të katërtat e popullsisë së botës pritet të preken nga thatësirat deri në vitin 2050.

Mesazhi është i qartë, ne duhet të rivendosim ekosistemet për të adresuar ndryshimet klimatike, për të shpëtuar speciet nga zhdukja dhe për të siguruar të ardhmen tonë.

Spread the love