Përmeti edhe pse i njohur për vlerat qytetare, kulturore dhe atraksionet e pasura natyrore, ndjen mungesën e një harte të integruar turistike, e cila të përmbajë një informacion të plotë turistik, si për evidentimin e bukurive dhe vendeve të shumta turistike, ashtu edhe të operatorëve turistik që ofrojnë shërbime në këtë fushë. Harta e integruar turistike do të lehtësonte punën e aktorëve të ndryshëm të fushës së turizimit, por njëkohësisht do të bënte të lehtë dhe komod orientimin dhe qëndrimin e turistëve në këtë rajon.

Duke punuar dhe jetuar çdo ditë në qytetin e Përmetit, çdokush njeh dhe vlerëson nevojat e menjëherëshme, të cilat jo gjithmonë kërkojnë kosto të madhe financiare. Mjafton vullneti i mirë dhe vizioni për të ardhmen.

Nxitur nga ky vullnet, ka filluar përgatitja e realizimit të hartës integrale turistike, e cila do të printohet në 500 kopje, si dhe do të shpërndahet tek aktorë të ndryshëm që punojnë në fushën e turizmit. Realizimi i hartës do të ndihmojë në rritjen e cilësisë së shërbimit kundrejt vizitorëve/turistëve vendas e të huaj, duke krijuar një produkt cilësor, që përmbush nevojat dhe kërkesat e tyre. Harta do të realizohet sipas kushteve teknike dhe standardeve të BE-së.

Treva e Përmetit dallohet për një larmishmëri të lartë atraksionesh kulturore, historike, tradicionale dhe të gastronomisë, ndërthurja e të cilave e bën këtë territor mjaft tërheqës për vizitorët dhe turistët. Për të prezantuar denjësisht këto vlera të zonës, si dhe për t’i promovuar ato brenda dhe jashtë vendit, ka filluar procesi i realizimit të albumit fotografik “Pasaporta e Qytetit Përmet”. Realizimi i tij po kryhet nga fotografi i njohur z. Roland Tasho. Albumi do të përmbajë foto për të gjitha veçantitë, karakteristikat dhe vlerat e kësaj treve, të shprehura mjeshtërisht në një material cilësor dhe gjithëpërfshirës.

Me këto produkte përmbushim jo vetëm detyrën qytetare si banues të Përmetit, por njëkohësisht i japim vëmendjen e duhur vlerave të qytetit, e njëkohësisht shtojmë dy materiale të domosdoshme e cilësore në infrastrukturën e zhvillimit të qëndrushëm të turizmit në këtë trevë.

 

Ky aktivitet është realizuar nga Shoqata “Vjosa Eksplorer” në bashkëpunim me Organizatën “Milieukontakt” në kuadër të projektit “Iniciativa për Zhvillimin e Turizmit të Qëndrueshëm në Bashkinë Përmet” i cili është shpallur fitues nga Programi Rajonal mbi Demokracinë Vendore në Ballkanin Perëndimor – “ReLOaD” që mbështetet financiarisht nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).

 

Spread the love