Nga prill 2018 e deri më sot në kuadër të projektit Mushkëri të Gjelbra i financuar nga Bashkimi Evropian, Milieukontakt Shqiperi dhe Co-Plan kanë monitoruar cilësinë e ajrit në 84 stacione të ndryshme në qytetin e Tiranës, monitorim i cili do të shtrihet edhe më gjerë përgjatë dy viteve të ardhshme duke mbuluar pothuajse gjithe zonën brenda unazës së madhe në Tiranë.

Për matjen e treguesve është përdorur pajisja me bazë sensori të quajtur Aeroqual Series 500. Pajisja e përdorur është një zgjidhje alternative e monitorimit të cilësisë së ajrit e cila jep rezultate në kohë reale. Pajisja funksionon me anë të sensorëve të ndryshëm të gazit dhe sensorë të grimcave për monitorimin e parametrave të ndryshë si PM2.5, PM 10, CO, CO2, SO2, NO2, O3 dhe VoC.

Pas vitit të parë të matjeve në terren u analizuan të dhënat për të evidentuar zonat problematike, ku niveli i ndotjes i kalon normat standarte të BE-së dhe ato shqiptare, ekzaktësisht në 7 stacione për PM2.5 dhe 84 stacione për Dioksidin e Karbonit (CO2), Dioksidi i Azotit (NO2), dhe Komponentët organik të paqëndrueshëm (VoC). Pjesa tjetër e parametrave të matur (PM2.5, PM10 CO, SO2 dhe O3)  kanë qenë brenda standarteve evropiane.

Zonat ku ka pasur tejkalime të normave për PM2.5, CO2, NO2 dhe VoC janë: Rruga e  Elbasanit, Ish-kryqëzimi i 7 Xhuxhave me Bulevardin Bajram Curri, Rr Mustafa Matohiti, Rr. George.W.Bush, Rr Barrikadave (9-katëshet) dhe Sheshi Italia (ish-Stadiumi Qemal Stafa). Theksojmë se standardi i BE-së për PM2.5 është 0.025 mg/m3, për NO2 – 0.04 mg/m3, CO2 – 350 PPM dhe VOC – 0.5 mg/m3. Ndërkohë ka edhe disa pika të tjera ku vlerat janë në kufinjtë e standartit si psh: në Rr. Dervish Hima dhe Rr. Ibrahim Rugova.

Arsyeja e ndotjes vjen kryesisht nga shkarkimet e automjeteve ku problematike mbeten makinat e vjetra me motor diezel. Kontribut jo më pak të rëndësishëm në rritjen e përqëndrimit të këtyre grimcave në ajër japin kantieret e ndërtimit dhe rikonstruksioni i rrugëve. Ato janë një nga ndotësit e ajrit që shkaktojnë probleme serioze në shëndetin e njeriut.

Në Indeksin e Ndotjes 2019 (Numbeo[1]), Tirana renditet si një prej qyteteve më të ndotura në Evropë. Renditja bazohet në perceptimin që kanë qytetarët për e ndotjen. Rolin më të madh në përllogaritjen e ndotjes së një qyteti e zë ndotja e ajrit dhe e ujit. Kryeqyteti i Shqipërisë vijon të jetë një ndër vendet më të ndotura të Evropës. Indeksi i ndotjes, portali më i madh i të dhënave mbi cilësinë e jetës, tregoi se ndotja në Tiranë është më e lartë në 6-mujorin e 2019-s.

 

Përkeqësimi i nivelit të ndotjes në Tiranë sjell edhe uljen e cilësisë së jetës për ata që jetojnë në kryeqytet apo që vizitojnë Tiranën. Ndër qytetet më të ndotura të Bashkimit Evropian renditet Napoli, i cili është në vend të gjashtë, ndërsa Bukureshti renditet në vendin e 9-të. Qyteti më pak i ndotur i Evropës është Helsinki, kryeqyteti i Finlandës, i cili ka shënuar për 6-mujorin e 2019-s vetëm 12.4 pikë në indeksin e ndotjes.

Rezultati i dobët i Tiranës nuk përbën më çudi për qytetarët e saj. Ndërtimet e shumta në qendrat e zhvilluara urbane dhe transporti publik me një flotë autobuzësh të vjetëruar, janë shkaktarët kryesorë të trafikut të rënduar në pothuaj gjithë rrugët kryesore, ç’ka përkthehet në ndotje të ajrit nga makinat dhe “qiejgërvishtësit” e rinj që po mbijnë në çdo hapësirë të lirë të gjelbër.

[1] https://www.numbeo.com/pollution/in/Tirana, Numbeo shërben si baza më e madhe e të dhënave mbi kostot dhe cilësinë e jetës

 

 

 

Spread the love