Fillimi i muajit qershor, përkatësisht datat 3 dhe 8 mblodhën së bashku nxënës, mësues, përfaqësues të Njësisë Administrative Paskuqan dhe Bashkisë Kamëz në dy aktivitete pastrimi pranë rrugës “Fan Noli” dhe “Riza Cerova”. 130 nxënës të pajisur me mjete mbrojtëse, janë angazhuar për të pastruar zonat ku ata mësojnë dhe jetojnë, duke treguar një shembull të mirë qytetarie, edhe pse në këto ditë moti ka qenë i nxehtë. Aktivitetet nisën me grumbullimin e nxënësve pranë pikave të përcaktuara nga Njësia Administrative Paskuqan. Grupit të të rinjëve dhe pjesëmarrësve të tjerë iu ofruan bluzat e përgatitura në vazhdën e projektit.

Në datën 3 qershor një grup prej 100 pjesëmarrësish u nda në grupe të vegjël, për të qënë sa më efektiv në pastrimin e zonave pranë rrugës “Riza Cerova”. Gjatë kohës së pastrimit interes treguan edhe banorët e zonës, të cilët simbolikisht u bashkuan me grupin e të rinjve, duke i inkurajuar dhe falenderuar për kontributin dhe rritjen e ndërgjegjes së qytetarëve përmes shembujve dhe nismave të tilla. Ajo që u konstatua përgjatë pastrimit në rrugën “Riza Cerova” ishin hedhja e sasive të vogla të mbetjeve interte pranë ose ndërmjet banesave. Sipas një vrojtimi të shpejtë në sasinë e mbetjeve që u mblodhën kishte qese patatinash, shishe plastike, kanaçe, kuti kartoni të lëngjeve dhe ambalazhe të ndryshme.

Nisma e  dytë, ajo e datës 8 qershor bëri së bashku 30 nxënës të shkollës 9-vjeçare “Jashar Hoxha” të cilët filluan në orët e para të mëngjesit mbledhjen e mbeturinave pranë rrugës “Fan Noli”. Edhe në këtë zonë ishte thuajse e njëjta situatë me atë të rrugës “Riza Cerova”; copëza plastike, letra patatinash dhe kanaçe “djersiteshin” nga dielli i qershorit. Pasi përfunduam mbledhjen e mbetjeve, së bashku me nxënësit vizituam mjediset e bukura pranë liqenit të Paskuqanit. Një prej nxënësve me të drejtë pyeste shokët, shoqet dhe mësuesen: “Po pse kaq e vështirë është të kemi mjedise të pastra edhe në zonat ku ne jetojmë?” Kjo është ende një pyetje retorike jo vetëm për bashkinë Kamëz, por edhe në bashki të tjera, pasi qyetetarët pas riparimeve apo ndërtimit të banesave, inertet i shkarkojnë pranë mjediseve publike apo buzë lumenjëve. Sipas punonjësve të bashkisë Kamëz, bregu i lumit të Tiranës mbetet ende një çështje delikate, pasi edhe pse janë bërë pastrime rrënjësore pranë zonës, përsëri vazhdon hedhja e mbeturinave.

Menaxhimi i mbetjeve është ende problem kombëtar, pasi shumë bashki kanë në territoret e tyre “zona të nxehta”,  kryesisht jashtë zonave urbane,  të cilat janë krijuar ndër vite.  Qasja dhe sjellja qytetare është një tjetër problematikë e cila duhet adresuar, duke marrë masa të rrepta dhe penalizuar ata qytetarë që vazhdojnë të hedhin mbeturinat nga ballkoni, dritaret e mjeteve të transporit publik apo vetjak, apo hedhja e mbetjeve voluminoze në zona të paautorizuara. Dy nismat e pastrimit janë mundësuar nga projekti: “Mjedis i pastër, shëndet dhe edukim cilësor në shkollat e Paskuqanit” në kuadër të Programit Rajonal për Demokracinë Vendore në Ballkanin Perëndimor 2 (ReLOaD2), i cili financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).

 

 

Spread the love