Më 24 prill 2025, në ambientet e Hotel Tirana International u zhvillua workshop-i rajonal me temë “Informimi dhe ndërgjegjësimi efektiv i qytetarëve mbi Certifikatën e Performancës së Energjisë”. Aktiviteti u organizua nga Milieukontakt Shqipëri në kuadër të projektit RenovAID, në bashkëpunim me Balkan Green Foundation (BGF), Institute for Development Policy (INDEP), WiseEuropa (Poloni) dhe ENERGIAKLUB (Hungari). RenovAID financohet nga EUKI – Iniciativa Evropiane për Klimën, një program i Ministrisë Federale Gjermane për Çështjet Ekonomike dhe Veprimin Klimatik (BMWK).
Ky workshop mblodhi së bashku një gamë të gjerë aktorësh: përfaqësues të ministrive dhe bashkive, organizata të shoqërisë civile, sektorin privat të energjisë nga Shqipëria dhe Kosova, si dhe partnerët teknikë nga Polonia dhe Hungaria. Qëllimi ishte të diskutohen sfidat dhe mundësitë që lidhen me përmirësimin e efikasitetit energjetik në ndërtesa, një temë me rëndësi thelbësore për tranzicionin energjetik të rajonit.
Gjatë aktivitetit pati prezantime tematike dhe diskutime të thelluara, ku u krahasuan realitetet aktuale të Shqipërisë dhe Kosovës në lidhje me politikat e rinovimit energjetik. Ekspertët nga BE ndanë praktikat më të mira mbi funksionimin e Certifikatave të Performancës së Energjisë (CPE), ndërsa pjesëmarrësit nga Shqipëria dhe Kosova shprehën problematikat specifike me të cilat përballen në vendet e tyre, si mungesa e kuadrit të plotë ligjor, kapacitetet e ulëta institucionale, mungesa e aksesit në financime dhe niveli i ulët i ndërgjegjësimit qytetar.
Prezantimi i raportit krahasues mbi kuadrin e CPE në BE, Shqipëri dhe Kosovë shërbeu si pikënisje për diskutime mbi pengesat aktuale dhe masat prioritare për secilin kontekst kombëtar, si dhe mbi mundësinë për të ndërtuar një qasje të harmonizuar dhe gjithëpërfshirëse në nivel rajonal.
U theksua gjithashtu rëndësia e adresimit të varfërisë energjetike, me theks të veçantë në krijimin e masave mbështetëse për grupet vulnerabël, të cilat shpesh mbeten të përjashtuara nga proceset e rinovimit dhe transformimit të qëndrueshëm të ndërtesave.
Workshop-i u përmbyll me konkluzione dhe rekomandime konkrete, duke theksuar nevojën për bashkëpunim të ngushtë ndërmjet sektorit publik, privat dhe shoqërisë civile në të dy vendet, si dhe mbështetje teknike dhe financiare të vazhdueshme nga institucionet ndërkombëtarë. Kjo ngjarje përbën një hap të rëndësishëm drejt krijimit të politikave të qëndrueshme dhe të integruara për një të ardhme energjetikisht më efikase dhe më të drejtë për të gjithë qytetarët e rajonit.