Para viteve ’90 transporti hekurudhor ishte mjeti kryesor i transportit, pas këtyre viteve ky lloj transporti zëvendësohet nga ai rrugor. Nostalgjia të shtyn shpesh të kthehesh në vite dhe kështu mund të arrish të bësh një krahasim: “si ka qenë dhe si është”.

Linjat e para hekurudhore në Shqipëri ishin linjat minerare dhe ato ushtarake, ndërtuar nga austro-hungarezët dhe italianët. Sistemi hekurudhor arrin përmasat 677 km në vitin 1987, në vitin 2016 vetëm 440 km linjë hekurudhore janë pranuar nga instancat e shtetit si ekzistuese.  Rrjeti hekurudhor shqiptarë fillon nga porti i Durrësit dhe shkon në tre drejtime: në veri deri në Hanin e Hotit, në jug deri në portin e Vlorës dhe në lindje drejt Pogradecit. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës tregojnë se hekurudha shqiptare ka në inventarin e saj 66 vagonë udhëtarësh, 225 vagonë malli dhe 25 lokomotiva. Sipas Institutit të Transportit për vitin 2016 në krahasim me vitin 2012 kemi një rënie në masën 50% të transportit të udhëtarëve dhe të mallrave, si brenda vendit ashtu edhe jashtë tij. Në formë subvencionesh shteti akordon rreth 4 milionë euro për aktivitetin e operimit dhe 3.5 milionë euro për investime kapitale.

Në infrastrukturë, linja hekurudhore shqiptare, sipas ekspertëve të huaj (Komisioni Evropian, “Plani Kombëtarë i Transportit” faza e dytë e studimit realizuar nga kompania kombëtare Louis Berger, Shqipëri) përcaktohet se është ndërtuar në kushte optimale, përsa i përket trasesë së saj. Ky kusht është stimulues për ta rinovuar atë, me mbishtresën ballast-çakëll dhe shina. Prishja e sistemit kullues në mbarë vendin ka qenë e disfavorshme edhe për trasenë e hekurudhës, ku gjatë këtyre viteve askush nuk ka punuar për drenazhimin e saj dhe për krijim e kushteve për largimin e ujërave masive, që shpesh herë e kanë çarë trasenë. Gjithashtu ekspertët shtojnë se investimi në hekurudhën shqiptare duhet të fillojë gradualisht, duke përmirësuar gjendjen e traseve ekzistues dhe zëvendësimin e trenave si të mallrave dhe atë të udhëtarëve, duke vendosur trena më të lehtë dhe shpejtësia e tyre të jetë 100 km/orë.

Ndërkohë në programin e qeverisë aktuale gjejmë: “Hekurudha nuk do të lihet më të lëngojë, do te punohet për zhvillimin e trenave të frekuencës së lartë në territoret më të populluara, sikundër se do të modernizohet dhe do të rritet siguria e të gjithë rrjetit hekurudhor shqiptar. Prioritet do të ketë edhe lidhja me rrjetin hekurudhor Maqedonas, Portin e ri të Vlorës, portin e Porto-Romanos dhe portin e ri të Shëngjinit”.

Çdo mjet transporti lëshon në mjedis gjithë ato çka ai prodhon gjatë orëve të punës. Konkluzionet e shumë studimeve nëpërmjet provave të kryera dhe llogaritjeve të realizuara kanë arritur në përfundimin se: transporti i makinave ndot mjedisin në masën 75-90% krahasuar me ndotësit e tjerë. Megjithatë edhe trenat e ndotin mjedisin duke çliruar CO2 apo elementë ujorë të karbonit, ndotje akustike, shtojnë kostot financiare në fazë reabilitimi dhe mirëmbajtjeje, apo zënien e truallit ku shtrihet traseja. Ekspertët dhe mjedisorët përkrahin transportin hekurudhor, në krahasim me atë rrugor, pasi ndotja e këtij të fundit është më e madhe. Ndotja e mjedisit si dhe trafiku i rënduar rrugor, s’është problem vetëm për aksin Tiranë-Durrës apo akse të tjerë, por shtrihet edhe më tej. Në këndëvështrimin në perspektivë të energjisë dhe transportit për vendet e Komunitetit Evropian është parashikuar 50% rritje në transportin e udhëtarëve dhe 80% rritje në transportin e mallrave nga viti 2000-2030. Pjesa me e madhe e rritjes së këtij transporti do të përballohet nga rrugët. Mesatarja e kilometrave e përshkuar nga një qytetarë i BE-së për vitin 2030 do të jetë 14.000 km, nga 10.000 km që ishte në vitin 2000. Nëse në të ardhmen qeveria do të investojë në përmirësimin dhe nxitjen e transportit hekurudhor në Shqipëri, do të përmirësohet dukshëm trafiku i rënduar në akse kryesore, do të shmanget transporti i mallrave me kamionë të tonazhit të lartë, të cilët dëmtojnë në shumë raste rrugët ku kalojnë, si edhe do të përmirësojë cilësinë e ajrit të qyteteve. Ndoshta që tani duhet të mendojmë të organizojmë ekskursione informues-edukues, ku fëmjët e shkollave mund të shohin nga afër një tren udhëtarësh apo mallrash, pasi i kanë parë ata vetëm nëpër filma, revista, libra apo kanë luajtur në një tren lodër në Luna Park.

Spread the love