Ndotja e ajrit është një nga problemet më serioze mjedisore dhe shëndetësore me të cilat përballet Shqipëria. Me rritjen e urbanizimit, industrive dhe numrit të mjeteve motorike, nivelet e ndotjes në disa qytete kryesore të vendit kanë arritur përmasa alarmante, duke na renditur të katërtën në Europë për nivelet e ndotjes së ajrit, me një shkallë vdekjesh të parakohshme nga ekspozimi prej 164 në 100,000 njerëz, cituar nga raporti: “Shëndeti në një vështrim” botuar nga Organizata per Bashkëveprim Ekonomik dhe Zhvillim/Komisioni Europian
Burimi: Foto e marrë nga web faqja zyrtare e EuroNews (https://www.euronews.com/health/2025/01/11/pollution-deaths-the-air-in-these-countries-is-the-deadliest-in-europe)
Pasojat e ndotjes së ajrit nuk kufizohen vetëm në shëndetin e qytetarëve, por ndikojnë edhe në biodiversitetin, klimën dhe cilësinë e jetës.
Milieukontakt Shqipëri në vitin 2023, në bashkpunim me Qëndren EPER, Together For Life dhe GO2 në kuadër të projektit “Ajër i pastër, jetë e shëndetshme” i financuar nga Agjencia Ndërkombëtare Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim arriti të identifikonte në 5 qytete kryesore (Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë dhe Shkodër) burimet e ndotjes se ajrit nëpërmjet matjeve të vazhdueshme të parametrave të cilësisë së ajrit (CO2, NO2, P.M2.5, P.M10). Gjithashtu rezultatet tregojnë dukshëm diferencën ndërmjet parametrave aktual të cilësisë së ajrit dhe standarteve të BE të përcaktuara ne Direktiven 2008/50/KE kuadër të cilësisë së ajrit.
Burimet kryesore të ndotjes së ajrit në Shqipëri janë:
- Transporti rrugor. Rritja e numrit të automjeteve, shumica e të cilave janë të vjetra, është një burim kryesor i ndotjes së ajrit në zonat urbane të vendit. Automjetet me motorë djegie të naftës emetojnë nivele të larta të dioksidit të azotit (NO2) dhe grimcave të imta (PM2.5 dhe PM10).
- Industria. Ka aktivitete që përdorin teknologji të vjetëruara, duke emetuar substanca ndotëse si dioksidi i squfurit (SO2), monoksidi i karbonit (CO) dhe gazrat serë. Mungesa e filtrave të duhur dhe mbikëqyrjes së rregulloreve kontribuon në rritjen e ndotjes.
- Aktiviteti ndërtimor dhe djegia e paligjshme e mbeturinave, përfshirë plastikën dhe materialet toksike, çlirojnë substanca të dëmshme në atmosferë. Kjo praktikë është veçanërisht e zakonshme në zonat periferike .
- Ngrohja me dru zjarri dhe ndotja sezonale.
- Gjatë periudhës së dimrit, djegia e druve dhe qymyrit për ngrohje shton ndjeshëm nivelin e ndotjes së ajrit.
- Në zonat detare gjatë sezonit veror përdorimi i mjeteve detare për argëtim ose turizëm rrit emetimet / shkarkimet në ajër.
Pasojat e ndotjes së ajrit ndihen në:
- Shëndetin e njeriut: Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), ndotja e ajrit është shkaktari kryesor i sëmundjeve respiratore, si astma, bronkiti kronik dhe sëmundjet kardiovaskulare. Në Shqipëri, rritja e nivelit të grimcave të imta (PM2.5) është e lidhur me shtimin e rasteve të sëmundjeve pulmonare.
- Mjedis dhe biodiversitet: Ndotja e ajrit dëmton vegjetacionin, duke ndikuar në fotosintezën dhe rritjen e bimëve. Lëndët toksike të emetuara në ajër bien në tokë dhe ujë, duke ndikuar negativisht te biodiversiteti dhe ekosistemet natyrore.
- Koston ekonomike, pasi ndotja e ajrit rrit shpenzimet shëndetësore, ul produktivitetin në punë dhe ka ndikim negativ në turizëm. Vizitorët mund të shmangin destinacione të ndotura, duke dëmtuar sektorin e turizmit.
Hapat drejt përmirësimit përfshijnë:
- Zbatimin e ligjeve mjedisore: Përmirësimi i legjislacionit dhe forcimi i kontrolleve mbi emetimet nga ndërtimet dhe transporti janë të domosdoshme. Rregulloret e reja duhet të sigurojnë që makinat e reja dhe ato ekzistuese të jenë në përputhje me standardet mjedisore.
- Promovimi i transportit të qëndrueshëm
- Zhvillimi i transportit publik të pastër dhe i sistemeve të biçikletave mund të zvogëlojë ndjeshëm ndotjen e ajrit në qytete.
- Subvencionimi i makinave elektrike dhe ndërtimi i infrastrukturës së nevojshme për to do të inkurajojë kalimin drejt mjeteve më ekologjike.
- Ndërgjegjësimi i qytetarëve nëpërmjet organizimit fushatave edukative për të informuar publikun mbi pasojat e ndotjes së ajrit dhe hapat që ata mund të ndërmarin për ta reduktuar është thelbësor.
- Zhvillimi i energjive të rinovueshme duke investuar në energjinë diellore dhe atë të erës mund të zvogëlojnë varësinë nga lëndët djegëse fosile dhe emetimet ndotëse.
Ndotja e ajrit në Shqipëri është një sfidë komplekse që kërkon bashkëpunimin e institucioneve shtetërore, sektorit privat dhe qytetarëve. Vetëm përmes strategjive të mirëmenduara dhe masave të qëndrueshme mund të mbrohet shëndeti i popullsisë dhe cilësia e mjedisit. Çdo hap drejt reduktimit të ndotjes së ajrit do të ndihmoj mjedisin dhe shëndetin.