Ka filluar në datën 10 dhe 11 nëntor fushata e projektit pilot për mbledhjen e diferencuar të plastikës, e cila synon të ndihmojë në reduktimin e mbetjeve të plastikës në sipërfaqet ujore të qytetit të Lezhës. Fushata informuese dhe njëkohësisht ndërgjegjësuese për edukimin e brezit të ri dhe komunitetit lezhian, është pjesë e nismës  #perdormepakplastike#GIZ Albania, në bashkëpunim me Milieukontakt Shqipëri, mbështetjen e Bashkisë Lezhë e komunitetit gjithashtu.

Përveç informimit-edukimit-ndërgjegjësimit pjesë shumë e rëndësishme e këtij projekti pilot është investimi dhe përmirësimi i infrastrukturës për vendosjen e kontenierëve të posaçëm për mbledhjen e diferencuar të plastikës. Kontenierët do të vendosen në segmente të përdorshme nga qytetarët dhe turistët në zonë. Fushatës të sapo filluar i janë afruar duke ofruar angazhimin e tyre të rinjë të moshave të ndryshme. Destinacioni kryesor i kësaj fushate është kanali i Cenit, ku në zonë ka filluar shpërndarja e materialeve informuese për ndarjen e mbetjeve që në burim. Materialet informuese (fletëpalosje, kapele, çanta bezeje, bluza)  janë shpërndarë tek qytetarët, bizneset dhe institucionet publike.

Për të jetësuar gjatë nismën, përveç edukimit dhe informimit, është e nevojshme praktika e, në rastin konkret investimi në infrastrukturë; “e gjatë është rruga e të mësuarit përmes teorisë, e shkurtër dhe e frytshme përmes shembullit” thotë Seneka (filozof, politikan dhe studiues natyre). Që investimi, i cili do të kryhet në një fazë të dytë, të përmbush qëllimin e dëshiruar, përgjatë fushatës nga grupi i punës dhe të rinjtë lezhian, kanë filluar vizitat ‘derë më derë’ në zonën pilot. Përgjatë tyre komuniteti do t’i tregohet puna e kryer për mbledhjen e diferencuar të plastikës, menaxhimi i nevojshëm si dhe, duke i ftuar qytetarët të mbështesin këtë fushatë me veprime të kontrolluara dhe shembuj të mirë qytetarie. Pas vizitave grupi i punës do të vazhdojë më  tej me monitorimin e hedhjeve të mbetjeve të plastikës në kontenierët e instaluar pranë kanalit të Cenit. Kanali quhet ndryshe edhe kanali i Fildanes; kalon në pjesën jugore të qytetit të Lezhës.

Përgatiti: Bujana Xhindoli, Milieukontakt Shqipëri

Spread the love