“Tirana Go Solar” ishte aktiviteti i zhvilluar në fund të muajt korrik, i konceputuar si një kinema verore, e cila pajisjet kryesore të saj i furnizonte me energji diellore. Në mjediset e “Resë” organizata Milieukontakt Shqipëri, si organizatorja kryesore e këtij aktiviteti, bëri së bashku   përfaqësues të shoqërisë civile, të rinjë, ekspert mjedisi, përfaqësues të Bashkisë Tiranë dhe qytetarë të moshave të ndryshme. Kinemaja verore u realizua në kuadër të projektit EUCENA – Akademia Europiane e Energjisë për Qytetarët, mbështetur nga nisma EUKI, Ministria Federale për Çështje Ekonomike dhe Ndryshimet Klimaterike në Gjermani, me partner Bashkinë Tiranë, si pjesë integrale Tirana Kryeqyteti Europian i Rinisë 2022.

Aktiviteti nisi me fjalën përshëndetëse të Drejtores Ekzekutive të Milieukontakt Shqipëri, Zj. Valbona Mazreku, e cila bëri një prezantim të shkurtër të  nismës; si lindi ajo dhe u zhvillua në kohë. Kinemaja verore synoi informimin e pjesëmarrësve mbi energjinë e rinovueshme, duke promovuar përdorimin dhe konceptimin e saj si një alternativë energjie, që sjell përfitime të konsiderueshme për shoqërinë dhe qytetarët në tërësi; ku një prej përfitimeve është edhe minimizimi i degradimit të mjedisit. Si u realizua kinemaja verore me energji diellore?

Energjia e nevojshme për të vendosur në punë laptopin dhe projektorin u prodhua përmes dy panele fotovoltaike me kapacitet 1.5 KWp, të cilët u instaluan në mjediset e hapura. Energjia e grumbulluar gjatë ditës u akumula në bateri dhe më pas u përdor gjatë mbrëmjes për shfaqjen e filmave duke e bërë të prekshme për shikuesit, sesi përftohet energjia nga dielli. Shumë prej të pranishmëve e vlerësuan procesin, pasi jo të gjithë kishin pasur më parë mundësi të shihnin nga afër prodhimin e energjisë prej panelave diellore.

Pjesë thelbësore e kinemasë ishte edhe video-konkursi, përgjatë të cilit të rinjë të moshës 16-26 vjeç kanë përgatitur video informuese dhe sensibilizuese për qytetarët dhe qasjen e tyre ndaj energjisë së rinovueshme dhe efiçencës së energjisë, ndikimet pozitive që ato kanë në ndryshimet klimatike, e cila është sfida aktuale e shumë shteteve dhe jo vetëm Shqipërisë. Videot ishin realizuar sipas kritereve dhe kërkesave, përmes të të cilave të rinjtë kishin përcjellë më së miri mesazhet: energjia e rinovueshme është burimi energjitik i së ardhmes,  rritja dhe qasja pranë saj ka një rëndësi të madhe dhe të pa diskutueshme!

Për të përzgjedhur videot më të mira, një juri, anëtarë të së cilës ishin përfaqësues nga shoqëria civile/çështjeve rinore, ekspertë të energjisë dhe regjisore/autore vlerësuan videot më të mira me cmimiet: video krijuese, video e inovacionit, video informuese dhe ndërgjegjesuese, video dokumentare. Anëtarët e jurisë, të pranishëm përgjatë gjithë aktivitetit shprehën përshtypjet dhe vlerësimet e tyre jo vetëm për videot dhe cilësitë e secilës prej tyre, por edhe për vëmendjen që duhet t’i kushtohet temave dhe aktiviteteve të tilla. Po ashtu edhe pesë të rinjtë, fituesit e videove më të mira treguan procesin e përgatitjes së videove, duke cekur edhe një herë mesazhet që duan të përçojnë në mbarë komunitetin përmes videove të tyre. Për fituesit u shpërndanë çmime, po ashtu  edhe çertifikata për të gjithë pjesëmarrësit.

Dy ditët në vijim kinemaja verore shfaqi video te shkurtra të përgatitura nga nga OSHC-të shqiptare mbi ndërhyrjet e tyre pilot në instalimet e panaleve fotovoltaike anembanë Shqipërisë, si zhvillimet në fushën e energjisë së rinovueshme në nivel evropian, duke nxitur dhe sjellë një diskutim mjaft interesant mes të pranishmëve; mbi njohjen, përdorimin dhe vëmendjen që i kushtohet energjisë së rinovueshme dhe efiçencës energjitike  në vend, ndikimin që ndryshimet klimatike kanë në Shqipëri dhe në rajon. Pas diskutimeve shikuesit ndoqën video nga platforma MOOC About Us | EUCENA (citizenenergy.academy), të cilat tregonin sesi energjisë së rinovueshme në nivel evropian po i jepet vëmendja e duhur, pasi tashmë është kuptuar rëndësia dhe përfitimet që vijnë prej saj në periudha afatmesme dhe afatgjata. Komunitetet e energjisë janë një nga mekanizmat kryesore të demokratizimit të shërbimit dhe modele të qëndrueshme për prodhim të energjisë së pastër.

E parë në nivel makro, shtete të ndryshme dhe qyetetarët e saj po i kthejnë sytë dhe “përqafojnë”  energjinë e rinovueshme, si një mënyrë për të ulur kostot e energjisë elektrike dhe mbushur boshllëkun për lëndë djegëse, që është krijuar prej një sërë faktorësh si: pakësimi i lëndëve djegëse dhe rritja  kostove të tyre. Nuk mund të thuhet se energjia e rinovueshme do të zëvendësojë energjinë elektrike në masën 100%, por ajo do të mund të krijojë siguri energjitike, aq shumë të nevojshme, për gjithë shtetet në mbarë botën.

Milieukontakt Shqipëri

Spread the love