Qyteti i Vlorës dhe Himarës janë ndër vendet e preferuara bregdetare në të gjitha stinët dhe çdo vit vizitohen nga një numër i lartë i turistëve vendas dhe atyre të huaj. Që të dy ofrojnë plot burime natyrore; si malin ashtu edhe detin, por në të njëjtën kohë janë potencial i lartë i ndotjes akustike, si pasojë e bizneseve të shërbimit që operojnë, numrit të lartë të makinave dhe numrit të lartë të turistëve. Matja e niveleve të zhurmave në qytetin e Vlorës realizohet vetëm në katër stacione si: Uji i Ftohtë, përballë hotel Bolonjës, xhamia dhe hyrja e qytetit (sipas raportit zyrtar të AKM mbi gjendjen e mjedisit, viti 2020) ku vlerat e monitoruara përgjatë ditës shkojnë mbi 64 dB, duke tejkaluar nivelet e përcaktuara nga Legjislacioni shqiptar dhe standardi i BE-së. Po ashtu edhe gjatë natës këto pika tregojnë vlera mesatare mbi 45 dB (kufiri limit). Sipas OBSH ‘zhurma’ përkufizohet si zhurma e emetuar nga të gjitha burimet, përveç zhurmës në vendin e punës industriale. Edhe pse bizneset, qytetarët dhe tursitët janë shkaktarët kryesor të zhurmave, ata s’janë të informuar e të ndërgjegjësuar për ndotjen akustike që shkaktojnë, pasi bashkitë nuk ofrojnë statistika të përhershme apo informacion për efektet shëndetësore që zhurmat shkaktojnë, si dhe një plan e hartëzim vendor të veprimit të zhurmave.
Nga një analizë e kryer së fundimi në Bashkinë Vlorë dhe Himarë në kuadër të projektit “Monitorimi i ndotjes akustike në zonat bregdetare”, mbështetur nga Lëviz Albania, zbatuar nga Milieukontakt Shqipëri në bashkëpunim me Institutin për Menaxhimin e Mjedisit dhe Territorit dhe Gjelbërimi 2000 rezulton se 98% e popullsisë në bashkinë Vlorë dhe 87% në bashkinë Himarë janë të ekspozuar ndaj zhurmave, të cilat perceptohen më shumë gjatë ditës. 53% e qyetarëve në Vlorë ndiejnë zemërim kur janë të ekspozuar ndaj zhurmave, 35% e qytetarëve në Himarë ndihen të bezdisur prej zhurmave të shkaktuara; si dhe një numër i konsidrueshëm i tyre ndiejnë dhimbje koke, acarim, ankth dhe produktivitet të ulët në punë.
Niveli i zhurmave sipas qytetarve të Vlorës dhe Himarës ka pësuar ndryshim krahasuar me vitet e mëparshëm, gjatë periudhës kohore kur vendi kaloi pandeminë COVID-19, 98% e qytetarëve të Vlorës dhe 53% e qyetetarëve të Himarës si shkak kryesor të zhurmave ata perceptojnë transportin rrugor (makinat, boritë e makinave) dhe ndotës akustik të tjerë si, ndërtuesit e më pas operator të shërbimeve sociale (bare, resotorante, klube verore etj) por vetëm një pjesë e qytetarëve ankohen për zhurmat e perceptuara, kjo pasi ata mendojnë se edhe pse mund të ankohen, problemi nuk do të zgjidhet përfundimisht dhe se nuk kanë besim tek institucionet. Ndërkohë projekti ka si qëllim fuqizimin e bashkëpunimit të aktorëve lokal (komunitete, organizata) nëpërmjet përdorimit të instrumentave alternativë mbi monitorimin e zhurmave për të advokuar tek institucionet vendore mbi mirëadministrimin e ndotjes akustike.
Sipas qytetarëve të Vlorës vendi më shumë i zhurmshëm gjatë sezonit turistik ka qenë bregut i detit, ndërsa jashtë sezonit sheshi i Flamurit, Kapelja dhe pranë Bashkisë, ndërsa në Himarë përgjatë sezonit kanë qenë zona e Spillesë, qendra dhe më pak zona e shëtitores. Ekspertët e fushës propozojnë që të dy bashkitë, ajo e Vlorës dhe Himarës duhet të kenë një plan vendor për të vepruar dhe hartëzuar zhurmat, duke shpallur zonat e qeta si për mjediset e hapura dhe ato të banuara, kufizim të orarave për operatorët e shërbimit përgjatë sezonit turistik dhe jashtë tij.
Po ashtu duhet parë mundësia e stimujve ekonomik nga të dy Bashkitë, për aktivitetet prodhuese apo tregtare që zgjedhin pajisje dhe proçese me ndikim të ulët akustik, si dhe për qytetarët më të prekur nga ndotja akustike, që do të donin të përmirësonin infrastrukturën akustike të banesave. Për sa i përket zhurmës së prodhuar brenda ndërtesave, duhet bërë dallim midis asaj të prodhuar nga aktivitetet njerëzore dhe krahasuar me nivelet e lejuara dhe më pas duke përmirësuar izolimin e zërit brenda banesave dhe zhurmën e prodhuar nga sistemet, të cilat duhet të parashikohen që në fazën e projektimit, në mënyrë që të sigurohet një zgjedhje optimale e pajisjeve, pozicionin e elementeve të zhurmës si dhe ndërhyrjet për të reduktuar transmetimin e saj. Në këtë drejtim, Legjislacioni shqiptar përcakton nivelet kufi të zhurmës për mjedise të caktuara, të cilat janë të njesuara me Vlerat Udhëzuese të Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSH). Gjatë ditës 55Db (decibel) dhe gjatë natës 45 Db.
Artikulli është përgatitur nga Milieukontakt në kuadër të projektit “Monitorimi i ndotjes akustike në zonat bregdetare”, me mbështetjen financiare të Leviz Albania , një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC.