Milieukontakt Shqipëri së bashku me 8 partnerë nga Mesdheu në kuadër të projektit EmpowerMed – Fuqizimi i grave për të vepruar ndaj varfërisë energjitike në Mesdhe (Programi i Kërkimit dhe Inovacionit, Horizon 2020) janë fokusuar në varfërinë energjitike dhe fuqizimin e grave. Në vendet e Mesdheut, zonat bregdetare hasin një sërë sfidash në lidhje me varfërinë energjitike, natyrshëm lidhur me ngrohjen dhe ftohjen në banesa, pasi ndërtesat rrallë janë të izoluara, shpesh pa sistem ngrohje, ose jo efikas.

Varfëria energjetike është situata në të cilën një familje nuk mundet të shfrytëzoj shërbimet energjetike në shtëpi në një nivel të atillë që të mund të përballojë nevojat sociale dhe materiale.

Në vendet e Evropës, varfëria energjetike i referohet situatës ku individët nuk janë në gjendje të sigurojnë energjinë e nevojshme në banesë me një çmim të përballueshëm. Por në Shqipëri ky koncept ende nuk ekziston. Ka vite që Ligji i Sektorit të Energjisë përkufizon klientin në nevojë por ende ka mungesë të akteve nënligjore për kriteret dhe proçedurën për përfitimin e statusit të klientit në nevojë dhe mënyrën e trajtimit të tyre.

Projekti ka për qëllim kryesor zbatimin e masave praktike në zonën pilot, Bashkia Vlorë, për të adresuar varfërinë energjitike, si qasje në komunitet, vizita në banesa, qasje të veçanta, mbështetje me investime të vogla dhe workshope për shëndetin. Milieukontakt ka përpiluar një raport fillestar i mbështetur në shqyrtimin e dokumentacionit, takimet me institucionet vendore dhe agjencitë e ndryshme që veprojnë në bashkinë Vlorë, Organizatat e Shoqërisë Civile dhe intervistat me banorë të zonës.

Fokusi dhe prioriteti përgjatë shtrirjes së projektit do të jenë zona rurale dhe sidomos grupet më të cënuara si pensionistët, gratë kryefamiljare, komuniteti rom dhe egjiptian si dhe gratë në përgjithësi. Njësia Administrative Novoselë dhe ajo Shushicë në Bashkinë Vlorë janë NJA që kanë popullsi rome dhe egjiptiane si dhe nivelin e punësimit shumë më të ulët (Novosela me 26.2% dhe Shushica me 30.9%), pra janë më të ekspozuara ndaj varfërisë energjitike dhe ku ka probleme të theksuara sociale dhe më pak vëmendje nga bashkia. Kjo zgjedhje vjen duke studiuar dhe analizuar të gjitha kushtet socio-ekonomike të banorëve, vështirësitë e komunitetit rom, të cilët kanë përqindjen më të lartë të vendbanimit në këte zonë në shkallë kombëtare, dhe aksesit që i’u ofrohen nga ana infrastrukturore e shëndetësore. Më pak se 1% e familjeve përfitojnë nga ndihma ekonomike dhe 27% janë nga komuniteti rom, ndërkohë që ky komunitet zë reth 2% të kësaj njësie adminsitrative.

Nga takimet me banorët e NJA Novoselë, mësojmë që ato nuk marrin faturën e energjisë me të dhënat bazë të shpenzimeve, konsumit në kWh dhe penaliteteve përkatëse, por vetëm një njoftim nga agjenti tatimor me shumën përkatëse. Kjo e bën të vështirë për to për të gjykuar mbi shpenzimin, përdorimin e pajisjeve të ndryshme dhe masat që mund të marrin për reduktimin e konsumit përkatës.

Gjatë vizitës në qendrën shëndetësore Novoselë, bashkëbiseduam me një zonjë rome që kishte 6 fëmijë dhe jetonte vetëm me ndihmën ekonomike prej 8000 lekësh (65eur) që fitonte vetëm ajo. Bashkëshorti ishte i papunë dhe mundohej të siguronte bukën e gojës nëpërmjet punëve informale. Banesa e tyre kishte kushte shumë të vështira, tavani pikonte, dritare alumini me xham tek, lagështi e lartë dhe mungonte termoizolimi. Për gatim përdorej soba e drurit në dimër dhe soba me gaz në verë. Mungonte bojleri për ngrohjen e dushit, ndërsa laheshin me ujë të ngrohur në sobë. Këto muajt e fundit kjo familje kishte rilidhur energjinë elektrike, pasi ishin debitorë ndër vite dhe njëkohësisht shlyenin debinë me kamatë vonesë dhe paguanin konsumin mujor. Fatura e fundit kishte ardhur 2,300 lekë, ndërsa debia 1,800 lekë, me një total prej 4100 Lekë. Me një përllogaritje të thjeshtë mbi 50% e NE që përfitonte zonja shkon për faturën e energjisë elektrike.

Milieukontakt për të arritur familjet në nevojë do të komunikojë intensivisht me qendrat shëndetësore dhe aktorët e tjerë lokal që mund të mbështesin fushatën për përfshirjen e familjeve të prekura nga varfëria energjitike ose që mund të sigurojnë ndonjë lloj tjetër mbështetje për zbatimin e projektit EmpowerMed.

 

#varfërienergjitike, #energji, #Horizon2020

 

 

Spread the love