Sipas Eurostat (të dhëna për vitin 2016) Shqipëria renditet e treta në Evropë, pas Norvegjisë dhe Islandës për prodhimin e energjisë elektrike nga burimet hidrike, me një përqindje prej 86 përqind të prodhimit të përgjithshëm. Konsumi i energjisë në Shqipëri bazohet në prodhimin e energjisë elektrike nga hidrocentralet (HEC-et), të cilët janë burimi më i rëndësishëm në Shqipëri, pasi energjia e erës dhe energjia diellore janë ende burime jo shumë të përdorshme në vend. Sfida e tanishme e vendit sipas specialistëve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) është rritja e kapacitetit të energjisë së rinovueshme në masën 42% të konsumit final bruto të energjisë (2020-2030) duke liberalizuar tregun e energjisë dhe diversifikuar burimet e saj. Interesi privat për të prodhuar energji nga burimet e rinovueshme, energjia e diellit dhe ajo e erës ka ndryshuar, ku këto vitet e fundit janë rritur kërkesat nga biznesi dhe investitorët për të investuar në parqet fotovoltaike si p.sh., parku fotovoltaik i Karavastasë, si parku më i madh fotovoltaik në Ballkan, apo edhe 11 lejet përfundimtare të lëshuar nga MIE për ndërtimin e parqeve fotovoltaike në vend.

Nisur nga situata e ndryshimeve energjitike si në infrastrukturë dhe në menaxhim pranë sektorit vëmendja shkon tek konsumatori dhe komunitetet e energjisë. Sa të përfaqësuar dhe të përfshirë, deri në ç’masë përmbushen dhe mbrohen interesat e konsumatorit në përgjithësi? Komuniteti i energjisë është koncept i ri për vendin, fakt ky që është pranuar edhe nga përfaqësues të ministrisë së linjës apo Agjencia për Eficencën e Energjisë. Në një takim të zhvilluar mes ekspertëve të projektit “Akademia Evropiane e energjisë për qytetarët” përfaqësues të Agjencisë kanë deklaruar se institucioni i tyre merret kryesisht më eficencën e energjisë; trend ky që po ndiqet edhe nga ministria e Infrastrukturës dhe Energjitikës, duke çertifikuar ekspertë për auditimin e energjisë, të cilët synojnë që më pas këtë shërbim ta ofrojnë për palët e interesuara. Por lind pyetja: auditimi i energjisë është për një target të caktuar, apo për të gjithe qytetarët e vendit?

Pas auditimit biznesi, familja apo institucioni domosdoshmërit duhet të marrë masat dhe kryejë investimet e nevojshme për të përmirësuar kushtet e infrastrukturës së ndërtesës, proces i cili më pas shpie në efiçencën e energjisë dhe në uljen e kostove financiare që paguhen për të paguar energjinë e harxhuar.

Tranzicionet energjitike që po ndodhin në vend, domosdoshmërisht duhet të përfshijnë edhe komunitetet e energjisë, proces i cili në vendet e zhvilluara ka funksionuar më së mirë psh.: rasti i Gjermanisë, Spanjës, Hollandës, Greqisë. Në Dhjetor të vitit 2018, Direktiva e Burimeve të Energjisë së Rinovueshme 2018/2001/BE hyri në fuqi, si pjesë e paketës së Energjisë së Pastër për të gjithë Evropianët, që synon mbajtjen e BE-së një udhëheqës global në burimet e ripërtëritshme si dhe për të ndihmuar BE-në të përmbushë angazhimet për zvogëlimin e emetimeve të gazeve serë sipas Marrëveshjes së Parisit. Këtë direktivë e kanë përkrahur dhe i janë qasur komunitete të energjisë në Evropë, prej vitesh, ku Gjermania numëron 1750 të tilla, Danimarka 700, Hollanda 500, Anglia 431, Suedia 200, Franca 70, Belgjika 34, Polonia 34 dhe Spanja 33 (të dhëna sipas JRC Science for Policy Report – “Komunitetet e Enrgjisë: një paraqitje mbi energjinë dhe risinë social, viti 2020). Këto vende i janë qasur komuniteteve të energjisë, pasi principet që ato kanë si: vullnetarizimi dhe anëtarësia, kontrolli demokratik nga anëtarët, pjesëmarraja ekonomike, autonomia dhe pavarësia, informimi dhe rritja e kapaciteteve, bashkëpunimi ndërmjet komuniteteve dhe përkrahja e tyre ka rritur interesin e qytetarëve evropian për të qenë pjesë e tyre. Komunitetet e energjisë sapo kanë filluar në Shqipëri, kjo sipas projektit “Akademia Evropiane për qytetarët” ku Milieukontakt në partneritet me WECF, Rescop.eu, Electra Energy, BBEn synon të bëjë një analizë të hollësishëm të ligjit ekzistues për mundësinë dhe qasje të aktorëve të ndryshëm (qytetarë, institucione, biznese, donator kombëtarë e ndërkombëtarë) pranë komuniteteve të energjisë. Si koncept i ri ekspertë të fushës dhe partnerët do të ofrojnë ekspertizën e tyre për komunitetet e energjisë. Më pas këta komunitete do të jenë të aftë të anagzhohen e bëhen pjesë në tranzicionin e energjisë që po ndodh, duke iu përshtatur tregut të energjisë dhe zhvilluar njëkohësisht kapacitetet e tyre në aspektin social dhe kulturor.

 

Përgatiti: Bujana Xhindoli

Milieukontakt Shqipëri

Spread the love