Mjekët dhe hulumtuesit rekomandojnë se çdo person, në ditë duhet të pijë nga tetë deri në dymbëdhjetë gota ujë, duke ruajtur funksionet jetësore të veshkave dhe organeve të tjera të trupit, si tek meshkujt ashtu edhe tek femrat. Çdo anëtar i një familjeje prej katër pjesëtarësh duhet të shpenzojë pesëdhjetë deri në njëqind lekë për ujin e pijshëm, përveç kostos që familja paguan për ujin e rrjetit të ujësjellësit, i cili në kryeqytet vjen ende me orare e ne vazhdojmë të furnizojmë bolierët përditshëm. Tirana e merr ujin nga Shënmëria dhe Selita, që e sigurojnë ujin nga Mali me Gropa. Edhe pse ujësjellësi kryen analiza për ujin me të cilin furnizohen qytetarët, ndotja sipërfaqësore në zonat ku janë rezervat e ujit janë ende pa kontroll dhe aktiviteti njerëzor nuk mbikëqyret apo penalizohet. Si mund të zgjidhet ky problem?

Ekspertët propozojnë një studim të mirëfilltë të zonave të pasura me rezerva të ujërave nëntokësore si dhe kontroll rigoroz e parandalues të aktiviteteve të ndryshme njerëzore të mbetjeve urbane dhe ujërave të zeza, ushtrimit të bujqësisë dhe blegtorisë, si ndotësit kryesor dhe shkaktarët potencial epidemik në popullatë. Përmendim këtu rastin e helmimit të banorëve në qytetin e Krujës. Njësia vendore e Shëndetit Publik në Krujë ka dalë në përfundimin se: “uji që kanë konsumuar qytetarët e Krujës që kanë shfaqur shenja helmimi, ka ngarkesa escherichia coli dhe streptokoku fekal, të cilat janë infiltruar në burime pas përzierjes me ujërat e zeza (abc neës, 27 tetor 2021). Për rastin e Krujës, ka pasur edhe dy konfirmime, njëra nga Bashkia ku thoshte se: “uji kishte përmbajtje ta larta të amoniakut” dhe tjetra nga policia “shkak i helmimit të banorëve ishte ndotja e ujit nga urinimi i lopëve që ndodheshin 100 metra larg depos së ujit të ujësjellësit” (gazeta telegraf, 4 nëntor 2021). Cilësia e ujit të pijshëm vërehet po ashtu në qytete dhe në fshatra të vendit. Nga një anketë e zhvilluar me qytetarët e Lezhës, në kuadër të projektit “WatSanPlan” mbështetur nga Ministria Federale për Mjedisin, Ruajtjen e Natyrës, Sigurinë Nukleare dhe Mbrojtjen e Konsumatorit (BMUV) për cilësinë dhe qasjen e qytetarëve në ujin e pijshëm rezulton se 60% e të intervistuarve kërkojnë përmirësim për furnizimin dhe cilësinë e ujit të pijshëm.

Ajo që vërejmë ne si shoqëri civile dhe ekspertët e mjedisit, në shkollat me të cilat punojmë është se jo të gjitha kanë ujë nga rrjeti i ujësjellësit përgjatë procesit mësimor. Uji që përdorin për larjen e duarve, pastrimin e tualeteve dhe mjediseve të shkollës mbahet në depozita, të cilat furnizojnë shkollat sipas nevojave që ato kanë. Për t’u pirë, ky ujë as që mund të mendohet. Ende në çantat e tyre nxënësit mbajnë shishet me ujë të blerë, përgjatë gjithë muajve të shkollës. Po ashtu edhe mjetet e tjera, që nevojiten për ruajtjen e higjienës së larjes së duarve janë të kufizuara ose mungojnë fare, kryesisht në zonat rurale. Por, edhe në shkollat e zonave urbane këto mjete nuk janë në sasinë e nevojshme për të plotësuar të gjitha nevojat e nxënësve e stafit mësimor, fakt ky që e pohojnë vetë nxënësit. Ne evidentojmë problemin, renditim fakte dhe shifra, shkruajmë e flasim, adresojmë prej shumë vjetësh problemin e mungesës së ujit dhe higjienës së pamjaftueshme në shkolla e jo vetëm, por a do të përmirësohet situata e qasjes dhe pasjes së ujit të pijshëm? Informimi dhe ndërgjegjësimi kërkon më tej përmirësimin e infrastrukturës, duke bërë investimet e nevojshme afatgjata, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, që të mos vazhdojë përsëri edhe pas tridhjetë vjetësh epopeja “erdhi uji… a ka ujë? Erdhi, por nuk pihet”!

Le të presim fundvitin 2022, ku forca pozitare dhe qeveria synon të përmbushë një ndër objektivat e saja, duke përmbyllur gjithë programin kombëtar të furnizimit me ujë të pijshëm dhe ne mos t’i kthehemi sërish kësaj çështje të përsëritur, por të vlerësojmë funksionimin e ujësjellësve në të gjithë vendin, duke vënë theksin në menaxhimin e burimeve ujore, si një sfidë e cila duhet të vazhdojë, ndonëse ne renditemi si një ndër vendet më të pasura me rezerva ujore në rajon.

Nga: Bujana Xhindoli, Milieukontakt Shqipëri  

Spread the love