“Shkolla ime riciklon”, është një projekt i nënkontraktuar nga Bashkia Tiranë, me një fond të Bashkimit European. Projekti është pjesë e projektit “Kryeqytetet që bashkëpunojnë për sfidat e përbashkëta në menaxhimin e mbetjeve të rrezikshme – Yerevan, Varshavë, Tiranë”.
Ky projekt synon a) informimin dhe ndërgjegjësimin e nxënësve dhe komunitetit për menaxhimin e mbetjeve; b) prezantimin e skemës pilot për ndarjen e mbetjeve urbane; c) veprimin dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve arsimore, komunitetit dhe shoqërisë civile. Grupi i synuar i përfshirë në këtë projekt do të jenë nxënësit e shkollës fillore “Pjeter Budi” dhe nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri”. Të dyja shkollat janë në Bashkinë e Tiranës.Bashkia e Tiranës është bashkia më e madhe në Shqipëri dhe me densitet të lartë, ku menaxhimi i mbetjeve po bëhet gjithnjë e më i vështirë. Për shkak të rritjes së shpejtë të popullsisë në vazhdimësi, e cila reflektohet në zhvillimin e ndërtimit në sektorin e shërbimeve, bashkia e Tiranës duhet të përballet me probleme mjedisore, që lidhen me menaxhimin e mbetjeve, rikuperimin e materialeve të riciklueshme, mbetjet e vetme plastike. Pjesë përbërëse e menaxhimit të mirë të mbetjeve është informimi dhe ndërgjegjësimi i nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme. Disa prej aktiviteteve që do të zbatohen në bashkëpunim me të dyja shkollat do të fokusohen në prezantimin e skemës pilot për ndarjen e mbetjeve urbane dhe të rrezikshme; aktivitete ndërgjegjësuese në komunitet nëpërmjet takimeve derë më derë; konkurse mbi videon promovuese dhe informuese si dhe artwork.