Emri Kamëz përmendet rreth vitit 1431. Dëshmitë e mbërritura deri në ditët tona pohojnë se në tokat e Kamzës ka pasur shumë ullinj të egër dhe rreth trungut të tyre mbinin filiza që quheshin “kamëza ulliri”. Për këtë arsye tokat midis lumit të Tiranës dhe Tërkuzës morën emërtimin Kamëz. Bashkia Kamëz ka një pozicion të rëndësishëm nga pikëpamja e zhvillimit ekonomik, kulturor dhe arsimor, pasi është nyja lidhëse mes Tiranës dhe qyteteve të tjera me pjesën veriore të vendit.

Në Kamëz ndodhet Universiteti Bujqësor i Tiranës, i cili për vitin 2018-2019 u vlerësua nga Këshilli i Lartë për Kërkime Shkencore (Consejo Superior de Investigaciones Científicas CSIC) si një ndër universitetet e para në vend, i cili plotëson të gjitha standardet e akreditimit (70 vjet universitet). Sot bashkia Kamëz, me sipërfaqen me të vogël dhe me densitetin më të lartë në vend ështe praktikisht bashkia më urbane, kjo për shkak të vazhdimit të rritjes së shpejtë të popullsisë, që pasqyrohet në zhvillimin e ndërtimit dhe në sektorin e shërbimeve. Kësaj bashkie i duhet të përballet me probleme të ndryshme infastrukturore dhe mjedisore si: menaxhimin e mbetjeve, rikuperimin e materialeve të riciklueshme shtimin dhe mirëmbatjen e sipërfaqeve të gjelbra.

Sektorët e mësipërm kërkojnë jo vetëm menaxhim dhe ndërhyrje integrale, por njëkohësisht bashkëpunim edhe mbështetje nga komuniteti. Në këtë bashki gjendet liqeni i Paskuqanit, si një prej burimeve artificiale shumë të rëndësishme të Njësisë Administrative me të njëjtin emër. Ujëmbledhësi i Paskuqanit (sot liqen)  daton ndërtimin e tiij në vitin 1983, me digë të tipit homogjene me lartësi 27.8 m. 85 ha të liqenit të Paskuqanit janë hipotekuar si pronë shtetërore. Në pjesën veri-lindore të liqenit, pas viteve ’90 janë ndërtuar një numër i vogël ndërtesash, por numri i tyre është i pakët krahasuar me sipërfaqjen e tij. Terreni i ngritur përreth liqenit mundëson mbledhjen e rreshjeve në dy përrenjë, të cilët më pas derdhen në liqen.

Përreth liqenit të Paskuqanit Bashkia e Kamzës ka filluar ndërtimin e pedonales, e cila do t’ju vijë në shërbimi si këmbësorëve ashtu edhe përdoruesve të biçikletave. Prej kohësh në zonë, me iniciativën e Kryetarit të Bashkisë, Z. Suli, dashamirësve të mjedisit dhe bizneseve është punuar për gjelbërimin e zonës përreth liqenit. Në të ardhmen e afërt liqeni do të marrë një rëndësi të veçantë, pasi në drejtim të tij do të shkojë zgjatimi  i  bulevardit qendror  të  kryeqytetit dhe parku i liqenit të Paskuqanit do të shërbejë si vend pushues e argëtues për banorët e zonës dhe qytetarët e Tiranës. “Ne jemi shumë optimist dhe shpresojmë që shumë shpejt, liqeni i Paskuqanit të kthehet si një ndër atraksionet e preferuar të vizitorëve, pasi është lehtësisht i arritshëm“ shprehet Inxh. Mirjan Dodgjini, inxhinier pranë sektorit të Gjelbërimit të kësaj bashkie. Tek sheh ndryshimet e bëra në zonën e liqenit, pemët e mbjella dhe ato që do të mbillen nga organizata Milieukontakt në muajin tetor-nëntor, si nismë e projektit “Mjedis i pastër, shëndet dhe edukim cilësor në shkollat e Paskuqanit” në kuadër të Programit Rajonal për Demokracinë Vendore në Ballkanin Perëndimor 2 (ReLOaD2), i cili financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), me bashkëfinancim të bashkisë Kamëz, ti parapërfytëron sesi do të gjesh një pyll të vogël, një oaz çlodhës, të mbjellë me pemë dekorative e frutore.

Por liqeni ka edhe veçantitë e tij. Disa prej kallamave që rriten aty, në ditë të veçanta punonjësit e sektorit të gjelbërimit i gjejnë në vende të ndryshme, kjo si shkak i shtimit të sasisë së ujit në liqen përgjatë ditëve me rreshje. “Kallamat duken si një shtëpizë e gjelbër, që lundron përgjatë liqenit” tregojnë punonjësit “dhe zakonisht ky fenomen ndodh në darkë”.

Milieukontakt, Shqipëri

Spread the love