Milieukontakt Shqipëri

Në një shkrim përgjatë vitit 2015, sipas revistës “The Guardian” interesi ndaj Shqipërisë është rritur, si një vend ku mund të investosh në energji të rinovueshme. Vendi me një mesatare vjetore prej 300 ditë me diell,  pasuri të shumta ujore e fuqi ere përgjatë vijës bregdetare të Adriatikut. Janë këto të dhëna të cilave i’u janë referuar ekspertët ndërkombëtarë, teksa e kanë vlerësuar vendin të pestin në listën e vendeve me potenciale të konsiderueshme të energjisë së pastër e të rinovueshme.

Prodhimi i energjisë elektrike në Shqipëri për vitin 2019 ka shënuar rënie të ndjeshme në tremujorin e parë të 2019-s, duke çuar më pas në një ecuri të dobët të ekonomisë në tremujorin e parë të vitit të lënë pas. Sipas INSTAT përgjatë kësaj periudhe energjia elektrike e prodhuar u ul me 1.2%. Prodhimi neto vendas i energjisë elektrike për tre mujorin e parë të vitit 2019 ka rënë me rreth 2.5 herë, duke arritur vlerën 1.28 miliardë kilovatorë, nga 3.2 miliardë kilovatorë energji të prodhuar në tremujorin e parë të vitit 2018. Për tremujorin e parë të vitit 2019 prodhim i energjisë elektrike është realizuar nga hidrocentralet publike (53.6%), ato private dhe koncensionare (46.1%) dhe nga të tjerë prodhues (energji e rinovueshme) në masën 0.3%. Kjo ulje e prodhimit neto të energjisë ka ndikuar në rritjen e importit të saj, me rreth 7.9 herë dhe uljen e eksporteve bruto të energjisë elektrike me rreth 14.3 herë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018.

Ndonëse kemi një ulje të prodhimit të sasisë së energjisë për tremujorin e parë të vitit 2019, përdorim i saj nga konsumatorët është rritur me 2.8%, duke arritur vlerën 1.56 miliardë kilovatorë nga 1.52 miliardë që ishte në të njëjtën periudhë të vitit 2018. Ndikimin më të madh në rritjen e përdorimit të energjisë elektrike e kanë dhënë konsumatorët familjarë, të cilët paguajnë 9.5 lekë për kWh që prej janarit të vitit 2015.

Qëndrueshmëria, specifikisht siguria energjitike është një nga elementet që qeveria shqiptare po kritikohet gjithnjë e më shumë nga faktori ndërkombëtar. 99% e energjisë sigurohet nga HEC-et, gjë që e bën ekonominë të prekshme ndaj rreshjeve dhe ndryshimeve klimatike. Kësaj i shtohet edhe nevoja në rritje për energji, mungesa e efiçencës në përdorimin e energjisë dhe mungesa e ndërhyrjeve të politikave.

Strategjia kombëtare e energjisë për periudhën 2018-2025, e cila rishkohet çdo tre vjet ka parashikuar për vitin 2020 efiçencën e energjisë në masën 6.8% dhe për vitin 2025 në masën 10%. Për të arritur kursimin/ruajtjen e energjisë në banesa në gjithë territorin e Shqipërisë duhen bërë investime prej 1,170,000 Euro. Sipas Qendra e Informimit per Efiçencën e Energjisë, banesat zënë masën 22% të kursimit të energjisë kundrejt komponentëve të tjerë si biznese, institucione private dhe ato shtetërore, bujqësia, blegtoria etj. Investimet e bëra do të vijnë nga burime të ndryshme financiare si: buxheti i shtetit, donatorë të ndryshëm, aktorët privatë apo kreditë e ndryshme bankare me interesat bankare për këtë qëllim.

Efiçenca e energjisë është një koncept, i cili mund të aplikohet në shtresën e mesme dhe të pasur të shoqërisë. Nëse i referohemi familjeve me të ardhura të pakta ekonomike (5,284 lekë është ndihma ekonomike që i jepet një familje në muaj) kur vetëm për energjinë e shpenzuar këto familje duhet të paguajnë mesatarisht 2,500-3,000 lekë në muaj. Nga një studim i Bankës Botërore (Raporti me udhëzimet për sektorin e energjisë në Ballkanin perëndimor, qershor 2018) vlerësohet se: “familjet me kryefamiljar të vetëm pensionist, jo gjithmonë më të varfër përsa i përket të ardhurave, janë në risk, pasi shpenzojnë një pjesë të mirë të parave për energji (7.7%) dhe mundësia për të rënë në kategorinë e klientit në nevojë është 23%. Familjarët përfitues të assitencës së papunësisë, familjet me fëmijë apo me prindër të vetëm, familjet me kryefamiljar gra, shpenzojnë energji në përqindje më shumë se mesatarja e familjeve në nivel kombëtar. Si rrjedhim përbëjnë grupime të rrezikuara për të qenë pjesë e “varfërisë energjitike”. Programet dhe mekanizmat financiar për të subvencionuar energjinë shpesh nuk mbështesin këta grupe në nevojë dhe hasin sfida gjatë zbatimit”.

Sot, kur ende nuk ka një kategori sociale të mirëpërcaktuar nga pikëpamja ligjore, është e vështirë të përcaktohet nëse një familje është ose jo në varfëri energjitike. Në ligjin për energjinë gjendet vetëm koncepti “Klient në nevojë” (një klient familjar, i cili, për shkak të gjendjes sociale, gëzon disa të drejta të veçanta lidhur me furnizimin me energji elektrike, të siguruara në raste përjashtimore, sipas përcaktimeve të këtij ligji).

Në kushtet aktuale shumë më tepër familje duhet të përfitojnë statusin e klientit në nevojë, pasi: rritja e çmimit të energjisë elektrike është më e lartë në krahasim me rritjen e të ardhurave, pamundësi për të siguruar energji me çmim më të ulët, Deri më sot edhe pse programet sociale janë hartuar, nuk i jepet vëmendje e veçantë grave, ose nuk përfshihen elementë që do të jetësonin veçanërisht çdo mbështetje apo fuqizim të tyre.

Si dhe sa mund të përfitojnë këto familje nga investimet për efiçencën e energjisë? Përtej qendrave të qyteteve, në periferi atje ku kushtet e nevojshme të jetës së përditëshme si, uji i ngrohtë në lavapjatë, dushi dhe lavatriçja janë “luks”. Në zonat periferike të qyteteve, apo në zonat rurale gjen ende ndërtesa me blloqe betoni, të mbuluara me çati eterniti (material i cili është përdorur për mbulesë kryesisht të magazinave apo stallave që para viteve ’90) dhe dyer e dritare që më shumë prishin sesa ndreqin punë. Si mund të ndihmohet kjo shtresë e shoqërisë, kur shtëpitë e tyre vetëm të tilla nuk janë, e  jo më pastaj të flasësh për investime në termoizolim, dritare me xham të dyfishtë, instalim të paneleve diellore, apo përdorim të pajisjeve elektrike të klasës A+++ për kursimin e energjisë?! Kursimi në vetvete është një koncept që nuk gjen dot zbatim nga familjet me të ardhura të pakta ekonomike në periferi të qyteteve dhe zonat rurale, pasi çfarë mund të heqin menjanë (ruajnë) kur këto familje nuk munden objektivisht dhe financiarisht. Ky është mjerim modern!

Spread the love