Nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Meleq Gosnishti” në Përmet u njohën me temën “Uji dhe rëndësia e tij”, monitorimi i cilësisë së ajrit, si dhe vizituan për qëllime studimore Ujërat Termale Bënjë, për t’u njohur me vlerat kurative të tyre.

Në fillim nxënësit morën njohuri bazë për ujin në jetën tonë. Toka quhet “Planeti Blu” për shkak të përhapjes së madhe të ujit në sipërfaqen e këtij planeti, ndonëse vetëm 0.6% e kësaj sasie uji është i përshtatshëm për t’u pirë. Uji gjendet në lumenj, liqene,

dete, oqeane, akullnaja, ajër (në formë reje), si dhe në tokë e nën të. Të gjitha këto forma janë pjesë e një cikli hidrologjik, në të cilin çdo pjesë e tij ka një sasi të caktuar të sasisë totale të ujit në planet. Ne të gjithë e përdorim ujin, prandaj jemi përgjegjës për ta kursyer dhe mbrojtur atë nga ndotja.

Dy janë parimet bazë, që duhet të mbahen parasysh nga secili prej nesh për të mbrojtur burimet ujore: Kurse dhe Mbro! Uji i cilësisë së mirë shpërndahet në shtëpitë tona dhe në fabrika e uzina nëpërmjet rrjetit të shprëndarjes për furnizim me ujë. Megjithatë rrjedhjet që ndodhin nga ky mjet apo lidhjet për të marrë ujë në mënyrë të paligjshme janë të përhershme dhe në disa raste rritin shumë humbjet e ujit nga rrjeti i furnizimit.

√ Rreth 70% e sipërfaqes së tokës është e mbuluar me ujë.

√ Rreth 83% të gjakut tonë e përbën uji;

√ Uji përbën rreth 65% të peshës së një kafshe dhe rreth 60% të peshës së nje peme.

√ Edhe produktet e bimëve, si edhe ato të kafshëve përmbajnë sasi të madhe uji.

Nevoja për ujë është një domosdoshmëri për të gjitha gjallesat dhe gjatë ditës duhet pirë 1.2 litra ujë. Për këtë arsye secili nga nxënësit nëpërmjet një ushtrimi të vogël individual, llogaritën sasinë e ujit që konsumojnë në ditë. Nga eksperti u trajtuan edhe çështje si:  përdorimet më të zakonshme të ujit,  menaxhimi i burimeve ujore në Shqipëri, problematikat kryesore në botë dhe në vendin tonë, rëndësia e ujit të pastër për njerëzit dhe shëndetin e tyre.

Pas përfundimit të orëve mjedisore u organizua edhe një ekskursion pranë Ujërave Termale të Bënjës. Edhe pse nuk ishte hera e parë që nxënësit i vizitonin këto ujëra, ata sërisht gjetën gjëra të reja për të mësuar. Të njohura që në antikitet këto burime sulfurore, që dalin nga një çarje e thellë tektonike, janë të ndryshme e burojnë në të dyja anët e kanionit të lumit Langarica. Vlerat e tyre kurative dhe shëruese të disa sëmundjeve çmohen si të jashtëzakonshme e madje shumë specialistë i cilësojnë këto burime si më të mirat që gjenden në Evropë.

Në Bënjë ndodhen katër burime termale që trajtojnë problemet e reumatizmës, veshkave, problemet e lëkurës si dhe një tjetër për shëndetin e stomakut. Eksperti që shoqëronte nxënësit u shpjegoi atyre mënyrat për të kryer matjet mbi analizat fiziko-kimike të ujërave sipërfaqësorë.

Ky aktivitet është realizuar nga Shoqata “Vjosa Eksplorer” në bashkëpunim me Organizatën “Milieukontakt” në kuadër të projektit “Iniciativa për Zhvillimin e Turizmit të Qëndrueshëm në Bashkinë Përmet” i cili është shpallur fitues nga Programi Rajonal mbi Demokracinë Vendore në Ballkanin Perëndimor – “ReLOaD” që mbështetet financiarisht nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).

 

 

 

Spread the love