Në vitin 2018, Paketa e Energjisë së Pastër të Komisionit Evropian njohu të drejtën e komuniteteve lokale dhe qytetarëve për të luajtur një rol aktiv në sektorin e energjisë duke i përcaktuar si “Komunitete të Energjisë”.

Po Shqipëria ku është në këtë drejtim?

Studimi i pregatitur nga Milieukontakt dhe i prezantuar në takimin kombëtar më 9 qershor 2021, thekson se në vendin tonë koncepti i komunteteve të energjisë është një koncept i ri dhe kërkon kohë për tu përthithur dhe mandej përqafuar nga njerëzit. Shqipëria tashmë e ka një Strategji Kombëtare në fushën e Energjisë ku bien në sy targete të ndryshme lidhur me minimizimin e humbjeve në rrjet, rritjen e burimeve primare, kursimin, reduktimin e GHG apo dhe rritjen e BRE në 42% në vitin 2030. Edhe pse kemi bërë hapa përpara në hartimin e paketave ligjore në fushën e energjisë duke transpozuar direktivat kryesore, termi komunitet energjie mungon në legjislacionin kombëtar. Në legjislacionin e sektorit të energjisë flasim për vetëprodhues me një kapacitet prej disa megavat por nuk ka asnjë lloj incentive financiare apo rregullim për t’i mbështetur këto komunitete energjie.

Qëllimi kryesor i takimit ishte informimi i publikut të gjerë mbi kornizën rregullatore të Burimeve të Rinovueshme së Energjisë, aktorët kryesor dhe ndërlidhja mes tyre dhe gjetja e mënyrave më të mira për angazhimin e qytetarëve në komunitetet e energjisë.

Në takim morën pjesë përfaqësues nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjise, Agjencia kombëtare e Burimeve Natyrore, Agjencia e Eficences së Energjisë, përfaqësues nga Bashkia e Tiranes dhe e Shkodrës, OJF dhe ekspert te fushës. Diskutimet u përqendruan në politikat aktuale kombëtare mbi sektorin e energjisë dhe energjisë së rinovueshme, gjithashtu dhe mbi mundësitë për zbatimin e Komuniteteve të Energjisë së Rinovueshme në Shqipëri dhe identifikimin e modelve të biznesit të suksesshme për kapërcimin e pengesave dhe sfidave.

Znj. Klodiana Bici, nga Drejtoria e Objekteve në bashkëpronësi nga Bashkia Tiranë prezantoi modelet dhe mekanizmat e suksesshëm të përdorur nga bashkia për përfshirjen e qytetarëve dhe adresimin e problemeve nga bashkëpronësia dhe kultivimin e mentalitetit të bashkëpunimit. Projektet që bashkia mbështet në kuadër të nismës Fondi i Komunitetit 50/50 në 90% të rasteve janë projekte për ruajtjen dhe eficencën e energjisë apo termoizolimin, gjë që flet për ndjeshmërinë ndaj çështjes.

Katerina Marku, nga Agjencia e Eficencës së Energjisë prezantoi disa nga projektet që po zbatohen nga kjo agjenci në 2021. Vetëm në Korcë përdoren mbi 100,000 m3 dru për tu ngrohur, duke sjellë probleme me çlirmin e CO2. Studimi i fisibilitetit për ngritjen e një sistemi ngrohje për të përjashtuar përdorimin e lëndës drusore është hapi i parë në adresimin e kësaj çështje. Projekte të tjera pilot po realizohen për ndriçimin urban smart, apo karrikimet e shpejta, transportin urban nderqytetas, në eficencën e impianteve për furnizimin me ujë të pijshëm dhe trajtimin e ujrave të zeza. E ardhmja është elektrike, ndaj edhe infrastruktura duhet te jete e duhur.

Znj. Kristina Andre përfaqësuese e BBEn Gjermani prezantoi eksperiencen gjermane përsa i përket zhillimit të komuniteteve dhe mënyrave efektive ku komuniteti mund të përfitojë nëpërmjet investimeve në energjitë e rinovueshme. Aleanca e komuniteteve të energjisë në Gjermani numëron rreth 500,000 qytetarë që përdorin, prodhojnë dhe konsumojnë energji elektrike nga burime të rinovueshme duke zënë 20% të energjisë që prodhohet në Gjermaninë e industrializuar. Po të përllogariten nevojat për energji në Shqipëri si 5 TWh dhe të përdoret koeficienti me tre-fish, atëherë duhet të flasim për një kapacitet  instalues prej 100-150 GWp ose 35 m2 PV për person. Patjetër që një përzierje e energjisë diellore me atë të erës dhe pranë vendit të shfrytëzimit do të ishte një mundësi e mire zhvillimi. Përfshirja dhe edukimi i qytetarëve është thelbësore, nëse duam që këto nisma të gjejnë zbatim.

Z Rodon Miraj këshilltar pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, përgjegjës për çështjet e reformës në sektorin e energjisë elektrike dhe energjitë e rinovueshme vlerësoi studimin që për herë të parë prek njëkohësisht çështje të tilla si energjia, gjinia dhe aspektet sociale. Ai theksoi se direktiva 2001-2018 e energjive te rinovueshme e trasnpozuar nga shteti Shqiptar e shtjellon në detaje mënyrën se si lejohet vetëprodhimi i energjisë. Brenda 2021 do të bëhet rishikimi i ligjit të energjive të rinovueshme i cili do të ketë përmirësime përsa i përket vetë konsumit të energjisë por jo në aspektin e komunteteve të energjisë. Sipas Z. Miraj, ligji nuk i pengon komuntetet e energjisë për tu krijuar, bashkëpunuar dhe prodhuar energji të rinovueshme për nevojat e tyre por në rastin se ky komuntitet energjie shfrytezon rrjetin ekzistues për të shitur energji aty çështja komplikohet për faktin se rrjeti i energjisë elektrike kërkon një balancë prodhimi energjie me konsumin e energjisë. Nëse kjo ndryshon shkaktohen probleme teknike me voltazhin, frekuencën etj. Energjia e rinovueshme nuk është e vazhduar dhe si e tillë në vende si Shqipëria duhet një balancim i mirë. Gjithsesi institucionet publike që përdorin energji gjatë ditës janë një instrument mjaft i mirë ku mund të punohet dhe pilotohet për vendosjen e paneleve që prodhojnë dhe shpenzojnë energji në mënyrë të vazhduar, duke mos ju bërë barrë rrjetit për të këmbyer energji.

Komunitetet e Energjisë funksionojnë duke respektuar shtatë parimet e bashkëpunimit të përcaktuara nga Aleanca Bashkëpunuese Ndërkombëtare (ABN). Parimet janë:

  • Anëtarësimi vullnetar dhe i hapur
  • Kontrolli demokratik i anëtarëve
  • Pjesëmarrja ekonomike përmes pronësisë direkte
  • Autonomia dhe pavarësia
  • Edukimi, trajnimi dhe informimi
  • Bashkëpunimi
  • Shqetësimi për komunitetin

Projekti EUCENA do të informojë dhe angazhojë qytetarët për të filluar projekte për energjinë si dhe të mbështesë temat e tranzicionit dhe krijimin e komuniteteve të energjisë në Shqipëri duke u bazuar në eksperiencat e vendeve europiane. Shumë shpejt, projekti do të nisë kursin online të hapur, në sistemin MOOC, me informacione dhe njohuri si për fillestar dhe për qytetar me njohuri më të avancuara në lidhje me energjinë dhe burimet e rinovueshme.

Ky aktivitet u realizuan në kuadër të projektit Akademia Europiane e Energjisë, “EUCENA” mbështetur nga programi “EUKI” Iniciativa Europiane për Klimën e Ministrisë Federale të Mjedisit, Mbrojtjes së Natyrës dhe Sigurisë Nukleare në Gjermani.

Spread the love