Milieukontakt në bashkëpunim me të rinjtë vullnetarë, në kuadër të projektit EmpowerMed ka filluar procesin e auditimit të energjisë pranë familjeve të targetuara në Bashkinë Vlorë. Pranë familjeve me kryefamiljare gra, ndihmë ekonomike, pensionistë dhe grupe në nevojë, të cilat jetojnë në kushtet e varfërisë energjitike janë realizuar vizitat e para. Këto janë kategoritë të cilat kanë vështirësitë më të mëdha për të paguar faturën e energjisë elektrike si dhe nuk kanë mundësi të ngrohin shtëpitë e tyre gjatë periudhës së dimrit apo ftohin gjatë verës. Gjithashtu, këto familje nuk mund të kryejnë investimet e nevojshme për të përmirësuar efiçencën e energjisë, e cila do të ofronte për ta kushte më të mira jetese dhe përftime ekonomike, duke paguar më pak për energjinë që konsumojnë.

Grupet e audituesve përgjatë vizitiva kanë komunikuar me familjet nëse kanë humbje nxehtësie, izolim të pamjaftueshëm të dyerve dhe dritareve, lagështi, etj. Ata janë këshilluar për vështirësitë e problemet e paraqitura nga kryefamiljarët për kushtet jo të mira ekonomike, të cilat ndikojnë në varfërinë energjitike në veçanti dhe mungesa të shërbimeve të tjera jetësore në përgjithësi. Familjet janë orjentuar për problemet shëndetësore që janë të lidhura me mungesën e kushteve të rehatisë si në dimër dhe në verë.

Familjeve, iu janë vënë në dispozicion pajisje të cilat shërbejnë për kursimin e energjisë elektrike si izolues për dyert e jashtme dhe dritare, llamba LED, zgjatues me çelës, koka dushi, etj. Instalimi i tyre është shoqëruar me këshilla nga audituesit për familjarët për mirëmbajtjen e pajisjeve, këshilla për kursim energjie dhe uji. Duke kontrolluar konsumin e tyre, ata do kenë mundësi të kontrollojnë faturat e energjisë elektrike dhe ujit.

Projekti EmpowerMed synon të kontribuoj në zbutjen e varfërisë energjitike dhe përmirësimin e shëndetit të njerëzve të prekur nga varfëria energjitike në zonat bregdetare me një fokus të veçantë gratë, përmes masave praktike, të përshtatura për të fuqizuar familjet e prekura nga varfëria e energjisë dhe përzgjedhjes së burimeve të duhura të energjisë.

Spread the love