Në takimin e tretë të radhës të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEA3) qeveritë ranë dakort për 13 rezoluta, në të cilat njëra ishte për mjedisin dhe shëndetin.

Bashkimi Evropian dhe Filipinet propozuan këtë rezolutë shumëpalëshe, e cila përfshin kimikatet dhe mbetjet, ndryshimet klimatike, biodiversitetin, rezistencën kundër-mikrobeve si edhe prodhimin dhe konsumin e qëndrueshëm. Në rezolutë përfshihet gjithashtu një kombinim i mbetjeve të plumbit, mbetjeve të acidit të plumbit, mbetjet detare dhe mikroplastikën. Megjithë faktin se pjesëmarrja e OJQ-ve të interesuara ishte e pamundur, teksti i mëposhtëm është shumë i vlefshëm.

Rezoluta për Mjedisin dhe Shëndetin

Teksti përmend Komisionin Lancet mbi ndotjen dhe shëndetin ku thuhet shprehimisht “më shumë vëmendje për shfaqjen e sëmundjeve nga ndotjet e mjedisit, e cila nga vlerësimet e fundit nga WHO është shkaktarja e vdekjeve globale në masën 23%, duke i shtuar kështu edhe kosto të tjera shoqërisë. Aty përmendet gjithashtu se rritja e shkallës së ndotjes është faktori kryesor në vdekjet e parakohshme pa pasur sëmundje të mëparëshme, e cila sipas WHO vlerësohet të jetë 7 në 10 vdekje.

Teksti përmend gjithashtu përfitimet shëndetësore dhe uljen e niveleve të ndotjes ku thekson: “masat ndërsektoriale dhe parandaluese, duke përfshirë integrimin gjinor, ruajtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të biodiversitetit dhe ruajtjen e ekosistemit, për të ruajtuar kështu shëndetin dhe mirëqenien në të gjitha fazat”.Së fundi, rezoluta paraqet një marrëveshje konsensusi për rëndësinë e zbatimit të masave parandaluese (Parimi 15 i Rio-s).

Kimikatet dhe mbetjet

Rezoluta trajton praninë e kimikateve në produkte, duke theksuar rëndësinë e shmangies dhe minimizimit të rreziqeve që paraqiten nga kimikatet e dëmshme. Përveç kësaj, rezoluta në mënyrë indirekte sinjalizon rëndësinë e shmangies së riciklimit toksik. Teksti specifikisht përmend metalet e rënda, ndërhyrjet endokrine dhe pesticidet si dhe rëndësinë e zhvillimit, adaptimit dhe zbatimit të masave efektive dhe legjislacionit/rregulloreve kombëtare për të mbrojtur gratë shtatzëna, foshnjat dhe fëmijët në veçanti.

Përfshirja dhe alarmi i parë i pesticideve është e dobët pasi i fton qeveritë të rrisin ndërgjegjësimin për “përdorimin e tyre të parregullt”. Megjithatë, më vonë rezoluta përmend shqetësim konsensual për mjedisin dhe ndikimet shëndetësore të pesticideve dhe plehrave kimike dhe mungesën e të dhënave dhe kërkon nga Drejtori Ekzekutiv i UNEP-it të paraqesë një raport mbi këto ndikime, si dhe mënyrën për t’i minimizuar ato, në bashkëpunim me OBSH, FAO dhe të tjera organizata të ngjashme si UNEA5.

Një paragraf tjetër për pesticidet vë në dukje mungesën e informacionit rreth ndikimeve të aplikimit permanent të pesticideve në shëndetin e njeriut dhe mjedisit, ku dhe kërkon nga Drejtori Ekzekutiv i UNEP-it në bashkëpunim me FAO dhe OBSH, të inkurajojë institucionet kërkimore, për të ndarë rezultatet e studimeve përkatëse, duke përfshirë monitorimin dhe vlerësimin e mjedisit. Rezoluta fton qeveritë që të “nxisin dhe lehtësojnë aksesin në informacion” për rreziqet e shkaktuara nga produktet kimike dhe mbetjet. Së fundi, rezoluta u kërkon qeverive të marrin pjesë në procesin e SAICM Përtej 2020.

Ndryshimet klimatike

Pavarësisht përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara për të quajtur ndryshimet klimatike në “ndryshimet” e mjedisit rezoluta përfundimisht përcaktoi “ndryshimet klimtatike”.

Teksti njeh rreziqet thelbësore që vijnë nga ndryshimet klimatike në shëndet, duke përfshirë rritjen e mundshme të sëmundjeve të mbartura si dhe marrjen e masave.
Rezoluta kërkon nga Drejtori Ekzekutiv i UNEP-it që të zhvillojë një plan të përbashkët veprimi për ndryshimet klimatike me agjencitë e tjera të OKB-së dhe të raportojë rregullisht për përparimin e saj. Ajo gjithashtu kërkon nga Drejtori Ekzekutiv i UNEP-it të vlerësojë përfitimet shëndetësore nga projektet e lidhura me ndryshimet klimatike, veçanërisht për grupet e cënueshme/ndjeshme.
Së fundmi, rezoluta kërkon që Drejtori Ekzekutiv i UNEP-it të raportojë në Komitetin e Përfaqësuesve të Përhershëm mbi konsultimet në vazhdim midis OBSH, Programit të Mjedisit të Kombeve të Bashkuara, WMO dhe Sekretariatit të UNFCCC mbi aktivitetet e përbashkëta për ndryshimet klimatike, mjedisin dhe shëndetin, përfshirë përgatitjen e një plani të përbashkët.

Biodiversiteti

Rezoluta inkurajon qeveritë, UNEP-in dhe aktorët e ngjashëm për të rritur ndërgjegjësimin mbi ndikimet negative dhe rreziqet e ndotësve kimik tek kafshët e egra. Kjo përfshin pesticidet, barnat e kafshëve dhe mbetjet e plumbit. Ruajtja e shëndetit inkurajohet duke përfshirë koordinimin midis ruajtjes së biodiversitetit, sigurisë ushqimore dhe shëndetit të njeriut. Së fundi, rezoluta kërkon që Drejtori Ekzekutiv i UNEP të përfshijë faktorët e shëndetit të njeriut në projektet e biodiversitetit për vlerësimin e ekosistemit dhe t’i raportojë rezultatet Komitetit për Përfaqësuesit e Përhershëm.

Rezistenca kundër-mikrobiale

Kjo temë është e rëndësishme për të gjithë ata që janë të interesuar për ndotësit farmaceutikë. Rezoluta inkurajon qeveritë që të marrin në konsideratë masat për të minimizuar kontributin e ndotjes ndaj rezistencës anti-mikrobike, duke përfshirë qytetet, bujqësinë, kujdesin shëndetësor, prodhimin e antibiotikëve, mbetjet detergjente shtëpiake dhe metalet e rënda. Rezoluta kërkon nga Drejtori Ekzekutiv i UNEP-it të punojë me agjencitë e tjera të OKB-së dhe organizatat e ngjashme, duke përfshirë shoqërinë civile për të mbështetur përpjekjet për të identifikuar rrezikun e shëndetit të njeriut dhe të kafshëve nga rezistenca antimikrobiale. Rezoluta gjithashtu kërkon nga Drejtori Ekzekutiv i UNEP-it të punojë me agjencitë e tjera të Kombeve të Bashkuara, duke përfshirë SAICM, për të përgatitur një raport mbi ndikimet mjedisore të rezistencës kundër mikrobeve për UNEA5.

Konsumi i qëndrueshëm dhe prodhimi

Rezoluta bie dakord që “ndikimet mjedisore, përfshirë ndotjen, nuk mund të zbuten lehtësisht duke u përqendruar vetëm në uljen e emisioneve dhe kërkon zhvillimin e strategjive për të rritur efikasitetin e burimeve përgjatë ciklit të plotë të produkteve”. Rezoluta thekson rëndësinë e rritjes së ndërgjegjësimit publik nëpërmjet sigurimit të informacionit të qëndrueshmërisë së produktit për të lejuar zgjedhje të informuara nga konsumatorët. Drejtori Ekzekutiv i UNEP-it në bashkëpunim me agjencitë e tjera të OKB-së duhet të identifikojë mundësitë për promovimin e stileve të jetesës së qëndrueshme dhe modele të konsumit dhe prodhimit të qëndrueshëm që do të përmirësonin mjedisin dhe shëndetin e njeriut përmes promovimit të fushatave të shëndetit publik.

Shqipëria, ende shumë mbrapa politikave dhe masave të UNEA 3

Në rezolutën 13 të UNEA 3 përmendet se rritja e shkallës së ndotjes është faktori kryesor në vdekjet e parakohshme pa pasur sëmundje të mëparëshme. Shqipëria sipas të dhënave OBSH-së renditet e katërta përsa i përket vdekjeve të shkaktuara nga ndotja e ajrit (të dhëna për vitin 2012). Gjithashtu kjo rezolutë fton qeveritë që të “nxisin dhe lehtësojnë aksesin në informacion” për rreziqet e shkaktuara nga produktet kimike dhe mbetjet si dhe të marrin pjesë në procesin e SAICM 2020 (Strategic Approch to International Chemicals Managment). Ndonëse Shqipëria ka ratifikuar Konventën e Bazelit, Stokholmit dhe atë të Roterdamit, ende s’kemi një rregjistër të kimikateve apo “rregjistër për aksidentet kimike”. Para disa kohësh u përfol se në të ardhmen në sektorin e Shëndetit Publik do të krijohet një “regjistër për aksidentet kimike” në bazë të rekomandimeve te OBSH.-së. Gjithashtu Shqipërisë i mbetet ende shumë punë për të bërë përkundrejt përshtatjes së ndryshimeve klimatike. Është përgatitur një plan i tillë në vendin tonë, por sesa do të përmbushet ky plan mbetet për të vlerësuar në vitet në vijim.

Përgatiti: Bujana Xhindoli
Milieukontakt, Shqipëri

Spread the love