Gjithnjë e më shumë qytetarë evropianë nuk janë në gjendje për të paguar kostot e larta të energjisë dhe strehimit. E drejta për energji dhe për strehimi të qënësishëm janë të drejta themelore për të gjithë qytetarët, dhe promovimi i “efikasitetit të energjisë ” mund të jetë një nga hapat shumë të nevojshëm për t’u trajtuar varfëria energjetike. Varfëria energjitike nuk është më vetëm një sfidë për familjet me të ardhura të ulëta; krizën e energjisë, e rritjes së nivelit të papunësia dhe kostos së jetesës po rezulton të jetë një sfidë për familjet me të ardhura mesatare, të cilët së shpejti mund të gjenden në rrezik të varfërisë energjetike. Në periudhën 2021–2022, projekti EmpowerMed – “Fuqizimi i grave për të marrë veprime kundër varfërisë energjitike në Mesdhe” ka zbatuar një sërë aktivitetesh praktike për të trajtuar varfërinë energjetike në Vlorë, me fokus në shëndet dhe gratë. Ndaj në 15 mars 2023, Milieukontakt Shqipëri nbashku me Qendrën Kombëtare të Konsumatorit prezantoi arritjet e këtij projekti në Konferencën kombëtare “Varfëria Energjitike – Dialogu Politik”. Qëllimi i konferencës ishte advokimi për adresimin e politikave dhe masave për varfërinë energjitike tek aktorët kombëtar dhe lokal.Të pranishëm në aktivitet ishin Komisioneri Kundër Diskriminimit, Komisionerja e Bordit të Entit Rregullator të Energjisë, nënkryetarja e Bashkisë Vlorë, përfaqësues nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, ekspertë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe media.Hapja e takimit u bë nga Znj. Valbona Mazreku (Drejtore Ekzekutive e Milieukontakt Shqipëri) e cila në fjalën e saj nënvizoi se konferenca merr një rëndësi të madhe sidomos për faktin që energjia ka tërhequr vemendjen e të gjithëve përgjatë vitit të fundit, sikundër diversifikimi, apo demokracia në energji. Z. Arion Sauku, menaxher prenzatoi projektin që zhvillohet në 6 vende të rajonit, punën e bërë me grupet vunerabël në Vlorë, masat dhe këshillat e ofruara. Ai u ndal në aktivitet e radhës për promovimin e gjetjeve, bashkëpunimin me aktorë vendor, kombëtar dhe të Bashkimit Evropian për të sjellë në vëmëndje të publikut, kompanive utilitare dhe vendimmarësve varfërinë energjitike, gjininë dhe ndikimin në shëndet.

Konferenca u organizua e ndarë në dy panele diskutimi: Paneli i parë i cili u lehtësua nga Znj. Ersida Teliti (Drejtore Ekzekutive Qendra e Konsumatorit Shqipëtar) me prezencë kryesisht të politikbërësve e vendimarrësve që punojnë në sektor. Znj. Teliti theksoi se 15 Marsi njihet edhe si Dita Ndërkombëtare e Konsumatorit, dhe ka në fokus të saj mbrojtjen e konsumatorëve, ruajtjen e shëndetit dhe sigurisë së tyre, si dhe me mbrojtjen nga çdo praktikë abusive. Këtë vit tema është: ‘Fuqizimi i konsumatorit përmes tranzicionit drejt energjisë së pastër’.

Të pranishëm në panel ishin: Z. Robert Gajda Komisioneri Kundër Diskriminimit. Ai tha se personat më të diskriminuar janë përsonat e pamundur ekonomikisht, familjet me ndihme ekonomike edhe pse të evidentuar nga shteti iu është ndërprerë shërbimi i energjisë elektrike. Ndërprerja e energjisë elektrike cënon shumë të drejta që kanë të bëjnë me shëndetin, mos pasja ngrohje në shtëpi, mos pasja e ujit të ngrohtë për higjenë, të drejtën për t’u arsimuar, etj. Në fjalën e tij Z. Gajda përmendi edhe njëhërë rekomandimet të cilat institucioni i tij së bashku me organizata të shoqerisë civile kanë dërguar tek ministria për mbështetjen e klientëve në nevojë.

  • Miratimi i akteve nënligjore për ligjin i cili përcakton klientin në nevojë
  • Mos prerja e energjisë elektrike për familjet të cilat nuk kanë mundësi ta paguajnë atë.
  • Kategorizimi i familjeve të cilat kanë jo vetëm kryefamiljarin invalid por edhe një person të familjes të përfshihet në skemën e rimbursimit të energjise elektrike.

Znj. Erjola Sadushi Komisionere Enti Rregullator i Energjisë (ERE), e cila prezantoi detyrat dhe përgjegjësitë e institucionit që ajo përfaqëson duke përmendur se ERE nuk ndërmer politika apo subvencionon klientët në nevojë. Janë ministritë e linjës ato të cilat duhet të hartojnë politikat dhe skema mbështetëse për kategori të ndryshme familjesh. Gjithashtu ajo theksoi rëndësinë e madhe që ka jo vetëm angazhimi në rang institucional për të adresuar sfidat që varfëria energjitike paraqet por edhe vendosja e urave të bashkëpunimit të planit të veprimit mes aktorëve politikëbërës, rregullatorë si dhe ndërmjetës apo përfaqësues të interesave të konsumatorëve.

Znj. Aulona Veizi Nënkryetare e Bashkisë Vlorë, përmendi investimet që bashkia ka realizuar në institucionet publike shkolla, kopshte dhe çerdhe në lidhje me eficencën e energjisë në godina.

Z. Andi Spahiu përfaqësues i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjise prezantoi subvencionet që qeveria ka vënë në dispozicion të familjeve për vendosjen e paneleve për ngrohjen e ujit duke i mbuluar 70% të investimit. Gjithashtu një politikë tjetër është krijimi i Fondit të Garancisë nga prodhuesit e energjisë nga burimet e rinovueshme për t’i ardhur në ndihmë grupeve vunerabel apo edhe mundësia për të instaluar panele fotovoltaike për prodhimin vetjak të energjisë deri ne 500kWp.

Paneli i dytë i moderuar nga Znj. Valbona Mazreku kishte të ftuar aktivistë nga shoqeria civile, nga formimi profesional dhe sektori i shëndetit. Panelistët ndanë me auditorin eksperiencat e tyre nga zbatimi i projekteve dhe realiteti qe ato kanë prekur si dhe përvoja pozitive në fushen e edukimit të brezit të ri.

Znj. Lira Hakani përfaqësuese e Qëndrës EDEN prezantoi rezultatet e pyetësorit të zhvilluar për evidentimin e familjeve në kushtet e varfërisë energjitike në zonat rurale. Pas 6 viteve të miratimit të ligjit “Për performancën e energjisë së ndërtesave”, 91% e të anketuarve nuk kanë dëgjuar për këtë ligj. Kostoja e faturës së energjisë elektrike është 12.5% më shumë në familjet me të ardhura mesatare familjare mujore mbi 80,000 lekë në krahasim me familjet me të ardhura mesatare mujore ≤20,000 Lekë. Më shumë se 4/5 e të anketuarve shprehen se kanë vështirësi në pagesën e faturës së energjisë elektrike. Është e nevojshme që të hartohen kritere për të patur një databazë të familjeve të cilësuara në varfëri energjetike, që ndodhen në vështirë të ndryshme jetese nga familjet në nevojë.

Znj. Ferdiola Tare Drejtore Ekzekutive, Qëndra Treja përmëndi rastet e familjeve të cilat edhe pse në kushtet e pamundësisë ekonomike OSHE i ka shkëputur energjine elektrike si pasojë e mospagesës së faturave. Prerja e energjisë elektrike kishte ndikim të drejtpërdrejt tek fëmijët të cilët nuk mund të mësonin në errësirë, apo tek personat e sëmurë të cilët duhet të përdornin pajisje oksigjeni që kërkojnë energji elektrike etj. Znj. Tare theksoi se për këto kategori familjesh Ministria e Energjitikës duhet të marri masa konkrete për t’i subvencionuar pagesat e energjisë si një e drejtë bazë për të jetuar me dinjitet.

Në fjalën e tij Z. Gazment Koduzi Ekspert i Shëndetit Publik deklaroi se poliklinikat e lagjeve mund të kontribojnë në evidentimin e familjeve në kushtet e varfërisë energjitike por duhet nje mekanizëm i qartë se si kjo procedurë do të funksionajë dhe politikbërësit ta miratojnë në nivel kombëtar së bashku me indikatorët bazë të cilët do të monitorohen nga mjekët e familjes. Ai përmëndi disa raste të cilat pacientët kanë pasur predispozicion për të agravuar sëmundjet (sëmundjet respiratore, gripi, dhimbja e kokës, reomatizma) si pasojë e kushteve të banesave ku jetojnë.

Z. Fatos Rukaj Drejtor i Shkollës Profesionale Vlorë tha që në shkollën që ai drejton ka mbi 70% studentë gra të cilat kryesisht vijnë nga zonat rurale dhe një pjesë e tyre vijnë edhe nga familje me të ardhura të ulta. Në fjalën e tij përmëndi rëndësinë që ka edukimi në shkollat profesionale për sa i përket varfërisë energjitike dhe këshillave që mund t’i jepen familjeve në nevojë për kursimin e energjise me pajisje të vogla eficente. Gjithashtu ai përmëndi edhe investimin në panele fotovoltaike në godinën e shkollës e realizuar nga Milieukontakt në kuadër të projektit EmpowerMED. Investimi shërben për të ulur faturën e energjisë elektrike në fund të muajit por edhe si një demostrim për klasat e ndryshme të cilët mund të zhvillojnë trajnime për teknologjinë e paneleve fotovoltaike.

 

Në përfundim të konferencës u prezantuan dhe rekomandimet e hartuara nga partnerët e projektit në nivel (i) integrimi politikash; (ii) gjinie; (iii) sezoni vere; (iv) ndikimi në shëndet. Disa nga rekomandimet më emergjente ishin:

  • Përkufizimi i varfërisë energjitike që merr parasysh aspektet gjinore dhe ndërsektoriale
  • Ndalimi ligjor i prerjes së energjisë elektrike
  • Nisma për fuqizimin e qytetarëve për të vepruar
  • Rritja e ndërgjegjësimit për aspektet gjinore dhe ndërsektoriale të varfërisë energjitike
  • Mbledhja e të dhënave të ndara sipas gjinisë dhe perspektiva ndërsektoriale mbi varfërinë energjitike

Ndërkohë që masa të tjera të shtrirë në kohë mund të jenë:

  • Dhënia prioritet grave në trajnime dhe punë në rinovimin e banesave dhe burimet e rinovueshme
  • Mbështetje financiare për qytetarët vulnerbël
  • Varfëria energjitike e verës duhet të theksohet në debatin për varfërinë energjitike
  • Planet e përshtatjes klimatike të integrojnë varfërinë energjitike të verës
  • Përdorimi i zgjidhjeve të teknologjisë së ulet dhe ftohja pasive
  • Përdorimi i burimeve të rinovueshme të energjisë për të trajtuar varfërinë energjitike gjatë verës
  • Më shumë kërkime mbi lidhjen/ ndikimin e varfërisë energjitike dhe shëndetit
  • Njohja dhe pranimi i dimensionit të shëndetit mendor si rrjedhojë e varfërisë energjitike
  • Vëmëndje e specialisteve shëndetsorë ndaj familjeve në varfëri energjitike.

 

Ky projekt financohet nga Programi i Kërkimit dhe Inovacionit Horizon 2020 të Bashkimit Evropian, kontrata Nr. 847052. Autorët janë përgjegjës të vetëm për përmbajtjen e këtij dokumenti. Nuk reflekton domosdoshmërisht mendimin e BE. As EASME dhe as Komisioni Evropian janë përgjegjës për informacionin e përdorur në të.

 

 

Spread the love