30 Nxënës të shkollës “1 Maji” në Piskovë të Përmetit janë njohur me temën e efiçencës së energjisë, monitorimi i cilësise së ajrit, si dhe kanë vizituar për qëllime studimore inkubatorin në periferi të qytetit.
Si fillim nxënësve ju prezantua çfarë është energjia, burimet e rinovueshme të saj (energjia diellore, energjia e ujit, energjia e erës, energjia e biomasës etj) avantazhet dhe disavantazhet e tyre. Pjesa më e madhe e energjisë së ripërtëritshme vjen drejtpërdrejt ose tërthorazi nga dielli. Energjia diellore, mund të përdoret direkt për ngrohje dhe ndriçim të shtëpive, duke përdorur sistemet e paneleve diellore. Kjo formë e teknologjisë ishte e njohur edhe nga nxënësit.
Fëmijët treguan masat që marrin për të kursyer energji në shtëpitë e tyre dhe veprime të thjeshta në përditshmërinë e tyre si: fikja e dritave, mbyllja e derës dhe dritareve në mot të ftohtë, heqja nga priza e pajisjeve elektronike, pasi kemi mbaruar punë etj. Nëse një karikues celulari lihet në punë dhe nuk përdoret ai harxhon 1-5 W. E njëjta gjë mund të thuhet për një kompjuter, i cili në gjendje të fikur dhe i lënë në prizë harxhon 21 W.
Gjatë prezantimit të temës mbi energjinë, nga eksperti i fushës janë treguar shembuj konkret mbi efiçencën e energjisë; ku përmendim zëvendësimin e llambave inkandeshente me ato Led, zëvendësimi i dritareve me xham tek me ato me dopio xham, zëvendësimi i pajisjeve të vjetra elektroshtëpiake me ato me efiçente (A+++).
Shumë e rëndësishme për kursimin e energjisë është mbajtja mbyllur e dyerve dhe dritareve kur mjedisi (shkolla, kopshti dhe ambientet e tjera të përbashkëta) është i ngrohtë, ose duke u ngrohur. Gjithashtu përdorimi i kontrolluar i ujit të ngrohtë, si dhe përdorimi i paneleve diellore do të na ndihmojë në: uljen e shpenzimeve financiare të familjeve, duke kursyer energjinë, ofruar kushte të shëndetshme jetese si dhe duke dhënë një kontribut të vyer në ruajtjen e mjedisit.
Tema e dyte e trajtuar me nxënësit ishte prezantimi i pajisjes që realizon matjen e cilësisë së ajrit Aeroqual 500 dhe praktika e përdorimit në terren e pajisjes. Nxënësit tepër të interesuar patën mundësi të kryenin matjet e CO2 në klasë si dhe të dilnin pranë rrugës kryesore dhe të masnin ndotjen e ajrit. Disa nga parametrat që nxënesit matën ishin: PM2.5, PM 10, NO2, parametra, të cilat janë edhe tregues të ndotjes, e cila shkaktohet kryesisht nga grimcat e pluhurave dhe karburantet e makinave. Kuptohet që zona e Përmetit ka ajër të pastër dhe brenda parametrave të Bashkimit Evropian. Kjo ekperiencë do t’ju shërbejë nxënësve për të ardhmen, pasi ishte diçka ndryshe për ta; duke mos i parë pajisje të tilla vetëm në libra, por duke pasur mundësi t’i provojnë edhe në terren ato çfarë kanë mësuar në shkollë.
Pas përfundimit të orëve të hapura mësimore u organizua edhe një ekskursion pranë mjediseve të inkubatorit të Përmetit; me qëllim rritjen e njohurive të brezit të ri mbi përpunimin e produkteve të ndryshme bujqësore. Inkubatori i parë i produkteve tipike shqiptare i hapur në Përmet është një hapësirë e përbashkët për fermerët e zonës, të cilët mund të prodhojnë produkte me metoda tradicionale. Ai shërben për prodhimin e rakisë dhe përpunimin e frutave të zonës së Përmetit. Nxënësit u njohën me mënyrën e funksionimit të tij, I cili ishte me dy linja prodhimi, një për prodhimin e rakive të veçanta të zonës si thana, mani, dëllinja, mare, manaferre, rigoni etj dhe linja tjetër për tharje, prerje dhe paketim fruta-perimesh. Pajisjet e çertifikuara të inkubatorit, ndihmojnë fermerët e vegjël të zonës për të realizuar produkte që plotësojnë kushte higjeno-sanitare dhe standartet e tjera të tregut.
Ky aktivitet është realizuar nga Shoqata “Vjosa Eksplorer” në bashkëpunim me Organizatën “Milieukontakt” në kuadër të projektit “Iniciativa për Zhvillimin e Turizmit të Qëndrueshëm në Bashkinë Përmet” i cili është shpallur fitues nga Programi Rajonal mbi Demokracinë Vendore në Ballkanin Perëndimor – “ReLOaD” që mbështetet financiarisht nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).